Wednesday, August 29, 2018

Kosova dhe unë


Kosova dhe unë
Nga Erion Hiluku
 (Disa fragmente janë marrë nga novela me të njëjtin titull)
E dashurova që në takimin e parë dhe isha fëmijë akoma. Ishte e mistershme, e grabitur por e imja. Një ditë pranvere ma prezantoi xhaxhi im Pali i cili qe i gatshëm të dëgjonte fëmijët dhe t’i përgjigjej me seriozitet ҫdo pyetjeje. Shëtisnim pranë një reparti ushtarak me topa kundër ajror në oborr, të gjithë me grykët e gjata nga veriu, gjë që më bënte përshtypje. Pyeta. –Po, tha, -andej duhet të rrinë. Mbaje mend, me grykën andej mbështetet edhe pushka. –Po pse? Ai u habit si nuk e dija këtë dhe ia filloi të tregonte ngadalë, e unë këtë doja. –Po është Jugosllavia andej. Kosovën na e kanë marrë ata, -tha me vendosmëri. -Është e jona. Është e gjerë e bukur e me shtojzovalle nëpër lëndina. Kosovarët janë burra shqiptarë, të gjatë dhe trima. E di ti historinë e Isa Boletinit?... Ai vetë ishte dy metra e më tërhiqte nga dora me butesi. Fillonte një histori dashurie.      
Kaluan nja dhjetë vjet që të rritesha pak edhe unë, kur Kosova ja krisi fort.  Ishte vera e vitit 1998. Zoti deshi që të gjendesha vullnetar në Tropojë atë verë të tmerrshme, pjesë e një grupi mjekësh dhe infermjerësh të organizuar me urgjencë për të pritur njerëzit që vinin nga lufta. Kosova rridhte gjak, lumenj gjaku sa Valbona. Fëmijët qanin papushim e nënat qëndronin me zor të drobitura. Fëmijët i sillnin në krahë e të rriturit në vig. Doktor Leka jepte udhëzimet pa e hequr dot stetoskopin nga veshët e s’kishte kohë as të ndërronte dorezat.  Qindra vetëve u injektoheshin antibiotikët pa i shtrirë se s’kish vend, ndërkohë që Maurizio, një infermjer i talentuar italian përgatiste pa pushim dhjetëra shiringa. Darkave vinin të mjekoheshin ata burrat e gjatë e trima. Nuk kishim anestezi. Gjaku rridhte i kuq flakë papushim, ndërsa Doktor Leka i pastronte plagët dhe i qepte me një shpejtësi të habitshme. Asgjë nuk pipëtinte, veҫ ajri vibronte i elektrizuar. Ata shtrëngonin armët e dhëmbët dhe vetëm falenderonin me zërin e dridhur. Njërin, Leka vendosi “ta shtronte” se ishte rëndë, i plagosur, i këputur, ujë në djersë dhe nuk qëndronte dot në këmbë. E shtroi në dhomën tonë. Ne nuk e përdornim se as kohë kishim, e as të rrihej në dyshekun në dyshemenë që dridhej nga shpërthimet e obuzëve shumë afër, gjithë natën. Në mur i vura gozhdën ku do i varej terapia, e lamë e pastruam e dezinfektuam dhe i veshëm rrobat tona. Leka e mjekonte dhe vetë flinte në këmbë te dera. Quhej Enver dhe ishte nga Prishtina. Shpesh na thirrnin natën vonë, doktorin të mjekonte të plagosurit, të sëmurët. Kur një natë na thirrën se duhej rregulluar një trim, që kishte arritur i vdekur nga plagët e marra, e përtej tyre serbët e kishin tërhequr të lidhur pas tankut. Tani trupi i tij i duhej dorëzuar nënës. Leka ma kurseu tmerrin e më la të pres jashtë...
Kaluan edhe nja 10 vjet të tjera e puna e solli fatmirësisht të shkoja më në fund në Kosovë. Qe një “déjà vu” e një ëndrre të vjetër. Ishte e lumtur, e lirë, e bukur dhe e imja. Vërtet lëndinat ishin me shtojzovalle.
Megjithatë kishte edhe korba që më bezdisnin mëngjeseve. Nuk vonova shumë të kuptoja se tmerri i madh i luftës, jo vetëm që nuk ishte menaxhuar mirë, por kishte lënë pasoja të rënda. Politikanët e Kosovës ngjasonin aq shumë me të Shqipërisë, në mediokritetin e tyre. I kishin zënë karriget dhe nuk lëshonin as një grimë për të rinjtë, e kishin fshirë memorjen historike, akoma pa i rivarrosur trimat. Në bashkëpunim me të huajt i kishin hequr forcën popullit, e kishin trullosur dhe fshehur lirinë me iluzionin e një shteti të ri, të  një  Europe pa kufinj, por vetëm e vërteta dhe drejtësia janë  pa kufinj.
Pas lufte unë e imagjinoja ndryshe, unë e desha ndryshe. Por ata burrat trima që ishin të zotë të vdisnin për Kosovën, mbase nuk lanë mbrapa burra të aftë që ta qeverisnin atë në  lartësinë  e duhur. Unë desha referendum që populli ynë të bashkohej, të bëhej një i vetëm. Askush nuk e ndalon dot një popull të bëjë referendum e të bashkohet, as e drejta juridike ndërkombëtare. E kujtoja këtë bisedë, por Enverin nuk e gjeta në Prishtinë.   

