Wednesday, July 15, 2015

Asgjë për të humbur

Asgjë për të humbur
            Kadare, që rrallë herë gabon, tha nxitimthi para disa ditësh në një intervistë për një njeri të thjeshtë që merrte rrugët e emigrimit: -Ai nuk di ç’është shpresa, koncepti shpresë.
Shpresa mund të shihet si qëndrim, si ndjenjë, si virtyt ose si defekt, por pavarësisht domethënies që çdonjëri i jep, mund të thuhet se është pjesë e pandashme e natyrës njerëzore.  Për rrjedhojë mund të jetë e justifikueshme të flitet për trashëgiminë e shpresës madje edhe për gjenetikën e saj. Psikiatria gjenetike po thellon studimet në gjetjen e geneve që kodifikojnë shpresën, besimin, gjuhën, dashurinë, optimizmin si edhe sjellje të tjera njerëzore si vetëfajësimin, skizofreninë, depresionin, etj. Studjuesja jonë e njohur, Falanschi, na ka ofruar studime shkencore për gjuhën si pasuri gjenetike.  
Shpresa është guaska më rezistente e njeriut përgjatë jetës së tij dhe optimizmi guri i themelit të saj. Pra nuk ka shpresë pa optimizëm, duke nënkuptuar këtu se ekziston një e ardhme më e mirë se e tashmja. Gjeniu i fundit universal Leibniz, në filozofinë e tij, thotë se "kjo botë është më e mira e mundshme". Kur bota nuk mund të ndryshohet mund të ndryshohet gjendja personale. Optimizmi i vërtetë është domosdoshmërisht i lidhur me të ardhmen. Ky qëndrim e vendos personin në aventurën e të kërkuarit të një ardhmeje më të mirë prandaj me këtë shpresë fillon një aventurë e cila ka një objektiv.  Kështu elementi tjetër i shpresës është bindja se e ardhmja varet nga veprimi njerëzor. Nga  ana tjetër është e dukshme si nga pikpamja laike apo ajo teologjike se shpresa dhe optimizmi e kanë bazën e tyre në shpirtin e qenies njerëzore, dhe vërtet nuk janë e njëjta gjë, por varen nga njëra tjetra. Është e pamundur të jetojmë me shpresë duke qenë pesimistë. Në të kundërt një optimist të fundit humb shpresën.
Të zbresim tani me këmbë në truallin shqiptar duke lënë të hapur dritaren filozofike. Do të kisha dashur të bëja një studim të thellë dhe të prekshëm psikologjik mbi shpresën dhe optimizmin në shoqërinë tonë. Për momentin mund të bëj një përafrim studimi me ndihmën e teknologjisë. Gugëlloj fjalën shpresë e me dalin 840000 rezultate. Provoj me fjalen optmizëm dhe arrij në 420 000. Për t’i vënë kapakun, në vend të pesimizmit, provoj me shprehjen "nuk bëhet ky vend", e cila m’i vibron timpanët shpeshherë gjatë ditës,  dhe shikoj rezulatet katastrofike, 1 590 000. Kjo shprehje i dyfishon dy të parat në numrin e publikimeve apo të shkrimeve që e përmbajnë. Shpresa, për të cilën Aleksandër Dumas thoshte se është mjeku më i mirë, duket se në vendin tonë ka pak konsulta. Optimisti, nga ana tjetër, që sipas Chesterton, beson  në të tjerët, është një specie në zhdukje në vendin tonë. Në këtë mënyrë pesimizmi mosbesues i bie të jetë shtruar si smogu në Tiranë. Përtej aktualitetit duhet parë edhe historia jonë patjetër, ndikimi mbi evolucionin tonë shpirtëror dhe edukimi i brezave.
   Rezultatet e studimeve shkencore tregojnë se një e treta e qëndrimit përballë problemeve të jetës ka një shpjegim gjenetik. Aspekti tjetër është personaliteti ynë, mënyra jonë e të qënit, e cila varet kryesisht nga edukimi jonë, përjetimet dhe përvoja. 
Askush nuk mund të mohojë traumën shekullore të popullit tonë pas pesë shekujsh manipulime psikologjike e shkatërrimi të traditës dhe urtësisë, të dizenjuara e të ndjekura brez pas brezi nga ekspertë ushtarakë e politikë të paskrupullt me objektivin "përça e sundo". Ferrin pastaj për pesëdhjetë plus dhjetë vjet e dizenjuan tanët, se atë që të bën i joti nuk ta bën as Zoti.  Se sa mund të ndikojnë në gjenetikën e njeriut ose të një populli më shumë se pesë shekuj të pa ndriçuar këtë e lëmë të hapur për studime të mëtejshme.  
Sidoqoftë, ajo që na mbetet e ndryshueshme është edukimi. Ndryshimet dhe marrja seriozisht e edukimit janë hapi i parë për të patur shpresë, për të qenë optimist. Sot është gjithmonë akoma, thotë poeti i madh spanjoll, Machado. Ndërhyrja në sistemet tona edukative është urgjenca e vërtetë. Vendet me zhvillim më të shpejtë, me stabilitet më të madh, me lumturinë më të madhe, janë ata që kanë sistemet më të mira të edukimit, ata që investojnë më shumë në edukim. Asgjë tjetër nuk do ta bëjë më optimist njeriun e sotëm dhe të ardhshëm sesa përgatitja në lartësinë e kërkesave të kohës. Është në dorë të autoriteteve tona ndryshimi dhe rikuperimi i kohës së humbur. Vendosja në dizpozicion e mjeteve të nevojshme, njerëzve të duhur dhe të përgtitur, që të fillojë të edukohet edhe nga pikpamja njerëzore e psikologjike, që edukimi të jetë joshja e së bukurës, në mënyrë që njeriu të jetë i lirë. Që t’i ofrohet kultura dhe të mësohet të mendojë, që me anë të kulturës të mësohet të jetojë.
Ka padyshim një ndikim të madh në shpresën dhe optimizmin e një populli mënyra me të cilën qeveriset vendi.  Ka një shembull të bukur mbi administrimin optimist ose ndërmarrjen optimiste, të cilin e mora nga anëtari më ekselent i klubit botëror të optimistëve, Psikiatri i famshëm i New Yorkut, Dr. Rojas Marcos. Ndërmarrja optimiste, për rrjedhojë edhe qeveria optimiste, është ajo në të cilën punonjësit besojnë se puna e tyre është e domosdoshme për rezultatin. Janë organizata në të cilat punonjësi e ndjen se ajo që bën shërben për dicka. Si shembull ai citon kafenetë amerikane "Starbucks". Gëzimi dhe optimizimi i punonjësve të kësaj kompanie janë ngjitës, thotë, dhe nuk është se ata janë më të paguarit, por janë punonjës të përgatitur për punën që bëjnë dhe e ndjejnë se kanë kontrollin e asaj që po ndodh.
Për të përfunduar, pesimizmi është i mbivlerësuar në shoqërinë tonë ndërsa optimizmi mbetet karakteristikë e luftëtarit. Mundet që, me Konfucin, të jemi në pikën kur "është më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën".
Erion Hiluku

Tiranë, maj 2015. 
www.javanews.al

Tregtarët e Evropës

Java 4 korrik 2015

Tregtarët e Evropës

            Qumështorët përsëritin pa pushim se Evropa është bijë e filozofisë greke, e së drejtës romake dhe e besimit të krishterë; kur e vërteta tregon se është bijë e eliminimit të tyre. Kjo është Evropa e përkufizuar nga lapsi i mprehtë i Juan Manuel de Pradës.  Diku tani e tremijë vjet të shkuara duke filozofuar në biseda hyjnore, grekët e vjetër krijuan nga asgjëja edhe atë që sot njohim si "demokraci", e cila ka ardhur duke evoluar, rritur, shtuar e degjeneruar sipas nevojës së përdoruesve modernë.  Megjithatë Greqia është prapë në modë. Në mediat e shkruara e vizive dhe në rrjetet sociale bëhet nami për Greqinë. Në rrjetet sociale, shyqyr që i kemi se na shpëtuan, shprehen të palodhur nga smartfonët e tyre edhe krerët e Evropës e të bankave ndërkombëtare. Jashtëzakonisht të shqetësuar, nga hotele luksozë, shprehen si profetë duke parashikuar të zeza, të bardha e ylberë për popullin grek. Sigurisht që ky i fundit duhet të paguajë edhe faturat e hoteleve të tyre, udhëtimet me avjon dhe skortat e pafundme ndërkohë që i bëjnë derman. Të gjithë personazhet në skenën evropiane nxitojnë të bëhen protagonistë, qoftë edhe të një tragjedie. Ka vite që ndjekim këtë spektakël të improvizuar fijet e të cilit drejtohen jo nga një autor por nga vetë personazhet, natyrisht nga personazhet që kryesojnë Evropën dhe që kanë edhe topin e gjuajnë edhe penalltinë.  Shpeshherë spektatorët, si në veprat e Shakespeare, dinë gjëra për të cilat personazhet nuk kanë dijeni. Mbase edhe qeveritarët grekë, duke menduar se janë në një demokraci përtej asaj që imagjinonte Aristoteli, kërkuan të drejtën e rebelimit, kërkuan të drejtën e shtyrjes së afateve. Me kishën jemi ndeshur, i dashur Sancho. Ata do kenë lexuar Platonin e Aristotelin në dialogët e tyre por sigurtë që nuk e kanë lexuar Fishtën kur tregon për Evropën. Loja është e rëndë prandaj duhet luajtur tërhiq e mos e këput, dhe nëse Evropa e ngre zërin duhet ndenjur urtë e shtrënguar rripi e le të shkojë thika në ashtë, apo nuk shikoni sa mirë po i ecën Spanjës dhe Portugalisë kështu. Qeveritë e tyre rrinë urtë e butë e rritin taksa e shkurtojnë vende pune e ulin paga ndërkohë e lusin Zotin që popujt e tyre të mos rebelohen se sa për ato do paguhet harac gjithë jetën. Lojërat bankare të numrave me ulje e ngritje koeficentesh evropiane, bursa e luhatje të euros e të dollarit e të naftës bëjnë kërdinë me panik në popujt që janë pjesë e euro grupit pa ia prishur humorin ndonjë populli që është më shumë me një këmbë andej se këndej. Shpeshherë ato janë para virtuale të cilët popujt as që i kanë parë e lë më prekur, para që jepen me firmën e politikanëve dhe bankierëve, me përgjegjësinë virtuale të ofertave dhe përqindjeve, para që fluturojnë e zhduken nga të njëjtët autorë, por që pastaj duhen paguar nga gjaku dhe djersa e ballit e popujve.  
            Për një person që më shumë merret me filozofi se me ekonomi, por që jeton me këmbë në tokë, një nga manualet më të mira të së drejtës juridiko-ekonomike është padyshim vepra e Shakespeare: Tregëtari i Venecias. Kështu kjo vepër prekëse deri në lotë, gëzimi në fund, ngjan sot aktuale.  Aty janë Bassanio dhe miku i tij Antonio me anijet e mbytura, përballë afatit dhe borxhit, dhe nëse nuk e kthejnë borxhin në kohë banka ruan të drejtën e prerjes së një kileje mish nga trupi i Antonios, ku të dëshirojë bankieri Shylock. Natyrisht që nuk bëhet fjalë vetëm për para, por për vlera njerëzore, për trishtimin, vetminë dhe melankolinë, e në fund edhe për tradhëtinë dhe dashurinë. Dhe kjo vepër teatrale dihet si mbaron sepse Shakespeare nuk shkruante vetëm tragjedi, dhe se as bankieri nuk e kishte parashikuar të priste pa derdhur gjak.

