Tuesday, June 7, 2016

Parandalimi i rrezikut kardiovaskular dhe rehabilitimi kardiak.

Parandalimi i rrezikut kardiovaskular dhe rehabilitimi kardiak.
                Parandalimi i sëmundjeve kardiovaskulare vazhdon të jetë një nga aspektet më të rëndësishme, mbase më i rëndësishmi, i kardiologjisë moderne. Megjithëse me kalimin e viteve vendet e zhvilluara kanë arritur të parandalojnë disa kardiopati, si ato me origjinë reumatike, sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i vdekshmërisë patologjike. Në SHBA janë përgjegjëse për 50% të vdekjeve. Millona persona në botë kanë një infarkt miokardi ҫdo vit dhe afërsisht një e treta e tyre kanë një fund fatal. Ata që mbijetojnë kanë një rrezik vdekshmërie 2 deri në 9 herë më të lartë se popullsia në përgjithësi. Gjatë vitit të parë pas një infarkti miokardi vdesin 27% e meshkujve dhe 44% e femrave. 
            Kanë kaluar më se 50 vjet që nga publikimi i parë i Organizatës Botërore të Shëndetit, për përfshirjen e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare në programe rehabilitimi. Objektivi kryesor i rehabilitimit kardiak është rritja e cilësisë së jetës së të sëmurit dhe përmirësimi i prognozës. Për këtë është e nevojshme puna e koordinuar e disa specialiteteve mjekësore dhe mbështetja e institucioneve shëndetësore me politikat e duhura. Studime shumëvjeҫare mbi rehabilitimin kardiak kanë demostruar statistika domethënëse në uljen e vdekshmërisë së pacientëve dhe rentabilitet në shpenzime shëndetësore.
Megjithë rezultatet e shkëlqyera të rehabilitimit kardiak në nivel botëror, në Shqipëri ka një zhvillim fillestar dhe gati eksperimental. Kryesisht sepse kemi një mungesë të theksuar infrastrukture dhe personeli të kualifikuar, shto kësaj edhe shkaqe të tjera në varësi të analizës së shërbimeve publike dhe private. Teorikisht shtrirja e qendrave shëndetësore në të gjithë territorin e Shqipërisë, spitaleve, stadiumeve dhe klubeve sportive publike në qytete bën të mundur rehabilitim kardiak në nivel kombëtar, por vetëm teorikisht.  Përballë tyre është realiteti me indiferencën e plotë të institucioneve përkatëse. Mungesa e interesit nga kardiologët dhe këmbëngulja për protagonizëm e disa profesionistëve të tjerë që pretendojnë të marrin përsipër funksione për të cilat nuk janë të përgatitur e bëjnë të pamundur koordinimin e mjekësisë dhe fizioterapistëve të specializuar. Mjekësia private mban një qëndrim më pozitiv duke ndjekur shembullin e shërbimeve shëndetësore SHBA (p.sh. Centers for Medicare) me indikime në rritje për rehabilitim të këtyre pacientëve, por pamjaftueshmëria e mbulimit të siguracioneve private dhe shtetërore e lënë të cunguar edhe atë.
Programet e rehabilitimit kardiak (PRK) indikohen në pacientë me kardiopati të ndryshme, pacientë që i kanë mbijetuar infarkteve të miokardit, pacientë që iu janë nënshtruar ndërhyrjeve të ndryshme rivaskularizimi, pacientë me transplant kardiak, atyre që kanë bërë kirurgji valvulare, miokardiopatikëve, pacientë me aritmi, me pacemaker, me pamjaftueshmëri kardiake dhe ҫdo ditë e më shumë edhe pacientëve pa evidencë klinike të sëmundjeve koronare me qëllim parandalimin e tyre. Kjo panoramë iu ofron mundësinë e përmirësimit dhe rehabilitimit mijëra kandidatëve edhe në vendin tonë. Për të arritur rezultatet e dëshiruara duhen formuar ekipe të përbërë minimalisht nga mjekë kardiologë ose mjekë specialistë në rehabilitim kardiak, fizioterapistë të specializuar, infermjerë dhe psikologë. Është e rëndësishme po ashtu të kontrollohen faktorët e rrezikut si dislipedimia, hipertensioni arterial, duhanpirja, pesha dhe stresi. Përpara fillimit të rehabilitimit mjeku specialist duhet të vlerësojë rreziqet e pacientit dhe të përshkruajë intensitetin fillestar të ushtrimeve bazuar te prova ergometrike, e domosdoshme në ҫdo rast. Padyshim që duhen vlerësuar edhe karakteristika të tjera, si mosha, gjinia, aktiviteti fizik i zakonshëm, integriteti dhe kapaciteti muskuloskeletik dhe probleme të tjera shëndetësore.