Profesionistët e mashtrimit


Profesionistët e mashtrimit
            Nga Erion Hiluku
             
            Për mashtrimin e brendshëm në biznes nuk flitet shumë, por që shkakton humbje milionare kjo dihet. Përvetësimi (dikur quhej thjesht vjedhje) i të mirave materiale ndodh pa dyshim gjithandej, por në vendin tonë është një fenomen aq i gjerë saqë ndonjë i huaj mund të thoshte:  “është pjesë e kulturës”. Të zhvatësh mallin e punës private ose të shtetit, është e njëjta gjë si të vjedhësh veten, nëse jo, atë  e gëzon edhe familja jote.    
Shkaku i këtij shkrimi u bë një përshëndetje nga profesori im i Fakultetit të Ekonomisë në Madrid, ku për një studim ishte marrë si shembull: “Kompania, “Generalis T” deklaron falimentin e degës së saj në Shqipëri. Njëkohësisht deklaron se humbje të mëdha janë shkaktuar nga abuzimet me blerjet, shpenzimet me naftë, energji, telefona, vjedhje të lëndës së parë, bakër dhe materiale të tjera si edhe transporte. Shumë punonjës akuzohen të kenë përvetësuar materiale të ndryshme dhe të tjerët se kanë bashkëpunuar qoftë edhe me heshtjen e tyre”.   
            Konsumi jo i duhur i materialeve të shërbimit, përdorimi i telefonave të firmës, përdorimi i makinës për qëllime personale, marrja e materialeve, qoftë edhe e një lapsi, mbase nuk janë një dëm i madh, por padyshim janë një ves i keq që do të shtohet në sasi dhe në numrin e personave që e fitojnë, ndaj duhet ndaluar rreptësisht. Ky është hajduti i vogël i kategorisë së parë, i cili harxhon letër pa fund dhe merr gjëra që nuk bien në sy. Këtë e dallon kollaj, se kur e vëren ose edhe i thua me mirësjelle, ai shprehet se nuk po bën ndonjë të keqe. Është pafytyrësi.
Pastaj duke u rënduar nuk është vetëm ai që vjedh dy stilolapsa, por që vjedh direkt produktet e firmës. Ky është vrasësi, madje mund të jua shesë produktin të tretëve. Ky shpesh është i dëshpëruari i cili ka nevojë urgjente për lekë. Ai përvetëson gjëra sa herë i del rasti, e krijon rastin, i duhen lekë të shpejta. Është i babëzitur dhe nuk ka ndërgjegje. Mund të ketë probleme me lojën, me drogën, do të duket “maҫo” para ndonjë femre. Ky është një i paaftë që kapet lehtë se lë gjurmë si ujku në dëborë.
Fryrja e shpenzimeve është sporti tjetër i preferuar i hajdutëve profesionistë dhe me blerjet fiktive arrin kulmin i zanatit. Ka dy mënyra kryesisht: ose një përgjegjës departamenti realizon blerje dhe pastaj i justifikon si shpenzime, dhe tjetra kur një përgjegjës me të drejtë blerjeje bie dakort me ofruesin për të faturuar një produkt me ҫmim më të lartë. Madje bien dakort për të blerë një produkt që nuk ekziston duke shkëmbyer komisione e favore. Ky mundësisht është i zgjuari që mashtron njëkohësisht kolegët dhe biznesin. Studimet e fundit tregojnë se dëmi më i madh në biznes është shkaktuar nga njerëz të respektuar brenda organizatës. Zakonisht njerëz me përgjegjësi të mesme të cilët gëzojnë besimin e superiorëve të tyre, ndaj duke qenë edhe jashtë dyshimit vonojnë të kapen, sidomos nëse kanë zhvilluar ndonjë sistem me bashkëpunëtorë. Ky fenomen mbikëqyret nga nivele të ndryshëm kontrolli dhe grupe pune në të gjithë bizneset serioze përfshi edhe në zyrat shtetërore.
Nuk egziston një sistem i sigurtë kontrolli kundër mashtruesve, por padyshim që të apelosh në ndërgjegjen dhe moralin e njerëzve nuk mjafton. Të gjithë punonjësit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për punën e tyre, të ndjejnë përgjegjësi për të, të përgjigjen për të. Ata duhet të ndjehen dhe të bëhen pjesë e ekipit. Mjeshtri i madh i bizneseve Steve Jobs la të thënë: “të mos flasim për produktin tonë si më i miri, por për personat që janë pjesë e tij”.   

