Wednesday, June 10, 2015

Si budallai

Si budallai
www.javanews.al
www.revistajava.al

            Në mes të fushatave elektorale që prishin gjumin e popujve të Evropës këto muaj, britanikja e famshme "The Guardian" botonte para disa ditësh një studim më interesant se të dobishëm. Duke ngritur hipotezën se populli iu voton budallenjve, ofrohej një reportazh i gjerë dhe me demostrime nga vendi i tyre dhe të tjerë se si kjo ndodh vazhdimisht. Kohët e fundit patëm një idil politik me britanikët ose një "political love story", prandaj studimi mund të jetë kurioz edhe për ne.  Rezulton se paska disa mekanizma psikologjikë të cilët bëjnë të mundur që budallenjtë të qëndrojnë në pushtet. Ky do të ishte zbulimi i shekullit, mund edhe të meritonte çmimin Nobel në psikologji sikur politikanët të mos e kishin zbuluar dhe shfrytëzuar në sekret shumë përpara tyre. Nuk e di pse Akademia Suedeze nuk jep Nobel në psikologji as në politikë. Ata që i hynë politikës, me përvojën e duhur i zbulojnë këto sekrete falë kolegëve të tyre më të vjetër, mjafton të bëhesh anëtar i klubit dhe të gjitha dyert do të hapen.  E gjithë merita është te shtirja, te adaptimi, te të qënët kamaleon i situatës. Këtë politikanët e zotë e kanë të zhvilluar më shumë se nuhatjen. Nëse për të fituar simpatinë popullore duhet të shtiren si të varfër, ata janë gati të zbresin nga Mercedesi e pas dy minutash të këputin shpirtin sikur kanë bërë në këmbë e pa këpucë dhjetë kilometrat e fundit. Si të jetë vendi bëhet kuvendi, thotë populli ynë që këtë herë godet. Nëse duhet të duket si budalla qoftë edhe për solidaritet, politikani do të adaptojë një budallëpsje të ekzagjeruar, derisa të duket profesionist. Meqenëse kapaciteti i adaptimit demostron supremacinë e species dhe garanton mbijetesën e saj e lexova prapë reportazhin. Prisja që diku nga fundi të paktën të nxirrte ndonjë të dhënë mbi kleptomaninë që shpesh herë vuan kolektivi i politikanëve, por asnjë fjalë. Thua politikanët t’i kamelojnë edhe psikologët?  Është e vërtetë se prestigji i shumë politikanëve lë për të dëshiruar, por pa dyshim ata nuk janë budallenj.  Përkundrazi, po të ishin, të gjitha sistemet e qeverisjeve do të binin. Ata janë flaka e inteligjencës së kombeve, mënyra se si  qeverisin apo sesi i fitojnë votat është meritë e tyre. Dua të mendoj se të gjithë votuesit e dinë se nuk do t’iu ulen taksat, se nuk do të përmirësohen kushtet atmosferike  dhe se kostoja e jetesës vetëm do të rritet. Mjafton të shikosh grafikët e aq viteve sa mbani mend. Besimi i madh që politikanët frymëzojnë nëpër fushata e koncerte me sa duket iu prek telat njerëzve. Aty, vazhdon reportazhi me shkronja të vogla këtë here, me efektin Dunning-Kruger i cili tregon se personat më pak inteligjentë janë ata që kanë më shumë besim. Në këtë pikë, psikologët, të kujdesshmëm dhe politikisht korrekt, nuk e bëjnë fare lidhjen dhe as që e përmendin mundësinë se politikanët budallenj mund të jenë të votuar nga votues me karakteristika të ngjashme. Nietzsche, të cilin vështirë të gjendet psikolog ta sfidojë, thotë: Politika është fusha e punës së disa trurëve mediokër. Është e frikshme po ta shohësh me gjakftohtësinë mjekësore e pak zbutet nëse përfitojmë nga zgjuarsia e popullit tonë kur na kujton se, mos rrjedhtë, pikon.
Në këtë kornizë mund të kishim politikanin e rradhës përballë votuesit. I pari me zgjuarsinë e tij mediokre, është një dashnor i demokracisë, madje nuk mund të jetojë pa të.  Ai ka parimet e tij të cilat janë të ndryshueshëm totalisht, nëse nuk i pëlqejnë të dytit. Të dy bashkë ata mund të binin dakort për ligjin e divorcit ose t’a eliminonin fare martesën,  të kishin opinion të njëjtë për abortin dhe eutanazinë, për kufinjtë e kombit, e deri t’i shpallnin luftë ndonjë vendi fqinj në rast nevoje. I eksituar nga fushata, i pari mund të bëjë premtime fantastiko-shkencore. Mund të përkëdheli egon e të dytit, mund t’a çojë në një botë të bukur imagjinare, mund t’i premtojë seks të sigurtë, madje t’i japë kafe e cigare gjatë fushatës, apo t’i gjejë edhe një vend pune. Në fund të fundit kjo është e gjithë çështja. Të parët duhet të sigurojnë vazhdimësinë në punë të jeniçerëve të vjetër dhe të gjejnë ndonjë punë tek tuk për të rinjtë. Ndërkohë në sfond, politikanët e kaluar nga moda parashikojnë fat të zi për kombin dhe njëmijë të liga për votuesin në përgjithësi, duke rrezikuar seriozisht të bëhen profetë. 
            Duke u kthyer te reportazhi ynë na mbetet të qartësojmë budallain, në mijëra përkufizime të mundshme ku të gjithë i ngroh i njëjti diell zgjodha: Nuk ka budalla të mirë, thotë intelektuali i madh spanjoll Unamuno, dhe me këtë nuk i lë hapësirë manovrimi e as faljeje qoftë edhe nga injoranca as budallait më të zgjuar. Nëse marrim këtë lloj budallai njeri dhe e vendosim në studimin britanik që pretendon përmasa ndërkombëtare, na del se budallai, i aftë të identifikojë të ngjashmit e tij do të iu votojë atyre jo për të patur një të mirë më të madhe, por nga inati kundrejt më të zgjuarit. Preferon t’a qeverisin të tijtë, qofshin edhe budallenj. Në ligësinë e hipokrizisë së tij prej idioti mendon se është i çliruar nga çdo lloj përgjegjësie sepse në fund të fundit ai kaq di, kaq bën.  
Erion Hiluku

Tirane, maj 2015.