            Për të përfunduar më duhet të kthehem në fund të fillimit, sepse gjithandej dëgjoj fjalën referendum. Ky, mbase pak i mbivlerësuar dhe i nxituar më kthen në fillimet e krishtera. Si dje me duket referendumi i organizuar shpejt e shpejt nga Pilati. I surprizuar nga vendimi popullor ai nuk arriti të lante mirë as duart, le më ndërgjegjen e tij.  Bëhuni gati pra se populli dikë do të kryqëzojë,  dhe nuk do të mjaftojë larja e duarve, sepse në hipokrizinë evropiane të gjithë e keni hedhur gurin e parë. 

Wednesday, June 10, 2015

Si budallai

Si budallai
www.javanews.al
www.revistajava.al

            Në mes të fushatave elektorale që prishin gjumin e popujve të Evropës këto muaj, britanikja e famshme "The Guardian" botonte para disa ditësh një studim më interesant se të dobishëm. Duke ngritur hipotezën se populli iu voton budallenjve, ofrohej një reportazh i gjerë dhe me demostrime nga vendi i tyre dhe të tjerë se si kjo ndodh vazhdimisht. Kohët e fundit patëm një idil politik me britanikët ose një "political love story", prandaj studimi mund të jetë kurioz edhe për ne.  Rezulton se paska disa mekanizma psikologjikë të cilët bëjnë të mundur që budallenjtë të qëndrojnë në pushtet. Ky do të ishte zbulimi i shekullit, mund edhe të meritonte çmimin Nobel në psikologji sikur politikanët të mos e kishin zbuluar dhe shfrytëzuar në sekret shumë përpara tyre. Nuk e di pse Akademia Suedeze nuk jep Nobel në psikologji as në politikë. Ata që i hynë politikës, me përvojën e duhur i zbulojnë këto sekrete falë kolegëve të tyre më të vjetër, mjafton të bëhesh anëtar i klubit dhe të gjitha dyert do të hapen.  E gjithë merita është te shtirja, te adaptimi, te të qënët kamaleon i situatës. Këtë politikanët e zotë e kanë të zhvilluar më shumë se nuhatjen. Nëse për të fituar simpatinë popullore duhet të shtiren si të varfër, ata janë gati të zbresin nga Mercedesi e pas dy minutash të këputin shpirtin sikur kanë bërë në këmbë e pa këpucë dhjetë kilometrat e fundit. Si të jetë vendi bëhet kuvendi, thotë populli ynë që këtë herë godet. Nëse duhet të duket si budalla qoftë edhe për solidaritet, politikani do të adaptojë një budallëpsje të ekzagjeruar, derisa të duket profesionist. Meqenëse kapaciteti i adaptimit demostron supremacinë e species dhe garanton mbijetesën e saj e lexova prapë reportazhin. Prisja që diku nga fundi të paktën të nxirrte ndonjë të dhënë mbi kleptomaninë që shpesh herë vuan kolektivi i politikanëve, por asnjë fjalë. Thua politikanët t’i kamelojnë edhe psikologët?  Është e vërtetë se prestigji i shumë politikanëve lë për të dëshiruar, por pa dyshim ata nuk janë budallenj.  Përkundrazi, po të ishin, të gjitha sistemet e qeverisjeve do të binin. Ata janë flaka e inteligjencës së kombeve, mënyra se si  qeverisin apo sesi i fitojnë votat është meritë e tyre. Dua të mendoj se të gjithë votuesit e dinë se nuk do t’iu ulen taksat, se nuk do të përmirësohen kushtet atmosferike  dhe se kostoja e jetesës vetëm do të rritet. Mjafton të shikosh grafikët e aq viteve sa mbani mend. Besimi i madh që politikanët frymëzojnë nëpër fushata e koncerte me sa duket iu prek telat njerëzve. Aty, vazhdon reportazhi me shkronja të vogla këtë here, me efektin Dunning-Kruger i cili tregon se personat më pak inteligjentë janë ata që kanë më shumë besim. Në këtë pikë, psikologët, të kujdesshmëm dhe politikisht korrekt, nuk e bëjnë fare lidhjen dhe as që e përmendin mundësinë se politikanët budallenj mund të jenë të votuar nga votues me karakteristika të ngjashme. Nietzsche, të cilin vështirë të gjendet psikolog ta sfidojë, thotë: Politika është fusha e punës së disa trurëve mediokër. Është e frikshme po ta shohësh me gjakftohtësinë mjekësore e pak zbutet nëse përfitojmë nga zgjuarsia e popullit tonë kur na kujton se, mos rrjedhtë, pikon.
Në këtë kornizë mund të kishim politikanin e rradhës përballë votuesit. I pari me zgjuarsinë e tij mediokre, është një dashnor i demokracisë, madje nuk mund të jetojë pa të.  Ai ka parimet e tij të cilat janë të ndryshueshëm totalisht, nëse nuk i pëlqejnë të dytit. Të dy bashkë ata mund të binin dakort për ligjin e divorcit ose t’a eliminonin fare martesën,  të kishin opinion të njëjtë për abortin dhe eutanazinë, për kufinjtë e kombit, e deri t’i shpallnin luftë ndonjë vendi fqinj në rast nevoje. I eksituar nga fushata, i pari mund të bëjë premtime fantastiko-shkencore. Mund të përkëdheli egon e të dytit, mund t’a çojë në një botë të bukur imagjinare, mund t’i premtojë seks të sigurtë, madje t’i japë kafe e cigare gjatë fushatës, apo t’i gjejë edhe një vend pune. Në fund të fundit kjo është e gjithë çështja. Të parët duhet të sigurojnë vazhdimësinë në punë të jeniçerëve të vjetër dhe të gjejnë ndonjë punë tek tuk për të rinjtë. Ndërkohë në sfond, politikanët e kaluar nga moda parashikojnë fat të zi për kombin dhe njëmijë të liga për votuesin në përgjithësi, duke rrezikuar seriozisht të bëhen profetë. 
            Duke u kthyer te reportazhi ynë na mbetet të qartësojmë budallain, në mijëra përkufizime të mundshme ku të gjithë i ngroh i njëjti diell zgjodha: Nuk ka budalla të mirë, thotë intelektuali i madh spanjoll Unamuno, dhe me këtë nuk i lë hapësirë manovrimi e as faljeje qoftë edhe nga injoranca as budallait më të zgjuar. Nëse marrim këtë lloj budallai njeri dhe e vendosim në studimin britanik që pretendon përmasa ndërkombëtare, na del se budallai, i aftë të identifikojë të ngjashmit e tij do të iu votojë atyre jo për të patur një të mirë më të madhe, por nga inati kundrejt më të zgjuarit. Preferon t’a qeverisin të tijtë, qofshin edhe budallenj. Në ligësinë e hipokrizisë së tij prej idioti mendon se është i çliruar nga çdo lloj përgjegjësie sepse në fund të fundit ai kaq di, kaq bën.  
Erion Hiluku

Tirane, maj 2015.