Varfëria jonë polifacetike


Varfëria jonë polifacetike
www.javanews.al             Nga Erion Hiluku
Me buzëqeshjet e ngrira, ndoshta thjesht nga i ftohti, qytetarët shqiptarë urojnë gëzuar, në televizionet që transmetojnë ambjentin mesjetar të festave në Tiranë. Më të lumturit me gjel deti në dorë, më të trishtuarit me gjelin në tokë që nuk e shesin dot. Për këdo shqiptar kjo është një panoramë e trishtuar dhe historike. Madje një qytetar shtoi për kënaqësi të shikuesve: Kemi blerë edhe portokalle. Të gjithë këta njerëz që enden pazareve e rrugëve thellë në vetvete luten që të mos ju ndodhë ndonjë fatkeqësi, apo keqkuptim që t’i hedhë në dyert e policicë, të gjykatës apo të spitalit, dhe ky është një moment kur më besimtar është qytetari shqiptar, se vetëm Zotin ka.             
Ne kemi hyrë thellë tashmë në të gjitha qarqet vicioze të një varfërie sistematike, jemi bërë objekt studimi për universitetet dhe për organizatat e huaja. Nga Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut derivon: Të drejtat themelore të qenieve njerëzore janë politike, juridike, ekonomike, sociale dhe intelektuale. Megjithë super studimet e OKB dhe agjensive të saj në Shqipëri, megjithëse kemi edhe një ambasador atje, që voton, shumica e shqiptarëve që është edhe e varfër, nuk ka as: shëndet, ushqim, shkollim cilësor bazë, sigurime, akses në teknologji, ambient stabil dhe të pastër, emancipim personal, komunikim dhe forcim të bashkësisë për të garantuar një pjesëmarrje afektive në botë.
            Që të kemi të gjithë kornizën e varfërisë të panoramizuar vërejmë se vetë agjensitë ndërkombëtare madje edhe qeveria shqiptare kanë arritur në konkluzionin se varfëria jonë po gjeneron edhe më shumë varfëri falë administrimit të korruptuar, mungesës së dinjitetit dhe patriotizmit e falë bashkëpunimit të shkëlqyer të agjensive ndërkombëtare e firmave të huaja prestigjioze që shfrytëzojnë pasuritë tona kombëtare. Ja sesi një vend i pasur në naftë paguan me varfëri ҫmimin e saj më të lartë në Evropë. Potenca e pestë botërore në prodhimin e kromit, me super pasuri bakri dhe prodhim energjie elektrike me “rrjedhje të lirë” e paguan shtrenjtë si pak kush në BE. Ndërkohë që bëjmë marrëveshje me fqinjët e rehatuar për kufijtë e varrezat, ndërkohë që studenti shqiptar duhet të vendosë ndërmjet byrekut dhe librit, gjykatës, prokurorë, policë e nëpunës deri në fund të administratës i ekzekutojnë ligjet sipas nevojave personale dhe me ankand sikush paguan më shumë. Për ta rrumbullakosur diku një e treta e deputetëve dhe politikanëve janë edhe biznesmenë e ortakë që i promovojnë ligjet sipas interesave respektive.
