Java 4 korrik 2015
Tregtarët e Evropës
Qumështorët përsëritin pa pushim se
Evropa është bijë e filozofisë greke, e së drejtës romake dhe e besimit të
krishterë; kur e vërteta tregon se është bijë e eliminimit të tyre. Kjo është
Evropa e përkufizuar nga lapsi i mprehtë i Juan Manuel de Pradës. Diku tani e tremijë vjet të shkuara duke
filozofuar në biseda hyjnore, grekët e vjetër krijuan nga asgjëja edhe atë që
sot njohim si "demokraci", e cila ka ardhur duke evoluar, rritur,
shtuar e degjeneruar sipas nevojës së përdoruesve modernë. Megjithatë Greqia është prapë në modë. Në
mediat e shkruara e vizive dhe në rrjetet sociale bëhet nami për Greqinë. Në
rrjetet sociale, shyqyr që i kemi se na shpëtuan, shprehen të palodhur nga
smartfonët e tyre edhe krerët e Evropës e të bankave ndërkombëtare. Jashtëzakonisht
të shqetësuar, nga hotele luksozë, shprehen si profetë duke parashikuar të zeza,
të bardha e ylberë për popullin grek. Sigurisht që ky i fundit duhet të paguajë
edhe faturat e hoteleve të tyre, udhëtimet me avjon dhe skortat e pafundme ndërkohë
që i bëjnë derman. Të gjithë personazhet në skenën evropiane nxitojnë të bëhen
protagonistë, qoftë edhe të një tragjedie. Ka vite që ndjekim këtë spektakël të
improvizuar fijet e të cilit drejtohen jo nga një autor por nga vetë
personazhet, natyrisht nga personazhet që kryesojnë Evropën dhe që kanë edhe
topin e gjuajnë edhe penalltinë. Shpeshherë
spektatorët, si në veprat e Shakespeare, dinë gjëra për të cilat personazhet
nuk kanë dijeni. Mbase edhe qeveritarët grekë, duke menduar se janë në një
demokraci përtej asaj që imagjinonte Aristoteli, kërkuan të drejtën e
rebelimit, kërkuan të drejtën e shtyrjes së afateve. Me kishën jemi ndeshur, i
dashur Sancho. Ata do kenë lexuar Platonin e Aristotelin në dialogët e tyre por
sigurtë që nuk e kanë lexuar Fishtën kur tregon për Evropën. Loja është e rëndë
prandaj duhet luajtur tërhiq e mos e këput, dhe nëse Evropa e ngre zërin duhet
ndenjur urtë e shtrënguar rripi e le të shkojë thika në ashtë, apo nuk shikoni
sa mirë po i ecën Spanjës dhe Portugalisë kështu. Qeveritë e tyre rrinë urtë e
butë e rritin taksa e shkurtojnë vende pune e ulin paga ndërkohë e lusin Zotin
që popujt e tyre të mos rebelohen se sa për ato do paguhet harac gjithë jetën.
Lojërat bankare të numrave me ulje e ngritje koeficentesh evropiane, bursa e
luhatje të euros e të dollarit e të naftës bëjnë kërdinë me panik në popujt që
janë pjesë e euro grupit pa ia prishur humorin ndonjë populli që është më shumë
me një këmbë andej se këndej. Shpeshherë ato janë para virtuale të cilët popujt
as që i kanë parë e lë më prekur, para që jepen me firmën e politikanëve dhe
bankierëve, me përgjegjësinë virtuale të ofertave dhe përqindjeve, para që fluturojnë
e zhduken nga të njëjtët autorë, por që pastaj duhen paguar nga gjaku dhe
djersa e ballit e popujve.
Për një person që më shumë merret me
filozofi se me ekonomi, por që jeton me këmbë në tokë, një nga manualet më të
mira të së drejtës juridiko-ekonomike është padyshim vepra e Shakespeare: Tregëtari
i Venecias. Kështu kjo vepër prekëse deri në lotë, gëzimi në fund, ngjan sot
aktuale. Aty janë Bassanio dhe miku i
tij Antonio me anijet e mbytura, përballë afatit dhe borxhit, dhe nëse nuk e
kthejnë borxhin në kohë banka ruan të drejtën e prerjes së një kileje mish nga
trupi i Antonios, ku të dëshirojë bankieri Shylock. Natyrisht që nuk bëhet
fjalë vetëm për para, por për vlera njerëzore, për trishtimin, vetminë dhe melankolinë,
e në fund edhe për tradhëtinë dhe dashurinë. Dhe kjo vepër teatrale dihet si
mbaron sepse Shakespeare nuk shkruante vetëm tragjedi, dhe se as bankieri nuk e
kishte parashikuar të priste pa derdhur gjak.
Për të përfunduar më duhet të
kthehem në fund të fillimit, sepse gjithandej dëgjoj fjalën referendum. Ky, mbase pak i mbivlerësuar dhe i nxituar më
kthen në fillimet e krishtera. Si dje me duket
referendumi i organizuar shpejt e shpejt nga Pilati. I surprizuar nga vendimi
popullor ai nuk arriti të lante mirë as duart, le më ndërgjegjen e tij. Bëhuni gati pra se populli dikë do të
kryqëzojë, dhe nuk do të mjaftojë larja
e duarve, sepse në hipokrizinë evropiane të gjithë e keni hedhur gurin e parë.


No comments:
Post a Comment