Thursday, May 28, 2015

Sindroma e të padukshmit

Sindroma e të padukshmit

            Papunësia është një nga problemet më serioze me të cilat përballet një shoqëri. Situata rëndohet më shumë nga faktorë të tjerë negativë socialë të instaluar më parë të cilët i varen si gurë në qafë një shoqërie që me zor mundohet të notojë në ujërat e trazuara ndërkombëtare.
Papunësi përkufizohet situata në të cilën një grup personash në moshë për të punuar dhe që aktualisht gjenden të gatshëm për punë, nuk kanë kufizime fizike dhe mendore për ta realiazuar atë, dhe që kanë kërkuar punë gjatë një periudhe të caktuar. Afërsisht ky është përkufizimi i pranuar gjerësisht nga vendet "e zhvilluara".
Efektet e papunësisë janë padyshim shkatërruese për ekonominë. Por përtej kësaj, efektet e saj negative mbi personin dhe familjen janë të papërmbajtshëm. Arsyetimi i të papunëve, përgjejgjës për ekonominë familjare, luhatet dalë nga dalë dhe stresi i hedh shpesh herë në krahët e alkoolit e të drogës. Papunësia ia shkatërron statusin social duke ulur edhe autostimën e tij. Nëse zgjat, kjo gjendje mund të shkaktojë probleme të tjera shëndetësore si depresioni dhe stresi e deri te infarkti i miokardit. Po studjohet kohët e fundit edhe lidhja e stresit me kancerin. Dëshpërimi i detyron njerëzit të vënë në dyshim dinjitetin e tyre. Në këtë shoqëri një i papunë nuk ka asnjë kuptim, nëse nuk prodhon nuk ekziston.  Në momente të caktuara historike dhe në nevojë ekstreme i  drejtoheshin familjarëve madje edhe fqinjëve. Por me sa duket përsa i përket egoizmit social dhe mungesës së solidaritetit kemi arritur standartet e shoqërive të zhvilluara. Dhe kështu kur askush s’të dëgjon e as të ndihmon,  i papuni vuan një sëmundje moderne e cila quhet "sindroma e të padukshmit". 
Vendet fqinje evropiane aktualisht e konsiderojnë papunësinë, më së paku, një dramë sociale. Për rrjedhojë ata dedikojnë burime të mëdha ekonomike e njerëzore për të radiografuar këtë problem nga pikëpamja sociale, ekonomike, psikologjike, shëndetësore, edukative, politike, kulturale e madje vëzhgojnë edhe mortalitetin e popullsisë në lidhje me rritjen e papunësisë.
Ndërkohë në vendin tonë të vogël e të varfër, ju kërkoj ndjesë për brutalitetin e të shprehurit me këtë fillim fjalie politikisht jokorrekt, mjafton të përdorim urtësinë e popullit tonë: fshati që duket s’do kallauz. Situata është më së paku, tragjike. Nuk ka vend për relativizim të problemit apo për penelata optimizmi nga ndonjë ambasador apo ministër në deklarata direkte nga sallat e hoteleve luksozë të Tiranës.  Në të njëjtën linjë pozojnë përkrah politikanëve, përfaqësuesit e institucioneve botërore dhe ndërkombëtare më prestigjoze, duke cituar investimet shumë milionëshe dhe arritjet e mëdha, por pa përmendur fare dështimin historik të njëzet e pesë viteve papunësie në rritje. Kujdes zotërinj, në të ardhmen këto foto mund të jenë dëshmi e një historie tragjike ku ju do të keni dhënë kontributin tuaj duke u bërë pjesë e asaj që quhet, korrupsion i organizuar.  Mbase përfaqësuesve të huaj apo ministrave tanë dikush duhet të iu kujtojë se "rritja" në këtë rast është negative. Nuk ka vend për buzëqeshje të grimuara zotërinj. Ajo që në vendet tuaja quhet "brain   waste" dhe që është situata në të cilën të rinjtë e papunë humbin motivimin për rendiment dhe ku njohuritë dhe aftësitë e tyre bien nga mungesa e përdorimit është realitet edhe këtu. Ajo që në vendet tuaja quhet "brain drain" dhe është humbja e kapitalit njerëzor, te ne është pika e fundit e gjakut të mbetur pas njëzet e pesë vitesh hemorragji. Po ikin edhe teknikët e fundit, inxhinierët dhe mjekët me lehtësira të veçanta këta të fundit, sigurisht. S’ka gjë se vendi ynë i varfër iu ka paguar studimet e gjata e të mundimshme për më shumë se njëzet e pesë vjet. Ky emigracion intelektualësh i inkurajuar (mjekët mirë se të vijnë, të tjerët jo) e redukton potencialisht rritjen ekonomike. Shteti humbet taksat kontributive, sigurimet shoqërore po ashtu dhe këto pasoja po i vuajmë qytetarët shqiptarë që tani. Nëse e kuptojnë qartë konceptin atëherë janë të ftuar të shpjegojnë masat e vërteta të marra ndër vite dhe ku kanë shkuar miljonat, sepse rezultatet e tyre janë katastrofike. Ndërkohë që këto para duhen kthyer një më një, apo jo, dhe po i kthejmë, se janë borxhe.

Fjalë pas fjale e ndjej se po shkruaj një histori të trishtuar, gri dhe me fund të pambaruar. Në mes të fushatës elektorale dëgjohen nga larg akoma premtime për vende të reja pune,  bashkë me premtimet "old style" si njëzet e katër orë ujë e drita apo asfaltime rrugësh, kësaj here të sigurta.  Askush nuk pretendon një zgjidhje magjike të një problemi me këto përmasa, por, minimalisht të ndiqen Udhëzimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Kjo do të ofronte një zgjidhje reale, sic është vërtetuar në vendet që i kanë ndjekur që nga 2012, vecanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka një rënie drastike të papunësisë. Fotot dhe videoklipet në mini industritë e periferisë nuk tregojnë zhvillim përtej asaj që vëzhgohet në fytyrat e skllavëruara të punonjësve të tyre. Dinjiteti njerëzor nuk është parashikuar në planet e evropianizimit. Megjithatë jemi të hapur për emigracion të organizuar: Mirëpresim punëtorë të specializuar nga BE me 150 euro në muaj, se nuk thonë kot italianët: gli negozzi si fanno in Albania. Ndërkohë ju lutemi të gjithë aktorëve që të mos këmbëngulin me përralla interneti e konkurse televizive të tipit: Mos ju besoni syve tuaj. Situata është dukshëm rëndë dhe historia e afërt mund të ju zbulojë pjesëmarrës të një "tragedy show" korruptiv me përmasa ndërkombëtare të tipit: Mos e beso po deshe.  
www.revistajava.al
http://www.javanews.al/sindroma-e-te-padukshmit/

Monday, May 18, 2015

Nëse nuk doni

Nëse nuk doni
16.05.2015.


Zonja dhe zotërinj, udhëtarë e turistë të botës: nëse nuk ju pëlqejnë kështjellat dhe kalatë, mos u dukni në Shqipëri. Nuk ka mundësi të kaloni pa ndeshur në ndonjë prej tyre ngado që t’i bini. Numri i tyre është i ekzagjeruar, gati cdo tridhjetë kilometra do të shihni ndonjë. Ngado që të hidhni sytë keni një kala. Ja provojeni në google earth: nga hyrjet e veriut do të përplaseni me kalanë e Shkodrës, vazhdoni dhe pa dalë nga Shkodra keni atë të Dejës, pak më në vazhdim të Lezhës e kështu me rradhë deri në Sarandë. Po hodhët një sy rreth aeroportit Nënë Tereza, se mos vini me avjon, pa dalë e shihni kalanë e Prezës. Përreth Tiranës keni edhe nja tre kala të tjera, plus edhe atë të vetë kryeqytetit. Të gjitha këto kanë dragonjtë, shtrigat, legjendat, heronjtë dhe historitë e tyre, po kjo nuk ka rëndësi. 
Pra nëse nuk ju pëlqen historia e as kultura mos u dukni në këto anë. Këto janë gjëra pa rëndësi edhe për institucionet tona shtetërore, kështu që betejat e këtyre kalave nuk i përmend njeri e as ka kush kohë të merret me to. Të ju tregojnë më mirë ca foto ajrore të maleve tona me shkëmbij dhe goca të bukura me rroba tradicionale të sajuara. 
Po të vazhdojmë më tej zotërinj kuriozë të botës turistike. Një gjë është e sigurtë: nëse nuk ju pëlqejnë plazhet e virgjëra nuk duhet te vini ketu. Nga Velipoja në Sarandë kemi akoma shumë plazhe të virgjëra e të pastra, pavarësisht këmbënguljes për t’i shkatërruar nga ana e investitorëve shqiptarë e të huaj, apo edhe e shtetit. Por me sa duket akoma nuk ia kanë dalë. Institucioneve promovuese turistike iu doli nga mendja ky detaj, po s’ka gjë se as juve nuk iu interesojnë. Pra nëse preferoni çadrat e ngjeshura, nëse doni të rrini nga pesë vetë në një metër katror dhe të ndjeni erën e djersës e të desodorantit të fqinjit, mos ejani në këto anë. Këtu vështirë të gjeni femra seksi të habitura nga theksi juaj ekzotik që të iu vënë kremin e diellit. Në hijen e freskët të pishave në breg të detit shqiptarët parkojnë makinat, por kishim harruar t’a përmendim. 
Nëse nuk ju pëlqen uji natyral, direkt nga burimet e akullta të maleve të larta, mos u dukni. Ju mund të mbartni Perrier sa të doni në çantat e shpinës. Tek ne uji mineral rrjedh në rrugët nacionale, direkt nga burimi, madje edhe lavazhet e makinave atë përdorin . Nëse ju pëlqejnë salçiçet duhet t’i merrni me vete. Më vjen keq: banorët e zonës mund të ju ofrojnë vetëm mish të pjekur në hell, të freskët, të bagëtive të rritura në gjendje të lirë në malet tona. Nëse nuk ju pëlqen djathi natyral, nga qumështi i bagëtive që nuk njohin veteriner mos u dukni fare. Në malet tona nuk i vaksinon njeri. 
Nëse doni të hani hamburger me Ketch up mos humbni kohë, mos krijoni iluzione. Në Tiranë nuk do të gjeni McDopio’s as McChurritos, as Cuchifritos e as Pollos. Me pesë dollarë nuk ha dot një hamburger këtu. Nëse nuk e keni bezdi mund të hani ndonjë gjë tjetër me të njëjtin çmim, po nuk e di sa ju intereson: mund të merrni një pulë të pjekur, dy birra të mëdha, sallatë e turshi dhe bukën e thekur e keni falas. Po i ratë nga deti, me kaq mund të merrni një levrek zgare me garniturë dhe një birrë, ekspresin ju fton shtëpia. Këto gjëra nuk i kemi permendur nëpër panaire, se kemi qenë shumë të zënë këto njëzet e pesë vitet e fundit duke bredhur nëpër botë, si emigrantë. Po do thoni ju të nderuar udhëtarë, kur nuk përmendet kultura ç’lidhje kanë mikpritja dhe çmimet e lira. 
Zonja dhe zotërinj nëse nuk ju pëlqejnë monumentet mos ejani. Nuk mund të dilni pa hasur në ndonjë amfiteatër të kohës së Romës, në monumente kulture që janë sa një qytet, në ndonjë kishë mijëvjecare apo xhami shekullore. Ka monumente për dreq ngado që të shkoni. Ngado që të kaloni do të ju bjerë të shihni ura të vjetra romake ku ka kaluar Shën Pali, të tjera të paidentifikuara apo mesjetare, rrënojat e ndonjë Hani ku ndalej Skënderbeu e xhade të vjetra me gurë artistikë që do të shkundin makinat tuaja e pastaj do të ndjeni nga larg aromën squfurit të banjave termale. Po juve askush nuk do të ju drejtojë për te ato, as banorët e as institucionet. Le që nuk keni kë të pyesni, hartat turistike që ju kanë shitur ju drejtojnë vetëm për në ndonjë mal, lumë turistik apo lagunë kënetore, drejt hoteleve të dikujt. 
Më keq është nëse jeni kuriozë për monumente, godina apo gjëra që kanë të bëjnë me rregjimet komuniste, se juve këto gjëra iu ngacmojnë kuriozitetin. Për këto është keq fare. Nëse nuk doni të bëni ndonjë foto me një bunker apo bazë ushtarake në sfond, këtë nuk mund ta evitoni. Burgjet komuniste i kemi shkatërruar komplet, vetëm ca rrënoja kanë mbetur. Ish industritë e mëdha mund të jenë të mira për ndonjë skenar filmi të frikshëm, po për foto nuk bëjnë. Janë thjesht gjëra që nuk i do i gjeni askund tjetër. Bunkerët janë të gjithë njësoj, se përmasat nuk kanë rëndësi. Pastaj ata janë dëshmi e historisë sonë, dhe ka njerëz të gjallë të cilëve mund të iu vijë turp të iu tregojë, se janë histori intime. 
Pra nëse nuk doni të shihni atë që s’keni për ta parë askund tjetër mos u dukni në Shqipëri. Nëse nuk doni të dëgjoni tingujt më të bukur të netëve më të qeta, as të mos ju shkojë në mend të vini. Nëse nuk ju intereson historia e as legjendat, nëse nuk doni t’ia dini për kulturë dhe ndjenja, nëse sinqeriti e mirënjohja iu duken pa kuptim mos u dukni as në kufi. Nëse nuk doni të dëgjoni muzikë hyjnore klarinetash, nëse nuk doni që shpirti juaj të vibrojë deri në gene nga ritmi i pashkruar i daulleve mitologjike, mos u afroni as në hapësirën tonë ajrore. Nëse nuk doni t’i afroheni misterit të një populli mbijetues atëherë dëgjoni predikuesit tanë politikë me experiencë të zeruar para njëzet e pesë vjetëve dhe me njëzet e katër vjet që e përsëritin. Shumë prej tyre do të donin të jua shisnin vendin me çmim të diskutueshëm, me kusht që të firmosni pa e vizituar. Nëse nuk doni të iu trajtojnë si mbretër, nëse nuk e imagjinoni dot si shtëpia mund të jetë e Zotit dhe e mikut, as mos e çoni nëpër mend të vini në Shqipëri, se këtu do të gjeni vetëm bukë e kripë e zemër. 
Erion Hiluku 
Tiranë, maj 2015.