            E gjithë kjo që është rrënqethëse, e pështirë, nuk është më e keqja. Më e tmerrshmja është që pjesa tjetër e shoqërisë ju kemi kthyer shpinën më të varfërve. S’ka shumë që kishim ngjashmëri, solidaritet e interes. Tashmë kush mundet e kush kujton se mundet fluturon mbi ta, e kush shkel e kalon sipër tyre. Të varfërit janë të bezdishmëm. Madje seҫ është përhapur një ndjesi me këmbënguljen e politikës se ata janë vetë përgjegjës për varfërinë e tyre, ata nuk duan të dalin nga hallet e tyre. Nëse janë të varfër të sillen si të tillë e t’i lënë llafet, nëse janë të varfër le të jenë profesionistë. Të mos ja lejojnë vetes as një fije gëzimi. Nëse një i varfër nuk ka për të paguar dritat, të mos guxojë të festojë, të mos guxojë të ju blejë fëmijëve as një fetë bakllavaje le më këpucë të reja megjithëse mund të ketë vite në atë situatë dhe ka nevojë për një buzagaz. Nëse je i varfër nuk ke pse shkon të pish kafe në ndonjë lokal madje mos e pi as në shtëpinë tënde pa ngrohje. Të vuajnë në mizerjen migjeniane me kohë të plotë dhe të paguajnë varfërinë e tyre. Të shohim nëse dy të tretat e shqiptarëve i hapin sytë e mësojnë më në fund të sillen si profesionistë.
Ndërkohë Banka Botërore mund të thotë se ekonomia jonë do të rritet, duke ëndërruar, edhe në Shqipëri, botën e saj pa të varfër, siҫ shkruan pllaka e gurit në selinë e saj qëndrore në Washington dhe qeveria të vazhdojë të predikojë nëpër Evropë se, “ne jemi vendi i së ardhmes”... përgjithmonë. 


Punë uji
www.javanews.al  Nga Erion Hiluku
            Me delikatesën e duhur, një prej televizioneve kombëtare raporton për ndotjen e akullit në lokalet e Tiranës. Edhe më i kujdesshëm është mjeku i intervistuar, -nja dy a tre vetë janë diagnostikuar me Hepatit A. Nja dy – tre? Me shumë mundësi nga akulli i cili bëhet me ujin e rrjetit. Me shumë kujdes që të gjithë, se mos përhapet panik apo ndoshta se mos përmendet, ujësjellësi, bashkia apo ndonjë agjenci shtetërore. Përgjegjësi? Nuk po i përmend as unë, diku i mbetet hatri një mikut tim që vdes për bashkinë e Tiranës, apo një shoku që punon në ujësjellësin e saj. Janë të gjithë shumë të ndjeshëm këto kohët e fundit. Punë uji, ҫ’rëndësi ka?  Ҫke ti? Merremi ne me atë punë, ka profesionistë... se të gjithë shqiptarët kanë opinion për gjithҫka. Vërtet është o shoku im, se me ju jemi rehat. Fundja dilema në Tiranë është: Perrier apo Aqua Panna?