   Vlerësimi i rrezikut kardiovaskular, është një hap tjetër i rëndësishëm që duhet marrë me urgjencë për parandalimin e patologjive. Udhëzimet e Bashkimit Evropjan për parandalimin e këtyre sëmundjeve që nga viti 2003 propozojnë modelin SCORE (Systematic Coronary Risk Evaluation) për vlerësimin e rrezikut kardiovaskular i cili përdoret në vendet e jugut të Evropës. Por parandalimi fillon që në fëmijëri duke patur parasysh alarmin mbi problemet e ritmit kardiak shkaktuar nga kequshqyerja dhe inaktiviteti fizik. Në këtë drejtim mund të jetë i nevojshëm dizenjimi i një plani kombëtar për ushqimin korrekt, aktivitetin fizik dhe parandalimin e problemeve të peshës, drejtuar të gjithë qytetarëve, por veҫanërisht fëmijëve.
Rehabilitimi kardiak rekomandohet të realizohet nën mbikëqyrje profesionale, me PRK, me stërvitje aerobike dhe rezistencë, shtuar kësaj edhe aktivitete fizike në jetën e përditshme. Ky rehabilitim gjatë 2 deri në 6 muaj do të arrijë një rritje të konsumit maksimal të oksigjenit ndër 11 deri në 36% me përfitim më të madh tek pacientët në kushte më të vështira, gjë që do të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës dhe do të ndihmojë më të moshuarit të jenë më të pavarur. Përmirësimi i parametrave kardio-respiratorë asociohet me ulje domethënëse të vdekshmërisë.
Siguria e këtyre PRK të mbikëqyrur nga fizioterapistë të specializuar, në qendra me prani urgjence mjekësore të pajisura me kardio defribilatore e barna emergjence është tashmë e njohur dhe përshkrimi i rehabilitimit individual e perfeksionon atë. Rehabilitimi kardiak ka demostruar ngadalësimin dhe reduktimin e pjesshëm të progresionit të aterosklerozës nëpërmjet faktorëve që ndërhyjnë gjatë stërvitjes së monitoruar: përmirësim i funksionit endotelial nga prodhimi i oksidit nitrik, zvogëlim i proteinës C reaktive dhe markuesve të tjerë inflamatorë, reduktim i peshës, zvogëlim i presionit arterial dhe i përqendrimit të triglicerideve, rritje e përqendrimit të colesterolit HDL dhe përmirësim i sensibilitetit ndaj insulinës. Efekti antiiskemik, me uljen e rezistencave periferike dhe kërkesës miokardike për oksigjen, përmirësimi i fluksit koronar, përmirësimi i elasticitetit koronar, rritja e diametrit arterial dhe shtimi i densitetit kapilar janë vlera të mëdha pozitive te përfituara nga rehabilitimi kardiak. Edukimi, këshillimi dhe ndërhyrja psikosociale do të ndihmojnë pacientin për një përmirësim të mirëqenies psikologjike dhe përmirësim të adaptimit social. 
Fatkeqësisht në vendin tonë pak pacientë e kanë “luksin” e merituar të rehabilitimit kardiak.  Sfida e futjes së programeve të rehabilitimit në sistemin përkujdesjes shëndetësore është një urgjencë për autoritetet e Shëndetit Publik dhe për vetë qytetarët që të informohen e të përqafojnë mënyrat e reja të rehabilitimit dhe t’i kërkojnë ato si një e drejtë që iu përket. Vonesa e mbërritjes së shërbimeve të emergjencës me mangësitë e tyre jo vetëm teknike e boshllëqet  e tjera në hallkat e përkujdesjes së Shëndetit Publik e bejnë të domosdoshëm parandalimin e rrezikut kardiovaskular. Një strategji kombëtare mund të startojë me formimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e marrëdhënieve me pacientin. Nëpërmjet programeve të rehabilitimit kardiak të cilët kanë një kosto të ulët do të mund të evitojmë shpenzime me kosto shumë më të lartë në një të ardhme të afërt.
 Erion Hiluku