Thursday, March 5, 2015

Arroganca e mëngjesit

          Ditët e ftohta dhe me shi të japin mundësinë të vëzhgosh realitetin gri, jo vetëm nga vranësira e smogu. Lexuesit e mi do e kuptojnë shumë shpejt se e kam shkruajtur këtë tekst në timon meqë akoma nuk ka një ligj që e ndalon këtë.  Nuk mund ta evitoja, megjithëse për arsye kohe dhe etike e shkrova si të thuash, me frena dore. Më dhimbset polici i tulatur i kryqëzimit, i cili, i pafuqishëm, pret që të gjithë ta respektojnë tabelën e tij të stop-it ndërsa shikon me trishtim të pabindurit t’i kalojnë para hundës, sikur të ishte i padukshëm. Sa për këmbësorët, çuditërisht as ai nuk e vret mendjen, le më shoferët e nxituar të mëngjesit. Polici rri në shi, njerëzit po ashtu, duke pritur që ndonjë shofer i sjellshëm t’iu lejojë të kalojnë në vijat e bardha. Në krahun tjetër të kryqëzimit, unë pres që policit tim t’i mbushet mendja më në fund të hapë rrugën. Por jo. Shiu vazhdon, policët lagen me durimin e detyrës ndërsa kalimtarët lagen nga halli e mallkojnë se askush nuk i lë të kalojnë. “Qeveritë kalojnë, shoqëritë vdesin, policia është e përjetshme”, mu kujtua Balzaku. Në “deja vu-në” e mëngjeseve të mia, i habitur përsëri me skenën, shoh në kroskot minutat që fluturojnë bashkë me karburantin. Më në fund u shfaqën sirenat e xhipave që shoqërojnë politikanin e radhës i cili është vonë për kushedi se ku.
            Autokolona luksoze e shtetit tim sfilon para nesh me arrogancën e një pushtuesi. Mercedesi i zi qeveritar shkëlqen në paturpësinë e tij dhe as shiu nuk e lag. Polici nderon me bori e sharje në sfond por që nuk kanë të bëjnë me të. Një nga meritat e demokracisë është pikërisht se një politikan nuk mund të jetë më inkompetent se ata që e kanë votuar, ka thënë një amerikan i famshëm emrin e të cilit nuk e kujtoj. Unë po mendoja se, atë makinë e ka paguar familja ime ndër breza. Që përpara stërgjyshit tim e di se i kemi paguar taksat shtetit të ri, atyre që erdhën, edhe vetë-mbretit, pastaj pushtuesit, pastaj diktatorit që e mori të gjithë pasurinë tonë, edhe prindërit e mi i paguan gjithë jetën. Çdo ditë, unë vetë, ia paguaj karburantin kësaj makine që më lë të pres në mes të rrugës, ndërsa të tjerët, të pazëtë, i lë të presin në shi.  
            Mu kujtua ndërkohë një ngjarje spanjolle e viteve tetëdhjetë. Asokohe, Presidentit Gonzalez i shkoi mendja të kalonte pushimet në jahtin “Azor” të ish diktatorit Franko. Kështu që, ky President demokracie, pa e menduar gjatë ia kërciti ca ditë me pushime në det të hapur. Spanjollët u revoltuan shumë e lumenj boje u derdhën nëpër gazeta. Presidenti u justifikua duke thënë se jahti ishte i shtetit dhe se ai kishte të drejtë ta përdorte. Një gazetar i njohur i shkroi letër Presidentit ku i kërkonte që t’ia rezervonte jahtin e famshëm për ca ditë. Dëshironte të kalonte pushimet me familjen. Normalisht që duke qenë pronë e shtetit ishte edhe pronë e të gjithë qytetarëve e për rrjedhojë edhe ata kishin të drejtë ta përdornin. Ajo anije nuk u përdor kurrë më për pushimet presidenciale.
            Për këtë u kujtova kur pashë Mercedesin e shtetit tim që fluturonte mbi gropa dhe qytetarët që po i nxirrnin dorën furgonave anës rrugës t’i ulnin duart të ndrojtur, me një gjest të ngjashëm me atë të futjes së votës në kuti. Sido që t’i japi drejtim votës zotëria i lagur duke zgjedhur një të keqe nga dy ose nga tri, me shumë gjasa prapë në shi do të mbetet. Askush nuk habitet më nga arroganca sistematike e politikanëve; menjëherë sa bëhen pjesë e klubit elitar, fillojnë të gëzojnë privilegjet me të drejta të plota. Rrallë herë të zë syri një politikan të sjellshëm e me këmbë në tokë, të edukuar, të dashur me njerëzit qofshin këta edhe votuesit e tij. Mercedesi e shton shpejtësinë dhe sirenat e ngrenë zërin megjithëse rruga nuk është e përshtatshme. Me siguri ndonjëri nga ata njerëz që i ka dhënë voten tani pëshpërit me vete –i lumtë filanit! Kushedi nëse ndonjë ditë, Mercedesi i shërbimit publik ndalet e merr ndonjë votues të lagur! Atëherë koha do të hapej, dielli do të shkëlqente dhe unë do shkruaja një artikull me alegri spanjolle. 
Erion Hiluku

Tiranë,  janar 2015. 

Monday, March 2, 2015

Big Bangu i Papës

          


         