            Që duart i lan (nëse) në rrubinet, sallatën po aty  besoj s’ka rëndësi. Fëmijët do lajnë dhëmbët në rrubinet pas darke. Hepatiti A,  -pa merak pra, vetëm në akull qenka i pranishëm.  Për pacientë me diarre? Nuk po flas për gjëra vulgare në një shkrim elegant. Me kujdesin e duhur mbaron lajmi pa pyetur se mos në spital janë shtruar pacientë me sëmundje të tjera që transmetohen nga uji ynë i pijshëm, lehtësisht  i ndotur. Zot na ruaj se mos na është prekur ndonjë turist i huaj. Se uji është bela e dashur, se kërkon e të dalin njerëz (shqiptarë që pinë uji rrubineti) me Disenteria Amebiana (ekzotike fare), Febre Tifoidea (ҫfarë ideje), Kolera (google), Askaradiasis (duket nga emri), Leptospirosis (nga minjtë parlamentit, godina e vjetër), Drakunkuliasis (dihet kjo), për parazitët intestinalë nuk po them gjë.  

            Mirë që turistët vijnë të paralajmëruar: Mos pini uji rrubineti në Shqipëri! Aq të shqetësuar për turizmin jemi, saqë nuk e di si do ja dalim për të iu siguruar 450 litra ujë në ditë, se kaq konsumon një turist për të qenë në lartësinë e duhur, dhe është dyfish me ujin që konsumon një qytetar i thjeshtë i BE.  Nëse ndonjë nga kryebashkiakët nuk e di: Zotërinj, ne nuk kemi ujë të pijshëm në shtëpi! Një dhuratë nga natyra e shkuar dëm, gjithë popujt e Evropës munden të pijnë ujë rrubineti. Ujin e mineral  natyral, ne thjesht e përdorim për të vënë në punë hidrocentralet.  


Ligjërisht me pushime


Ligjërisht me pushime
Per javanews.al 
Erion Hiluku
Ma kujtuan lajmet e darkës: Politikanët me pushime. Padyshim, gjithë shqiptarët janë të shqetësuar për këtë “punë”. Pushime për ata që kanë më shumë nevojë, që të relaksohen ata që s’kanë pushuar një ҫast gjithë vitin në shërbimin tonë. Me sytë në gjysmë të faqes, me krahët e varur, me dhimbje nga bursiti e kokën mënjanë, të këputur nga pagjumësia, e ndokush edhe me gjunjët copë nga orët e gjata të lutjes, më në fund do të pushojnë në paqe.  
Pas sfilitjes së mijëra orëve pune duke administruar burimet, pasuritë dhe taksat tona, duke mos i zënë gjumi për sigurinë tonë, disa nga politikanët tanë kanë vendosur të marrin “pushimet e merituara”. Më në fund erdhi momenti i dëshiruar, të shkëputen nga rutina dhe stresi i përditshëm, erdhi ora e madhe e pushimit dhe falenderimit të Zotit për këtë vit me punë e suksese. Ky është mendimi i disa prej mendjeve të mëdha të politikës shqiptare, i meritojmë disa momente lumturie, ca ҫaste javore të paktën, larg Tiranës dhe larg kolegëve tanë toksikë.
Ndryshe nga shumica e shqiptarëve, politikanët tanë do të jenë larg miqve të tyre vetëm gjatë pushimeve. Disa prej tyre nuk harrojnë të marrin me vete makinat zyrtare e të hapin rrugën me sirena se policët me uniformat e djegura nuk do bezdisen prej tyre. Shumë prej tyre në fakt janë duke promovuar turizmin me foto në rrjete sociale. Dallohet qartë natyra e qetë, infrastruktura e siguria në rrugë, uji i pastër dhe ambjenti festiv gjithandej nëpër Shqipëri. Po të mos shkonin nëpër resorte apo në vilat e tyre të shpërndara bregdetit e alpeve, mijëra qytetarë do të afroheshin të ju paguanin kafen e mëngjesit, qindra prej tyre drekën, madje ndonjëri mund t’i ftonte edhe për darkë.    
Ligjërisht nuk ka problem që ta kalojnë sa më mirë me pushime, por në Shqipëri ligji dhe etika nuk shkojnë dorë për dore. Disa prej politikanëve tanë meritojnë më shumë pushime se një fëmijë në fillore.  
Pushime të këndshme, dhe mos harroni kur të ktheheni se: Askush nuk ka nevojë për më shumë pushime se ai që sapo i ka mbaruar.   

