Nuk e di nëse Rastësia apo Providenca deshi që
të kalonin shumë vite deri sa të më jepej rasti të shkruaja mbi një ngjarje të
vjetër, i frymëzuar nga një deklaratë e re. Anoj nga kjo e dyta meqë ishte vetë
Papa Françesku i cili ma nxori në shteg kur afirmoi para pak ditësh: “Origjina
e universit nuk është vepër e kaosit por e një principi që krijon për dashuri.
Big Bangu nuk e kundërshton ndërhyrjen krijuese hyjnore por e kërkon atë”. Kjo ishte shkëndija që ndriçoi një histori të
vjetër, kurrsesi të harrueshme. Lexuesit që më ndjekin e dinë se nuk mund të
shkruaj nga hiçi, unë e di se ata nuk do më paragjykonin edhe nëse do e lidhja
këtë shkrim me një histori personale.
S´kam rrugë tjetër në fakt, përveç sinqeritetit.
Big
Bangu shpërtheu për mua diku në mes të vitit 1991. Asokohe adoleshent sapo kisha
fituar të drejtën të rrija në tavolinë kur kishte mysafirë të veçantë në shtëpinë
tonë. Falë këmbënguljes së gjyshes, se
“djali duhet me i mësu fjalët”, mund të rrija të dëgjoja, të merrja ndonjë meze
dhe të mos flisja. Ishte një privilegj të cilin e kam përjetuar sërish disa
vite më vonë, në universitet. Kishte
ardhur për darkë një mik i vjetër i shtëpisë, kumbarë i gjyshit. Gjyshi kishte
më se dhjetë vite që kishte vdekur e mua më bënte shumë kurioz kjo punë. Ishte
një burrë i vjetër, mbase shtatëdhjetë
vjeç. Mu duk i gjatë e kur u përkul të më puthte kokën më vuri gishtin e
madh në ballë duke më bërë shenjën e kryqit. Më ka ngelë në memorje vëzhgimi i
atëhershëm i mendjes fëminore: çuditërisht i vinte era duhan megjithëse duart
nuk i kishte të zverdhura siç i kishin pleqtë e tjerë. Pasi u zu me babën se
kush të rrinte në krye të vendit, ai nuk pranoi. Mua më ulën afër tij e gjyshja
plakë qëndronte në fund të tavolinës, se ajo vetë do shërbente pastaj. Ai
fliste ngadalë dhe mbase nga zëri i tij i ngrohtë unë kuptoja edhe ato që nuk i
dija. Nga ajo bisedë mund të kisha shkruar një libër, por s´më takon mua. Ndër të
tjera tregoi një histori burgu, ku një komisar komunist i kishte thënë: -A ke
dëgjuar për Big Bangun ti Patër? Apo akoma mendon se Zoti e krijoi tokën? Pluhuri Pater, dy kokrriza... Edhe
përgjigja qe pak a shumë: -Kur të kuptosh se kush e vuri pluhurin aty, ato dy
kokrrizat, atëherë hajde flasim. Më thjeshtë e pamundur. Për mua ishte hyrja në
një mister me përmasa kozmologjike.
Para pak ditësh në kopshtet e
Vatikanit, përpara selisë së Akademisë së Shkencave të Pontifikatit, Papa
Francesku me lehtësinë e tij për të shprehur vepra të mëdha me fjalë të
thjeshta konfirmoi se: “Zoti i krijoi të gjitha qeniet ekzistuese dhe i la të
zhvilloheshin sipas ligjeve të veta... duke i shoqëruar në çdo moment me praninë
e tij. Kështu krijimi ka përparuar përgjatë mijë vjeçarëve deri sa është bërë
ai që është sot”.
Në këtë kontekst u shpreh Papa edhe
për Big Bangun në oborrin e Akademisë së Shkencave të Pontifikatit ku edhe kjo
teori është si në shtëpinë e saj. Formuluesi i kësaj teorie, prifti belg Georges Lemaître ka qenë president i kësaj Akademie, më e
vjetra në llojin e saj, anëtarë të së cilës gjatë historisë kanë qenë edhe 69
çmime Nobel. Personazhe si, Markoni, Planck, Bohr, Heisenberg ose Fleming kanë
kaluar nëpër këtë shtëpi të madhe që mirëpret shkencëtarë nga e gjithë bota, pa
dallim besimi fetar. Çmimin Nobel e zotëron edhe presidenti aktual i Akademisë,
mikrobiologu Werner Arber.
Si
rastësisht erdhi Papa Françesku para pak javësh në Tiranë. M’u duk se e gjithë
Shqipëria e deshi atë ditë. Erdhi në vendin tonë të vogël, viktima e
eksperimentit më të madh fetar. Përtej blasfemisë, një popull i vjetër do të
përjetonte atë që profetët më të guximshëm nuk e kishin parashikuar as në
rastin më të keq: Ateizmin. Nuk e di si kemi dalë me mend në kokë nga kjo
çmenduri. Sigurisht që pasojat e saj, më të rënda se ato të Cernobilit, herë
pas here vëzhgohen në shoqërinë tonë. “Vetëm rastësia mund të shfaqet përpara
nesh me një mesazh.” thotë diku Milan Kundera.
Vonë
e kam kuptuar, në perceptimin tim sigurisht, thjeshtësinë e konfliktit ndërmjet
besimit dhe shkencës. Humbasim kur e zvogëlojmë Zotin sipas nevojave tona. Me
fjalë të ngjashme të përdorura nga Papa Francesku në kontekste të tjera: “jemi
në rrezik ta imagjinojmë Zotin si magjistar me një shkop magjik, që mund të bëjë
gjithçka, por, nuk është ashtu”. Mendojmë në Zotin me
kutin e vogël të arsyetimit tonë. Në formimin tim shkencor mbetem në konflikt
interesi, shkenca vazhdon të jetë një mister shumë tërheqës që nuk të lë kohë të
humbasësh në opinione të pa argumentuara Revolucioni ynë teknologjik vetëm numëron
vitet e evolucionit të universit, mbase me saktësi. Rregullat e funksionimit të
jetës në këtë univers, tashmë më shumë se një, koinçidojnë rastësisht me qindra
herë për të bërë të mundur fillimin e jetës, vazhdimin dhe vdekjen. Gjithçka
tjetër është çështje besimi dhe mbi besimin shkenca nuk ka asgjë për të thënë.
Erion Hiluku
Tiranë, janar 2015.

No comments:
Post a Comment