            Nuk e di nëse Rastësia apo Providenca deshi që të kalonin shumë vite deri sa të më jepej rasti të shkruaja mbi një ngjarje të vjetër, i frymëzuar nga një deklaratë e re. Anoj nga kjo e dyta meqë ishte vetë Papa Françesku i cili ma nxori në shteg kur afirmoi para pak ditësh: “Origjina e universit nuk është vepër e kaosit por e një principi që krijon për dashuri. Big Bangu nuk e kundërshton ndërhyrjen krijuese hyjnore por e kërkon atë”.  Kjo ishte shkëndija që ndriçoi një histori të vjetër, kurrsesi të harrueshme. Lexuesit që më ndjekin e dinë se nuk mund të shkruaj nga hiçi, unë e di se ata nuk do më paragjykonin edhe nëse do e lidhja këtë shkrim me një histori personale.  S´kam rrugë tjetër në fakt, përveç sinqeritetit.
            Big Bangu shpërtheu për mua diku në mes të vitit 1991. Asokohe adoleshent sapo kisha fituar të drejtën të rrija në tavolinë kur kishte mysafirë të veçantë në shtëpinë tonë.  Falë këmbënguljes së gjyshes, se “djali duhet me i mësu fjalët”, mund të rrija të dëgjoja, të merrja ndonjë meze dhe të mos flisja. Ishte një privilegj të cilin e kam përjetuar sërish disa vite më vonë, në universitet.  Kishte ardhur për darkë një mik i vjetër i shtëpisë, kumbarë i gjyshit. Gjyshi kishte më se dhjetë vite që kishte vdekur e mua më bënte shumë kurioz kjo punë. Ishte një burrë i vjetër, mbase shtatëdhjetë  vjeç. Mu duk i gjatë e kur u përkul të më puthte kokën më vuri gishtin e madh në ballë duke më bërë shenjën e kryqit. Më ka ngelë në memorje vëzhgimi i atëhershëm i mendjes fëminore: çuditërisht i vinte era duhan megjithëse duart nuk i kishte të zverdhura siç i kishin pleqtë e tjerë. Pasi u zu me babën se kush të rrinte në krye të vendit, ai nuk pranoi. Mua më ulën afër tij e gjyshja plakë qëndronte në fund të tavolinës, se ajo vetë do shërbente pastaj. Ai fliste ngadalë dhe mbase nga zëri i tij i ngrohtë unë kuptoja edhe ato që nuk i dija. Nga ajo bisedë mund të kisha shkruar një libër, por s´më takon mua. Ndër të tjera tregoi një histori burgu, ku një komisar komunist i kishte thënë: -A ke dëgjuar për Big Bangun ti Patër? Apo akoma mendon se Zoti e krijoi tokën? Pluhuri Pater, dy kokrriza... Edhe përgjigja qe pak a shumë: -Kur të kuptosh se kush e vuri pluhurin aty, ato dy kokrrizat, atëherë hajde flasim. Më thjeshtë e pamundur. Për mua ishte hyrja në një mister me përmasa kozmologjike.
            Para pak ditësh në kopshtet e Vatikanit, përpara selisë së Akademisë së Shkencave të Pontifikatit, Papa Francesku me lehtësinë e tij për të shprehur vepra të mëdha me fjalë të thjeshta konfirmoi se: “Zoti i krijoi të gjitha qeniet ekzistuese dhe i la të zhvilloheshin sipas ligjeve të veta... duke i shoqëruar në çdo moment me praninë e tij. Kështu krijimi ka përparuar përgjatë mijë vjeçarëve deri sa është bërë ai që është sot”.
            Në këtë kontekst u shpreh Papa edhe për Big Bangun në oborrin e Akademisë së Shkencave të Pontifikatit ku edhe kjo teori është si në shtëpinë e saj. Formuluesi i kësaj teorie, prifti belg Georges Lemaître ka qenë president i kësaj Akademie, më e vjetra në llojin e saj, anëtarë të së cilës gjatë historisë kanë qenë edhe 69 çmime Nobel. Personazhe si, Markoni, Planck, Bohr, Heisenberg ose Fleming kanë kaluar nëpër këtë shtëpi të madhe që mirëpret shkencëtarë nga e gjithë bota, pa dallim besimi fetar. Çmimin Nobel e zotëron edhe presidenti aktual i Akademisë, mikrobiologu Werner Arber.
            Si rastësisht erdhi Papa Françesku para pak javësh në Tiranë. M’u duk se e gjithë Shqipëria e deshi atë ditë. Erdhi në vendin tonë të vogël, viktima e eksperimentit më të madh fetar. Përtej blasfemisë, një popull i vjetër do të përjetonte atë që profetët më të guximshëm nuk e kishin parashikuar as në rastin më të keq: Ateizmin. Nuk e di si kemi dalë me mend në kokë nga kjo çmenduri. Sigurisht që pasojat e saj, më të rënda se ato të Cernobilit, herë pas here vëzhgohen në shoqërinë tonë. “Vetëm rastësia mund të shfaqet përpara nesh me një mesazh.” thotë diku Milan Kundera. 
            Vonë e kam kuptuar, në perceptimin tim sigurisht, thjeshtësinë e konfliktit ndërmjet besimit dhe shkencës. Humbasim kur e zvogëlojmë Zotin sipas nevojave tona. Me fjalë të ngjashme të përdorura nga Papa Francesku në kontekste të tjera: “jemi në rrezik ta imagjinojmë Zotin si magjistar me një shkop magjik, që mund të bëjë gjithçka, por, nuk është ashtu”. Mendojmë në Zotin me kutin e vogël të arsyetimit tonë. Në formimin tim shkencor mbetem në konflikt interesi, shkenca vazhdon të jetë një mister shumë tërheqës që nuk të lë kohë të humbasësh në opinione të pa argumentuara  Revolucioni ynë teknologjik vetëm numëron vitet e evolucionit të universit, mbase me saktësi. Rregullat e funksionimit të jetës në këtë univers, tashmë më shumë se një, koinçidojnë rastësisht me qindra herë për të bërë të mundur fillimin e jetës, vazhdimin dhe vdekjen. Gjithçka tjetër është çështje besimi dhe mbi besimin shkenca nuk ka asgjë për të thënë.
Erion Hiluku

Tiranë, janar 2015. 

Monday, February 23, 2015

Një vend në Parajsë

Një vend në Parajsë

            “Plaku është si fëmija”, thotë populli, dhe kjo është nga ato herë që nuk gabon. Pata mundësinë ta provoja këtë para pak netësh duke ndjekur një emision për të moshuarit në një nga televisionet tona kombëtare. Skenari ishte i denjë për hollivudin, minimumi: në njërën anë të ulur në një divan të rrënuar qëndronin pesë a gjashtë të moshuar krejt seriozë, të cilët të veshur me kostume të sajuara dhe me buzëqeshje të ngrira mbronin institucionin e tyre të mrekullueshëm.  Në prapavijë qëndronte një grup tjetër i komunitetit të vogël që iu mbante ison të parëve me ndonjë duartrokitje të thatë. Për pak minuta kuptova se jetonin në një parajsë të sponsorizuar nga shteti dhe se taksat e mia më në fund kishin gjetur një vend ku të shpenzoheshin lirshëm e mua s’ka pse të më vijë keq më e as kam pse ankohem për keqpërdorime apo qoftë larg abuzime, nga nëpunësit e shtetit tim. Në mes tyre kish qëndruar një bukuroshe bjonde që buzëqeshte papushim dhe i mbante si të hipnotizuar të pranishmit me aurean e saj prej shenjtoreje moderne. Rrinte si në shtëpinë e saj, madje iu drejtohej me emër të pranishmëve përfshi këtu edhe Zotin Ministër të Punës i cili gjendej në panelin përballë bashkë me gazetarët dhe nëpunës të lartë të shtetit. Nejse, pra nuk ju mungonte gjë prej gjëje. Dukej sikur të gjithë bashkë kishin ngrënë një darkë Krishtlindjesh franceze me paté, rosa të pjekura e Don Perinjon në kuzhinën e rezidencës ku padyshim nuk mungonte asgjë. Edhe pyetjeve të një gazetari gërricës që gjendej aty ja thyen turinjtë shpejt e shpejt. -Jo more zotëri këtu nuk na mungon gjë, ju jeni me fiksime. Neve na mungon vetëm një gjë; dashuria. Vetëm për këtë kemi nevojë.  Mbeta krejt i habitur nga kjo parajsë e re e gjendur pikërisht në mes tonë: të paktën nja tridhjetë a dyzet vetëve ju paskemi krijuar kushte të jenë të lumtur. Ç’kuptim do të kish një oaz pa shkretëtirë? Sa për dashurinë që ju mungonte nuk u shqetësova shumë se ky është një problem botëror dhe mund të bëhet edhe pa të. Nuk e ndërrova më kanalin.  
            Ministri vetë, i gjendur në një mjedis kaq fantastik filloi të iu shpjegonte me elegancë edhe sistemin e ri të pensioneve e masat e tjera të marra nga shteti për të rritur mirëqenien e 600 mijë pensionistëve të tjerë. Këta, meqë ra fjala, akoma nuk janë në parajsën e moshës së tretë.  Vetëm 200 vende kemi hë për hë. Kur gjermanët të bëjnë rezidenca për të moshuarit e tyre në bregdetin tonë mbase futim kokën edhe ndonjëri nga ne që dalim në pension pas 40 vjetësh, pra ju tani jeni në pikën e “prit gomar të mbijë bar”. Gjithë ato projekte e shpenzime në favor të moshuarve e pensionistëve saqë kur të arrijë të shpenzojë sa Ministri i Drejtësisë për çdo të burgosur, do të ketë lezet të dalim të gjithë në pension.
            Dukej aq bukur mjedisi saqë të moshuarit filluan me kërkesa e dëshira, nuk thonë kot “jepu dorën e të marrin krahun”. Njëri donte internet, të gjithë u surprizuan që nuk kishte, si ka mundësi, u tha u bë. Tjetri donte të hiqnin nja dy makina të vjetra nga oborri, të cilat nuk i kishin vënë re as gazetarët. -Na pengojnë për të dalë shpejt me taksi kur duhet të shkojmë në spital se helbete... Kujdes këtu, mos vazhdo se na prishet mjedisi paradiziak, po as gazetarët nuk ia varën këtij komenti. Për të shkuar në spital duhet të merrni taxi? Lëre të kalojë këtë koment se keni në dizpozicion një ushtri doktorësh, psikologësh e punonjësish socialë e u dashka të shkoni në spital. Sa për ata që janë të shtrirë në dhoma si Gjergj Elez Alia më mirë të mos i përmendim se mos na prishet festa neve apo oreksi teleshikuesve. Keni edhe një mori vullnetarësh që shumë mirë mund të ju çojnë me makinat e tyre, po qe nevoja. Ministri vetë bënte thirrje vazhdimisht për vullnetarizëm e pjesëmarrje sociale, e implikim të moshuarish në punë të ndryshme. Kjo më duket gjë e bukur, madje edhe e mundur, sikur të kuptoja pse i paguajmë ato punonjësit e rezidencës “paradiso”. Përsëri këmbëngul Ministri me vullnetarët ndërkohë që i mungon vetëm të lajë duart si Pilati. Shteti nuk mund të bëjë gjithçka. Por kësaj fjalie i tepron fjala “nuk”. Zotëri nuk lihen detyrimet e shtetit në duar vullnetariati. Me efikase është të kërkoni llogari për paratë që shpenzoni.  
            Zoti Ministër ju nuk keni pse lypni lëmoshën e firmave private që dhurojnë dy tre gjëra rezidencave me rastin e festave, pavarësisht se nuk e bëjnë këtë “as për marketing e as për bamirësi”. Paguajini të gjitha me taksat e mia, veç mos u bëni pjesë e hipokrizisë kombëtare. Plasën artistët dhe politikanët tanë duke bërë foto nëpër azile e “befotrofe” shtetërore, me rastin e festave. Si një rrugë e dy tre punë është kjo; kujtohemi tani për ata që harruam gjatë gjithë vitit, me një xhiro e një foto dëshmi, ia hedhim Zotit dhe ndërgjegjes, disa i hedhin edhe një grusht hi syve opinionit publik, i cili pa dyshim nuk i kapërdin më këto.
            Plakja është një gjendje e padiskutueshme që nuk kupton nga pasuria apo niveli social por i kap të gjithë personat pa dallim, megjithatë efekti mbi ta do të jetë në varësi të gjendjes fizike dhe mendore duke qenë të dyja këto njësoj të rëndësishme. Shërbimi me standarte evropiane i të moshuarve, ku vërtet të mos iu mungojë gjë është çështje drejtësie, jo lëmoshe apo solidariteti social. Është një detyrim ligjor kundrejt atyre që kanë punuar gjithë jetën, është detyrim që ka në rradhë të parë shteti i cili menaxhon jo vetëm taksat tona por edhe pasuritë kombëtare të fituara e të trashëguara brez pas brezi. Përndryshe, ç’kuptim do të kish jeta po të vdisnim të gjithë pa u plakur?                                                                          Tirane, dhjetor 2014.