Përkujdesja e të moshuarve gjatë verës


Përkujdesja e të moshuarve gjatë verës
Gazeta SHEKULLI
Erion Hiluku
Vapa e madhe mund të ketë efekte të dëmshme në shëndetin e personave, veҫanërisht te të sëmurët kronikë, fëmijët dhe padyshim tek të moshuarit. Plakja është një proces i natyrshëm kundrejt të cilit nuk mund të bëhet gjë, prandaj përqendrohemi te parandalimi.
            Një nga “armiqtë” e verës për të moshuarin është dielli, goditja direkte e të cilit shkakton fillimin e një procesi të quajtur dermoporozë. E njëjta gjë që ndodh me kockën (osteoporoza), me muskulin (sarkopenia) ndodh edhe me lëkurën e cila shkon duke humbur forcën dhe trashësinë nga efekti i rrezeve ultravioletë. Ky efekt ndodh tek të gjithë të moshuarit por veҫanërisht tek personat me diabet. Humbja e karakteristikave mbrojtëse të lëkurës bën që ajo të humbë efektin e saj p.sh. kundër infeksioneve.
Ekspozimi në diell shkakton edhe një dëmtim tjetër të madh: dehidratimin (humbja e ujit). Shkaku është vetë procesi i plakjes: te i moshuari sinjali që ka nevojë të pijë ujë është i vonuar ose mund të mos shfaqet fare  (dehidratimi në vendet e BE është shkaku i 1 në 5 vizita në spital). Prandaj rekomandohet me këmbëngulje që të shtohen gjysëm litre lëngje dietës normale për të evituar shumë probleme (të konsumohen afërsisht një litër e gjysmë ujë në ditë). Nuk është e nevojshme që të jetë vetëm ujë, më mirë madje të arrihen me konsumin e frutave, perimeve të stinës, supëra të ftohta etj. Sigurisht që për të moshuarit e sëmurë me infeksione, që kanë vështirësi për të lëvizuar dhe që konsumojnë diuretikë duhet patur kujdes i veҫantë dhe duhen konsultuar mjekët.  Sintomat që mund të tregojnë dehidratimin, janë: ulja e aktivitetit, lodhja, goja e thatë, dhimbje koke, rrëzime dhe probleme të sjelljes kryesisht.
Disa rekomandime për t’u mbrojtur të moshuarit nga dielli e vapa:
Ø  Mos dilni nga shtëpia në orët e vapës së madhe, nga ora 12:00 deri nga ora 18:00.
Ø  Mos u sforconi, mos u lodhni kur bën shumë vapë.
Ø  Mbani kapele kur të dilni, përdorni krem dielli, vishni rroba pambuku të freskëta dhe me ngjyrë të hapur.
Ø  Mbyllni grilat dhe dritaret e ekspozuara në diell.
Ø  Freskohuni. Pini ujë vazhdimisht edhe pa patur etje. Bëni dush shpesh dhe përdorni garza të lagura.
Ø  Mos pini pije alkolike dhe pije me kafeinë.
Ø  Qëndroni në shtëpi në dhomën më të freskët. Temperatura ideale e ambientit  duhet të jetë 25 gradë, për ҫdo gradë mbi 37 gradët rekomandohet të shtohet një gotë ujë në konsum.
Ø  Nëse në shtëpinë tuaj nuk keni kondicioner, shkoni e kaloni të paktën dy ose tre orë në ditë në një qendër të kondicionuar sa më afër shtëpisë (qendër tregtare, bibliotekë, lokal...).
Ø  Për personat e moshuar që jetojnë vetëm është e domosdoshme një vëmendje e veҫantë. Duhen kontaktuar shpesh, vizituar nga familjarët dhe nga shërbimet sociale dhe shëndetësore. Të ju kontrollohen frigoriferët që të punojnë mirë dhe të pajisen me ujë e fruta e perime  të stinës. Jepuni të pinë ujë edhe nëse nuk e kërkojnë. Më thjeshtë është të iu përgatiten limonata alkaline sipas formulës së vjetër: dy limonë, një litër e gjysëm ujë dhe tre lugë sheqer, pak kripë dhe pak sodë bikarbonate. Mos i lejoni të iu mungojë një shalqi a një pjepër që janë të rekomanduar me këmbëngulje.
Ø  Duhen kontrolluar veҫanërisht të moshuarit me diabet dhe në rast problemi të drejtoheni menjëherë te mjeku që të stabilizohen. Padyshim që tensioni arterial  duhet matur vazhdimisht pasi shume të moshuar marrin barna për stabilizimin e tij dhe terapitë duhen modifikuar në këtë periudhë.
Këto rekomandime mund të jenë të vlefshme për personat mbi 60 vjeҫ moshë në të cilën trupi fillon të humbë kapacitetin për të ndjerë etjen, prandaj është e nevojshme t’i paraprijmw nevojave të tij duke mos pritur etjen por duke konsumuar ujë dhe lëngje më shpesh.
Nëse nuk ndjeheni mirë kërkoni ndihmë dhe informacion, konsultoni mjekun tuaj, madje mos dyshoni të telefononi numrin 112.