                                                                                                                               Erion Hiluku

Specialisti

Specialisti
            I dashur lexues që më ndiqni me durim, po jua them menjëherë: atë mund t’a gjeni kudo. Tashmë ai është një ikonë e kulturës tonë kombëtare. Shkoni në një zyrë shtetërore dhe i pari që do të hasni e iu thotë: -hajde nesër, ai është specialisti. Mund ta njihni edhe nga përdorimi i fjalës “absolutisht”. Ai është më se i sigurtë, njëqind e njëzet përqind edhe më shumë, e padiskutueshme. Padyshim që është specialisti. Nëse akoma keni vështirësi për ta dalluar atëherë do të ju duhet të vazhdoni të lexoni.    
            Nëse shkoni në spital për një problem të vjetër duhet të shkoni herët. Priteni te lokali i spitalit, po nuk do e takoni dot se e kanë “kapur” nja tre a katër të tjerë. Vraponi ta ndaloni në korridor, dhe ai do të kujtohet për ju sapo të shohë grafinë tuaj në rrugë e sipër. Kur mbërrin te zyra pas pesë a gjashtë hapash, ai e ka bërë diagnozën, dhe pa u ulur ju shkruan në një copë letër edhe ilaçet që duhet të merrni. Mos ndërhyni, le që nuk ju lë ai, pra këtë duhet të bësh, punë e mbaruar se jam unë specialisti e kam dyzet vjet experiencë, shihemi pas gjashtë muajsh. Të fala. (Kujt?) Me letrën në dorë ju do dilni ngadalë pasi i keni futur “me zor” një pesëdhjetëshe në xhep, por nuk pendoheni se në fund të fundit iu mbaroi punë për pesë minuta, iu priti mirë. Mos u bëni ogurzi të mendoni se nëse jeni gjallë pas gjashtë muajsh do dukeni, ju s’keni pse mendoni se ka një vit eksperiencë e tridhjetë e nëntë që e përsërit.    

            Pasi i bletë ilaçet dhe meqë keni marrë leje në punë, bëni edhe një shëtitje nga zyrat e tatimeve aty pranë. Falas mendoni, se nuk ju ngeli gjë në xhep, të shikoni çfarë bëhet me taksat që keni paguar. Për atë vërtetimin.  Mirë se erdhët. Këtu do hasni një specialist tjetër. Ai mund të jetë edhe më i rëndësishëm, ka edhe zyrë e iu pret aty, pasi specialistes së re të informacionit i vjen keq e nuk iu ndihmon dot, se “s´nuk” internet, thotë. Trokitjes tuaj të ndrojtur prej taksapaguesi të drobitur ai i përgjigjet nga brenda me theks teksan të krekosur: “Hajdeh”. Ju e kuptoni se jeni te një specialist sapo hapni derën. Zyra “e tij” është e zbukuruar me dhurata. Arkat me verë italiane e spanjolle të hapura në dysheme të imponojnë respektin e mjaftueshëm që të rrish si qiri e me kujdes ku vë këmbët. Mbi tryezë janë pijet me gaz, shampanja dhe disa shporta të harlisura. Për pijet alkolike me ngjyrë ka vënë një bufe të bukur ai. Sapo u pendove që erdhe, po meqë erdhe, thuaje kërkesën tënde se në fund të fundit ky zotëri i specializuar punon për ty, është në shërbimin tënd, madje je edhe aksioner i kësaj zyre, pronë e shtetit tënd patetik. E thua si të ish fjala jote e fundit. Ai e mirëkupton hallin tënd, absolutisht po. Por, hajde më mirë nesër, do jemi më të qetë! Ju hasët sërish një specialist ndaj mos u bëni i pasjellshëm e të shani në mendjen tuaj, ju s’keni as pse mendoni se jeni fajtor që i shkuat pa gjë në dorë.                                       Tirane, dhjetor 2014.                                                                                                                                              Erion Hiluku

Monday, February 9, 2015

Shëndetësia mea culpa

REVISTA JAVA 7 SHKURT 2015


           Në shumicën e sistemeve shëndetësore të botës ka një shqetësim të madh përsa i përket situatës aktuale: kërkesë e madhe për shërbime dhe zvogëlim i burimeve njerëzore të kualifikuara. Megjithëse ky problem është i përgjithshëm, është më i rëndë në vendet në zhvillim ku edhe problemet shëndetësore janë më të mëdha. Punonjësit e shëndetit përballen çdo ditë me sfidën e një pune të sigurtë dhe të paguar mirë dhe në të njëjtën kohë, në aktivitetin e tyre të ushtrimit të profesionit përballen me një ngarkesë të madhe që zhvillohet në rrethana rreziku e dhune kundrejt tyre.  Vazhdon dhe të gjithë e dimë se në të gjithë botën ka një mungesë ekuilibri përsa iu përket burimeve njerëzore: përqendrim në zonat urbane dhe në vendet më të pasura.  Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) rekomandon rishikimin e paradoksit që ndodh në disa vende me burime njerëzore të mjaftueshme por në të cilët ka shumë profesionistë të papunë ose në vështirësi për ta patur atë duke çuar dëm talentet dhe duke shkaktuar emigrimin e tyre. Ndodh rëndom që kushtet e punës të mos jenë tërheqëse, pagë e ulët, mungesë vlerësimi shoqëror dhe mundësi të vogla zhvillimi profesional. Një situatë e tillë mund të jetë e instaluar prej vitesh në vendin tonë.
            Nga ana tjetër, kriza financiare që po kalojnë vendet e Evropës që prej 2008 ka shkaktuar tërmete të vërtetë në sistemet e tyre shëndetësore. Të dhënat e fundit të zhvillimeve shëndetësore të tre vendeve evropiane me krizën më të madhe, Spanja, Portugalia dhe Greqia, të cilët kanë insistuar në shkurtimin e fondeve për shërbimet shëndetësore duke vështirësuar aksesin e popullsisë në këto shërbime, tregojnë  për një rritje të menjëheshme të numrit të vetëvrasjeve dhe me zhvillimin e sëmundjeve infektive përfshirë VIH/SIDA. Megjithëse vendet dhe popujt janë të ndryshëm është e domosdoshme të merren parasysh studimet e të tjerëve, dhe përveç këtyre, në vendimet politike duhet të merret parasysh opinioni i profesionistëve dhe patjetër ai i përdoruesve të sistemit, pra qytetarit.
            Është e lehtë të vëzhgohen në sistemin tonë shëndetësor efektet e politikave shpeshherë të nxituara,  të ndjekura njëzet vitet e fundit. Miopia politike me shpatë në dorë për të shkurtuar pa kriter profesional financat dhe vendet e punës e kanë çuar në greminën që gjendet sot. Nuk është çështje tranzicioni sa çështje drejtësie e përgjegjësie e drejtuesve politikë te periudhës post diktatoriale. Ndryshimet ekonomike dhe të sistemeve kanë një përgjigje të menjëhershme në shëndetin e popullsisë. Desintegrimi i Bashkimit Sovjetik çoi në disa vende një rritje deri në 20% të vdekshmërisë. Efekti i ndryshimeve ekonomike në shëndetin e qytetarëve varet, përveç edukimit, edhe nga sa janë të mbrojtur këta nga vetvetja. Nuk kemi statistika, por janë të pamohueshme pasojat negative të lehtësimit të aksesit te alkoli, duhani apo edhe droga pas nëntëdhjetës. Rritja e fundit e taksës për duhanin më është dukur, për herë të parë, një bashkëpunim i arsyeve ekonomike me ato shëndetësore. Ndryshe nga shpejtësia me të cilën publikohen të dhënat ekonomike, shpesh kalojnë disa vite përpara se të bëhen të njohura të dhënat shëndetësore. Ka vende që përdorin këto taksa, përfshi edhe taksat mbi alkolin dhe pijet e gazuara në një përqindje të lartë për sistemin shëndetësor.         
            Në vendin tonë sistemi shëndetësor është shënjestra e përditshme e mediave dhe e rrjeteve sociale dhe jo pa arsye. Nuk ka asnjë dyshim se sektori ynë shëndetësor dhe spitalor ka nevojën urgjente, por dhe mundësinë e ndërtimit të sistemeve të reja të administrimit shëndetësor me standarte bashkëkohore dhe me vizion për të ardhmen. OBSH prej vitesh iu rekomandon vendeve me problematika të tilla plane kombëtare të bazuara në tri prioritete: të veprohet tani, t’i paraprijmë të ardhmes dhe të garantohet arritja e kapaciteteve themelore. Njëkohësisht në vendet e zhvilluara si ato të BE, më shumë në shërbimet private të shëndetit, administrimi i mirë i burimeve njerëzore brenda sektorit shëndetësor ka dhënë prova të një përmirësimi të dukshëm të efiçences, efikasitetit dhe produktivitetit. Aplikimi i mjeteve teknologjike që optimizojnë punën e punonjësve po përmirëson aktivitetin dhe cilësinë e shërbimeve. Pajisja me kartë elektronike personale e çdo përdoruesi dhe elektronizimi i recetës janë çështje që duhen zgjidhur menjëherë. Bashkëpunimi me institucionet private e ka demostruar në shumë vende efikasitetin në zgjidhjen e nevojave më urgjente dhe më specifike.  
            Shpenzimet në fushën e shëndetit janë të larta dhe me tendencë në rritje. Të gjitha qeveritë janë të alarmuara për këtë situatë sepse sektori shëndetësor konsumon një përqindje të lartë të produktit të brendshëm të çdo kombi. Rritja e shpenzimeve çon në një pikë kritike në të cilën nevojat në shëndetësi janë më të mëdha se burimet egzistuese të qytetarëve dhe ata nuk mund t’i shtojnë kontributet për të financuar sistemin. Zhvillimi shkencor-teknologjik, barnat, ndryshimet epidemiologjike – demografike dhe prania e një pale të tretë shpërndarësish shërbimesh dhe tenderistësh kontribojnë në rritjen e shpenzimeve të shëndetit. Kjo bëhet edhe më e rëndë kur shfaqen sëmundje të tjera, situata katastrofike dhe shtimi i numrit të aksidenteve dhe i të moshuarve. Megjithatë s’ka dyshime se nuk mund të ulet cilësia me qëllim uljen e shpenzimeve, kjo do të ishte e papranueshme.
            Shpenzimet shëndetësore paraqesin disa probleme që përmbajnë dilema etike. Në rradhë të parë duhet thënë se ai që ofron shërbimin është kontrolluesi më i madh i shpenzimeve. Konsiderohet se profesionistët që ofrojnë shërbimin mund të kontrollojnë deri në 60% të shpenzimeve shëndetësore. Por problemi është se ky ofrues ka fitime ekonomike nga ky shërbim, prandaj nuk e kontrollon në mënyrë korrekte nëse nuk ka një formim etik të konsoliduar dhe nëse nuk i kërkohet llogari nga ligj zbatuesi. Nga ana tjetër është mungesa e kulturës e përdoruesit që shkakton shpesh shpenzime të panevojshme, abuzive ose ndikon në ofruesin duke kërkuar përshpejtimin e një shërbimi sigurisht në kurriz të gjithë të tjerëve. Duhet dënuar dhe bërë e ditur se ai që abuzon ose korrupton iu mohon aksesin në shërbim të tjerëve.
            Përfundimisht kuptohet se një shërbim shëndetësor është shumë i kushtueshëm dhe se një profesionist shkencërisht dhe moralisht i mirë formuar është ai që do të ofrojë një shërbim njerëzor dhe shkencor me kosto më të ulët, se një tjetër i ngjashëm pa këto karakteristika. 
            Veprimet që duhet të ndërmerren nga organizmat përgjegjës duhet të jenë jo vetëm etike dhe të bazuara në kërkesat sociale por edhe duke patur parasysh principet e drejtësisë, qytetarisë, pluralizmit, solidaritetit dhe të drejtave të shëndetit dhe të asistencës shëndetësore, që janë të Drejta Njerëzore.
Erion Hiluku
www.revistajava.al 