Të edukosh sot


Të edukosh sot
Nga Erion Hiluku
Dedikuar mikut tim Skënder Meshaj
Padyshim që edukimi është një problem global nëse dëshiron ta shohësh kështu, por në fakt është një problem personal. Të edukosh është ta bësh dikë njeri duke e joshur me magjinë e shembullit. Për të qenë i saktë që në etimologjinë e fjalës, ajo ka dy kuptime: educare që në latinisht d.m.th. të nxjerrësh diҫka jashtë, dhe educere e cila në latinishten moderne d.m.th. të shoqërosh. Prandaj të edukosh është të entuziazmosh me vlera. Sipas psikiatrit të famshëm bashkëkohor, Dr Rojas: shoqëria kupton për edukim disa norma sjelljeje urbane. Por edukimi shkon shumë përtej kësaj. Edukimi është njohja dhe përdorimi i etikës dhe i estetikës, ku etika është arti i përdorimit me korrektësi të lirisë, ndërsa estetika është aftësia për të zbuluar bukurinë që na rrethon.
            Kudo që ta dërgoni për të studjuar fëmijën tuaj, mos harroni se vlerat humaniste ai do t’i marrë në familje. Tradicionalisht, pse jo tani, burimi i parë i një edukimi të mirë është familja. Mos të pretendojë njeri më kot që fëmijët tanë të bëjnë atë që ne nuk bëjmë. Një fjalë e urtë thotë: një babë i mirë vlen më shumë se njëqind mësues. Për nënën është pak të them se është si një universitet në kushtet e shtëpisë.  Edhe nga pikëpamja e shkencave psikologjike, modelet e para të identitetit janë prindërit. Ata me sjelljen e tyre, me shembullin, do të mësojnë fëmijën, dhe asnjëherë nuk është vonë, për ҫka është e mirë dhe e keqe, si të përballojë problemet dhe vështirësitë dhe si të zgjedhë modele të shëndetshme, shembuj jete atraktivë dhe të ndershëm të cilët do t’i japin një drejtim pozitiv. Do të jenë prindërit përgjegjës që të zbulojnë talentin e fëmijës, t’a orientojnë drejt asaj që ka tendencë dhe vlen, duke shtuar dhe hequr mundësitë që shfaqen me realizëm dhe iluzion. Triumfuesit do të jenë ata që e dashurojnë punën e tyre, dhe kjo është ҫështja e parë madhore e ekzistencës.