Friday, February 6, 2015

Hemorragjia si metaforë

Revista “Java” 24 janar 2015.
           Shkruante Aristoteli se “metaforë” do të thotë “t’i japësh diçkaje një emër që i përket diçkaje tjetër”. Njeriu në mënyrë të natyrshme metaforizon. Ata dy tre lexues që më ndjekin e dinë se jam njohës më i mirë i sëmundjeve sesa i metaforave, të cilat janë burim i sigurtë polemikash. 
Prandaj, ju lutem mos e lini këtë shkrim në duar të minorenëve..
            Sëmundja si metaforë është përdorur nga njerëzimi që në antikitet. Në periudhën moderne përdoret më shumë nga politikanët, specialistë të metaforave pesimiste, si për shembull ato që përdorte Kryeministri ynë gjatë fushatës elektorale. Edhe më herët, Xhon Adamsi në vitin 1772 shkruante: Vendi im është zhytur në mjerim të thellë dhe ka shumë pak Arsye për Shpresë. ... Populli duket i dërrmuar nga përpjekjet, dhe Korrupsioni, Servilizmi dhe Prostitucioni po ja hanë trupin dhe po përhapen si kanceri.     
            Më lejoni të ja aplikoj këtë fjali vendit tim, në vitin 2015, aq sa zgjat së shkruari këtë artikull.  Një gjë është e dukshme për këdo që i ka sytë të hapur, simptoma vdekjeprurëse: hemorragjia. Lëngu i jetës së Kombit tonë derdhet si shatërvan i valëzuar nga rrahjet e fundit të një zemre të copëtuar. Në historinë klinike të Kombit tonë, për të mos shkuar më larg, duhet kujtuar hemorragjia e parë masive, që i la një boshllëk të pakuruar, sa shkulja e një mushkërie të shëndoshë. Pushtimi nga mortaja otomane shkaktoi eksodin e parë me përmasa biblike. Mbeti pas kësaj një trup i sfilitur nga viruset malinje e nga sëmundjet ngjitëse e të pista që do ia zinin frymën deri në fillim të shekullit të njëzetë. I liruar nga zinxhirët u hodh i lirë në 1912 dhe për pak do të ja arrinte, sikur të mos i rikthehej sërish sëmundja e vjetër. Një kancer i fshehur vëllavrasës do i shkaktonte sërish hemorragji të madhe. Ata elementë inmun që u kthyen të qëndronin do të eliminoheshin, anës detit.
            Asgjë nuk është tuberkulozi, kanceri është lojë në krahasim me sëmundjen pesëdhjetë vjeçare që kaploi vendin tonë. Sëmundjet virale janë më të tmerrshme pikërisht për këtë, vështirë të kurohen plotësisht. “Ajo që nuk më vret më bën më të fortë”, do të thoshte super-njeriu në vend të Zotit, Niçja, idhulli që shkruante në delirin e sifilisit. 
                        Po sot, pa më thuaj si je? Etimologjikisht, pacient do të thotë vuajtës, por nuk është e njëjta gjë për fjalën Komb. Duket se vuajtjen e kemi pjesë të jetës dhe nuk ia më kemi frikën, por akoma ia kemi frikën poshtërimit. Hemorragjia është e pandalshme dhe kjo duket e pakurueshme tashmë. Mijëra njerëz e kanë braktisur dhe vazhdojnë të braktisin vendin tonë. Motoja e ditës është: Ik nga sytë këmbët. Vraponi ku të mundeni, kudo që të shkoni do të jeni më mirë se këtu, në një vend të rraskapitur nga sëmundja e turpshme e korrupsionit. Ikja e “trurit” na bën për të qeshur.
            Fytyra kimerike e kësaj sëmundjeje nuk fshihet dot më as nga lustrimet estetike të politikës sonë kombëtare. Mikrobet gërryejnë shpirtin e Kombit me pretekstin se gjoja qenkëshin antibiotikë me spektër të gjerë dhe ky i mjeri, i nënshtruar, pret ndonjë mrekulli.  Parazitë të pamëshirshëm ia thithin papushim gjakun hemofilik dhe nga babëzia dhe injoranca nuk e kuptojnë se, kur të vdesë trupi edhe ata do të ngordhin. Qeliza malinje, të  së një njëjtës zemër, zihen për të ndarë plaçkën e luftës, ose thënë ndryshe, ndajnë organet e një kufome të ardhëshme. Inkurajuar nga tifozat e huaj, me thirrjet “hëngsh veten”, sëmundja përparon triumfalisht duke pushtuar edhe ato qeliza të vjetëruara të cilat më parë i dukeshin të panevojshme.
            Vetëkujdesja e pacientit është një domosdoshmëri për të garantuar suksesin e trajtimit. Por pacienti ynë nuk e do më veten. I turpëruar dhe i dëshpëruar e ka braktisur veten në rrjedhën e kohës. Është paradoksale sesi, pasi ka investuar miljona dhe dekada në qelizat e reja kuruese, të pathyeshme gjenetikisht, trashëgimi e një Kombi të vjetër, ia dhuron këto të tjerëve. Normalisht që Kombet e tjera i mirëpresin, pasurohen e rigjenerohen me to.  
            Kur dikush kthehet, e presim me këmbët e para. -Po ti çfarë do që u ktheve? Të paktën dy a tre lexuesve të mi do ju lutesha që të mos e bënin kurrë këtë. Asnjë prind, a vëlla a motër nuk thotë, -pse erdhe në shpi? Por –mirë se erdhe. Askush nuk kthehet këtu se s’ka ku shkon tjetër, prandaj meritojnë më shumë se djali plëngprishës.
            Përgjegjësit e trajtimit bëjnë plane deri në orët e vona (të paguara) por nuk bien dakort, ndërkohë që pacienti lëngon. Kush vendos kur doktorët nuk bien dakort? Metoda e ndjekur deri tani, ajo e doktor Allamudhit nuk ka më se ku të aplikohet. Në trishtimin e syve të tij ne shohim se i sëmuri është koshient për vdekjen e afërt.  Ai e di se korrupsioni është një kancer i shërueshëm në të gjithë botën, por duhet marrë seriozisht nga të zotët e punës. Monitorimi i  psherëtimave të tij, përveç mijëra eurove, mund edhe të ju  japi çmimin Nobel specialistëve të huaj, si dëshmitarë të agonisë së një Specieje në zhdukje. Ai, tashmë me një këmbë në varr, pret trajtimin me urgjencë, duke e ditur se ky është shansi i tij i fundit.
            “Është ironi e çuditshme –shkruante Stivensoni, –që vendet ku na nisin kur na lë shëndeti kanë shpesh një bukuri të rrallë. I sëmuri nuk është shumë i dëshpëruar kur merr vendimin e mërgimit por... ky mërgim i detyruar nuk është dhe aq i këndshëm. I sëmuri nuk është në gjendje të gëzojë fatin që ka gjetur: ai është i zhgënjyer nga bota”.
            Megjithatë, prognoza është gjithmonë, në parim, optimiste. 

Erion Hiluku
Tiranë, janar 2015. 

Thursday, January 22, 2015

ARTERIAL

“Bocet”
         Shokut, piktorit Zef Halili

Unë dua,
të pikturoj
me fjalë.
Unë dua,
të ngjyros,
me mall.
T’i bëj
Atdheut tim,
një portret
të gjallë.

Me fjalë,
me tinguj,
me zemër,
një portret
që merr frymë,
ku gjithçka,
ka emër.

Ngjyrat,
ritmi,
buzëqeshjet,
fytyrat,
ju pritni!
Në sfond,
me stil,
pa komplimente,
një penelatë,
transparente.

E të tjerët
elementë
të mos mungojnë,
dallgët,
lumenjtë,
dhentë
e malet,
pemët,
macet
e qentë.

Në qiell,
një shqiponjë
shumë lart,
e vetme
Diku
nxjerr tym,
një oxhak.

Kuq,
zi,
një flamur.
Burimi,
domatet,
specat,
e një mur
i rënë
nga dolën
buburrecat,
që morën dheun,
e gërryejnë,
grabisin,
Atdheun.
Buburrecat,
i mbijetuan,
zjarrit
e përmbytjes
së madhe.
Gjithnjë
pas murit,
gjithmonë
pranë urës,
kështu,
gjallë dolën
prej diktaturës.

Dinjitet,
punë,
respekt,
jo frikë.
Gjithçka
me meritë.
Jo dhunë,
nder,
Komb,
se buburrecat,
janë shumë.

Dhe shokët,
ah shokët;
një kafe,
në kujtime,
një cigare,
në mendime.
Shqiponjat
dolën fluturim,
nga shpirti
i Atdheut tim.
Qiej të huaj
çajnë e s’ndihen,
si rrufe jetime
që s’kanë
ku bien.

Ikëm
e tretëm,
ja se si,
gjuha jonë
sot,
është,
Atdheu ynë
i vetëm.

Erion Hiluku

El Real de la Jara, 1. 07. 2007.

Km

Rruge pa fund
rruge gjarperuese
 qe fshihen pas shkembinjve,
pa surpriza,
asfalt i zi,
gris e i shurdhet.

Km
qe shenohen me ironi
ikin minutat e mia,
makina shkon
si te dije rrugen
ndersa mendja ime fluturon.

E ndjen,
se pas çdo kthese rruga vazhdon,
se çdo minutë behet i vjeter
se pa pritur zgjohet jeta,
ne ankthin e nje kthese tjeter.
Se akoma asgje nuk eshte humbur
derisa te jem ne pritje
te nje gjeje me te bukur,

Km e minuta,
te numeruara,
si ditet tona.
Actae iacta est!
Perpara,
ndalesh e vazhdon,
se gjithnje ka nje rruge
nje fushe, nje mal, nje pyll...,
derisa te jem ne pritje,
se do bjere dhe per mua nje yll.

Km.
e rruge pa rruge
lumenj, e gropa,
hendeqe, tunele...
km te verteta
si vete jeta.
E njejta gje eshte ,
si te gjitha betejat e mia
qe te humbura jane,
veç luften se kam humbur akoma
se prape ne timon jam.

Erion Hiluku
                                   Madrid, 27. 04. 2010.

Otra vez amanece

Cuando el humo del tabaco,
esconde la luz de mi cuarto,
como la tempestad a un pequeño sol,
libres están mis ganas de morir,
en profunda soledad,
como flores sín olor.

Cuando respiro veneno,
buscando mi destrucción,
lo que araña mi cuerpo,
encoge mi corazón,
lo que otra vez mató a mi suerte,
hirió mi esperanza y colgó mi ilusión,
fue la vida,
no la muerte.

No puedo callar entonces,
el sentimiento que en silencio grita,
desbordando lo que limita el dolor.
No puedes evitar la muerte,
ni la vida.
Otra vez amanece,
incluso sin amor.

Erion Hiluku
                        Sevilla, 23 junio 2004. 


El verdadero efecto mariposa

Mírame, desafíame,
aunque algo se rompa en mi interior.
Veo tu sonrisa preguntando,
¿qué?
- Nada, -y pienso-,
no se puede definir el amor.

¡Qué imaginas!
Estalla mi corazón.
¡Qué pasará por tu mente!
no sabes que resucitas el misterio de las cosas divinas,
que se esconde en tu esencia,
el sentido de la más intensa emoción.

No me conformo con amarte,
busco en tus ojos un misterio.
Un poco más antes de que desaparezcas,
un poco más para soñarte,
un poco más para creer
en un mundo más bello.

Se acerca la inolvidable despedida,
un beso, un adios,
o cualquier cosa.
Otros amores se cruzarán en tu vida.
Yo sólo te di,
la pasión de un sueño,
el verdadero efecto mariposa.
                       
Sevilla, 17 maj 2004.  

Falas
             Hallës që na deshi shumë...

Falas ëndërrimi dhe shpresa,
falas fluturimi gjer në hënë,
i imagjinatës,
falas lulet çdo mëngjes i freskon vesa,
falas dëshirat yjeve që bien gjatë natës.

Falas ajri që dhemb, në mushkëri,
falas buzëqeshja, që më s’na dhuron ti,
falas një botë,
falas kujtimi yt, një dashuri,
falas dhe kripa që la një lot.



Të paharruarit e mi

« Prindët, mirë që ka një emën të përbashkët për të dy!»
                                                                 M.Camaj. «Diella»                                                                                                                                                                                   

Ju jeni era nën krahët e mi,
jeni kujtimi që nuk fshihet kurrë,
vargu me rimën në këtë poezi,
gëzimi e vuajtja që më bëjnë më burrë.

Ju jeni fillimi i ndjenjës së parë,
jeni burimi i mirënjohjes së vërtetë.
Juve ju mbaj në më të lartin altar,
borxh jua kam një jetë.

Dua të uleni me mua
në tavolinën e ballkonit të gjatë,
të shijoj kafenë e të mëndafshtave duarve të tua,
të dëgjoj muzikën e kollës së thatë.

Pastaj, në heshtje t’ju them sa fort ju dua,
dallëndyshet do të kthehen përsëri,
të kundroj shtigjet e jetës në fytyrat tuaja,
të paharruarit e mi.

Një Atdhe

Janë njerëzit, toka dhe deti,
janë gjethet, janë gjërat pa emër.
Sa larg Atdheu më mbeti,
larg buka me kripë e zemër.

Janë vendet ku dua të kthehem,
ku dua të kthehem çdo ditë,
atje ku shokët nuk më presin,
ku qetësia bëhet muzikë.

Janë fëmijët, kosheret, bletët,
gjyshërit tregojnë historitë
shpesh të cunguara jetët,
atje dashuritë, atje tragjeditë.

Atje ku dikur bujaria,
lulëzonte si pemët në maj,
atje ku sot egoizmi, tradhëtia, lakmia,
të ndershëm janë, pa faj.

Jam ai që jam, nuk jam mazokist,
prapë kthehem, trishtohem, vuaj,
atje i gjej më të këqinjtë armiq,
që Atdheun e mua na trajtojnë si të huaj.

Se linda, jetoj dhe do vdes shqiptar,
zgjidhur në shkencë e në fe,
vetë Zoti këtë e la mbarë
gjithkujt i dha një Atdhe.

Spanjë 2003. 

Pak dashuri

Sa larg i kam të mjerët,
tek cepi i shtëpisë, tek cepi i pallatit,
s’guxoj të ndahem nga të tjerët
e të dëgjoj pak ironitë e fatit.

Çdo ditë më ofron skena të reja,
kur ngadalë afrohem cepave të teatrit,
një erë të fortë ndjej, po s’janë gështenja të pjekura,
është era e urisë, era e ironisë së fatit.

Thonë se ka gjëra që më mirë të mos i mësosh,
jetët e gërryera si brigjet e Matit,
por jo, kurrsesi s’mund të evitosh,
të shohësh, vuajtjen e ironive të fatit.

Por sot, sot u ndala në aktin e parë
e ofrova një fjalë me dashuri të zemrës,
më uroi një ditë të mbarë,
e buzëqeshi me sytë e Nënë Terezës.

E ndërsa kërkoja fjalën e shpresës së humbur,
vërejta, se vëllai im i ri,
për të qenë i lumtur,
veç nevojiste pak dashuri.
2003

Shije enigme

Aromë duhani, parfumi e kafeje
sjell era nga flokët e tu,
mungesa jote ma dobëson atë pak fe,
e mendja ime s’është këtu.

Tashmë i lodhur jam,
lule më lule si bleta,
më kot besova se me ty zbulova,
sa shumë e shkurtër është jeta.

Nuk doja të ish e jona,
si ato dashuri, që dëshira i bymen si zhivë,
por që zgjasin jo më shumë
se tri kafe e dy kutia prezervativë.

Në puthjen e buzëqeshjes tënde
gënjeshtra dhe e vërteta,
një shije enigme më mbeti,
kush qe lulja? Po bleta?


Sevilla 2004