            Unë nuk pretendoj të mësoj njeri, mundohem të mësoj vetë me realizëm dhe motivim. Mësuesi sovran është sot në ambjent dhe na bombardon papushim me modele e informacion pa fund, ndaj duhet të jemi të përgatitur mirë për të dalluar esencialen. Informacion është të dish ҫfarë po ndodh gjithë kohën, gjë që është shumë por që ka pak rëndësi, ndërsa formimi është të paturit e kriterit të sjelljes. Kështu mund të kemi shumë njerëz të informuar por jo të formuar. Edukimi i inteligjencës d.m.th. të mësosh të dallosh sipërfaqësoren nga themelorja. Eshtë kapaciteti i sintezës. Duhen mësuar njerëzit të mendojnë që të vegjël (edhe kjo mësohet në shtëpi), të kenë shpirt kritik dhe të formulojnë argumente që mbrojnë idetë e tyre. Në vazhdimësi inteligjenca ushqehet nga leximi, po. Promovimi i këtij zakoni është shumë i rëndësimshëm. Për të gjithë është e vështirë sot të lexojmë, se jemi në epokën e imazhit, por ja vlen ta marrim mundimin. Kurioziteti është tjetër përbërës esencial, duke qenë leximi për inteligjencën si ushtrimi fizik për trupin.
             Me pak që të vëzhgoni, do të vëreni shumë njerëz të shpërqëndruar në ҫështje themelore, dhe nuk e kam fjalën vetëm për muhabete sipërfaqësore e rrjete sociale, por për ҫështje jetësore: Ai që nuk di se ҫfarë do nuk mund të jetë i lumtur. Ata nuk e fshehin dot melankolinë që më së shpeshti i paraprin stresit dhe depresionit. Ne jetojmë dhe banojmë në personalitetin tonë, më së pari. Të qenët një person i pjekur, i matur, i ekuilibruar, i qetë dhe i edukuar kërkon një punë papushim për të limuar, pastruar dhe eliminuar atë që nuk është e mirë dhe pozitive. Mund të ikësh nga Shqipëria, por nuk mund të ikësh nga vetvetja. Vullneti është ҫelësi i suksesit, shpeshherë më i vyer se inteligjenca. Duhet edukuar që herët vullneti i fëmijës, dhe në vazhdimësi i rritur do t’i duhet të vazhdojë të sforcohet dhe të planifikojë e arsyetojë me këmbëngulje. “Tue u tall e tue pritue, Kurrgjë send nuk qitet në dritë”, thotë Mjeda i madh.
Është e domosdoshme të ju edukohet dhe zbulohet kuptimi i jetës, duke iu dhënë përgjigje pyetjeve të mëdha: nga vijmë, ku shkojmë, ҫfarë është dashuria e dhimbja? “E bukur, e qetë, e shenjta jetë...”, këndon humanisti Leonik Tomeo. Kjo është edukimi dhe kultura. Të edukosh d.m.th. të mësosh të mendosh. Të edukosh në dashuri dhe në punë sepse këto të dyja së bashku janë themelet e lumturisë. Kultura është të mësosh të jetosh. Kultura  është të kthesh ҫdo gjë që bën në një vepër arti. Pastaj kultura të bën të lirë, të jep krahë e të ngre të shohësh realitetin nga një perspektivë superiore.