Tuesday, December 27, 2016

Autobojkoti

Autobojkoti
Media group JAVA www.javanews.al  
            Autobojkot, mund të duket si fjalë e huaj dhe e largët nga jeta jonë personale dhe sociale. Megjithatë edhe ju do keni vënë re se s’kalon ditë a orë pa dëgjuar: “ky vend nuk bëhet”. Dhe kjo i kalon kufinjtë e autobojkotit personal të shumë njerëzve: “është shumë vonë për këtë”, ose “nuk është punë që e bëj dot”, ose “tepër e bukur/i bukur për mua”, apo “jam i paaftë për atë”, “shkollë e vështirë, po e lë fare” etj. Të gjitha këto e të tjera kanë brenda farën e autobojkotit.
Autobojkoti është një problem psikologjik serioz, nëse e shikon nga pikëpamja individule. Terapisti B. Stamateas në librin “Autobojkoti: kur toksiku je ti”, tregon se si “uni” ynë pesimist mund të shkaktojë probleme vërtet serioze nëse ia vëmë veshin. Nëse nuk e ke armikun brenda, armiku i jashtëm s’të bën dot asgjë. Por kur toksikët janë ngado dhe ti mbase padashje je pjesë e tyre shpesh herë, si i bëhet? Këtë fenomen nuk e përmend Stamateas, sepse mund të mos e ketë hasur në Argjentinën e tij me shumë probleme edhe sociale. Se shprehjen “ky vend nuk bëhet” nuk e ka përvetësuar asnjë popull më mirë se ne. Seriozisht ne përbëjmë një fenomen social shumë të veҫantë. Keni dëgjuar njeri të flasë mirë për politikanët tanë? Ata janë të zgjedhurit, të votuarit, më të mirët, janë bij të këtij vendi, miqtë e dikujt që është miku ynë, kushërinjtë e dikujt tjetër që e kemi shok. Nëse ju i shkoni në zyrë ndonjërit prej tyre, ai mund të jetë po aq toksik sa një dembel servil. Gjëja më optimiste që mund të thotë: Nuk kam gjë në dorë. Nuk do shumë mend për të arritur në konkluzionin se kur sjelljen negative të një individi e kanë shumë individë kjo përbën një problem social. Sepse nëse njëmijë vetë bëjnë të njëjtin gabim, ky prapë gabim është dhe nuk bëhet dot virtyt, thotë E. From, një nga psikologët socialë më të njohur amerikanë.
Rrëmuja kombëtare territoriale që vizualisht përshkojmë ҫdo ditë nuk i lë gjë mangut asaj që dëgjojmë. Rrugët e parregulluara, pa ndriҫues, pa mbrojtës, kaos trafiku, plehra gjithandej dhe fasadat e rëna të godinave e qindra detaje në mungesë e të tjerë të lënë pas dore dalin komplet nga normaliteti i një mendjeje të rregullt. Për një psikolog, kjo rrëmujë është jo vetëm burim stresi por edhe  tregues i një Sindrome Diogjeni, në rastin tonë aq progresiv e të përhapur sa do të përbënte një tjetër problem social.
Megjithatë, ndryshe nga popujt e tjerë që sapo e identifikojnë një problem marrin masa, edhe radikale, ne me sa duket presim, presim nuk e di ҫ’mrekulli kur edhe si besimtarë jemi po aq të hallakatur. Padyshim që fytyra e vuajtjes dhe vështirësitë janë të ngjashme dhe të pranishme në të gjithë popujt e botës. Shumë prej zgjidhjeve janë të thjeshta, shumë të thjeshta, mjafton të arsyetojmë pak.  E para është të hapim sytë e të pranojmë realitetin, se nuk mund të presësh ndryshim kur bëjmë gjithnjë të njëjtat veprime ose gabime. Ҫfarë bëjnë popujt e tjerë që janë të lumtur? Por ҫfarë bëjnë ata dhe nuk bëjmë ne, sigurisht. Si punojnë, sa punojnë? Studiojnë? Si organizohen? Dhe kush kërkon llogari? Përgjegjësi? Arsyetojnë, padyshim. Një gjë është e sigurt: ҫdokush kërkon përgjegjësi për padrejtësitë që i bëhen, kjo është shumë personale. Sipas Stamateas të cituar më sipër: Dështimi personal më i thellë që vuajnë qeniet njerëzore është ai që bën ndryshimin ndërmjet asaj që dikush është i zoti të jetë me atë që ka arritur.
Jo shumë larg nga Tirana është një vend i mrekullueshëm. Në rrugët e tij ju do hasni tabela të mëdha që iu kujtojnë: Mos harroni se jetoni në një vend të mrekullueshëm! Tabela që ju ftojnë të vizitoni fshatrat anës rrugës, që të konsumoni produktet kombëtare, që të udhëtoni, e të jeni të lumtur. Në stacionet e shërbimit makina juaj do të qëndrojë nën hijen e pasqyrave që shfrytëzojnë energjinë diellore. Policë të sjellshëm me uniformat për shtat elegante, me ҫizmet e lustruara e armët flakë, do të ju pyesin nëse ju duhet ndihmë dhe do të ju shoqërojnë kudo që të keni nevojë. Pastaj do t’i afroheni qytetit dhe që në hyrje do të shihni shkëlqimin e zhvillimit të tij aktual. Lagjet e reja me hapësira të mëdha të gjelbra, pallatet jo të larta e rrugët e gjera, hapësirat publike, shkollat e spitalet bashkëkohore, të mirë menduara në detaje e të rregulluara siҫ duhet të ishin edhe te ne. Njerëz të shëndetshëm e të dashur qeshin me të madhe pa komplekse në terracat e bareve dhe shijojnë momentin e jetën me brioshët e kapuҫinot. Dikush ju kujton ҫdo ditë dhe sa herë dalin në rrugë se jetojnë në një vend të mrekullueshëm, jo shumë larg Tiranës, në Bari të Italisë. Psikologjia sociale e kujdesjes së detajit, e kujdesjes së njeriut. Ҫfarë bëjnë ata që nuk bëjmë ne?

                                                                                                                                   Erion Hiluku

As për një milion dollarë

As për një milion dollarë
          Imcake, e zgjuar flakë, e edukuar mirë, shkruante poezi dhe i binte mandolinës. Për familjen e saj të pasur, mjafton të themi tre fjalë me të cilat e njihnin, “Bujar si Bojaxhinjtë”. Shumë shpejt bota do të ishte e vogël për të dhe ajo do të bëhej një nga njerëzit më të famshëm të kohës. Që 18 vjeҫ emigroi, studjoi, punoi shumë dhe krijoi një rrymë të re të bazuar në një metodë dashurie 2000 vjeҫare. “Me më të varfërit e të varfërve”. Ishte e famshme, fitoi Nobelin, ishte mike e ngushtë e Princeshës Diana të Anglisë, e Dalai Lamës aso kohe të ri, e Papës Gjon Pali i II, e vazhdimisht e ftonin në konferencat më në zë të Kombeve të Bashkuara.
Kishte një kapacitet lideri që edhe sot e kësaj dite e kanë lakmi shumë politikanë e biznesmenë. Për pak vite ajo ndërtoi shtëpi në më se 100 vende të botës, për më të varfërit e të varfërve. Duke i qëndruar besnik kontekstit, nuk duhet shumë për të kuptuar se e gjithë jeta e saj do të ishte providenciale. Pas një jete që rrëmben zemrat e miliona njerëzve qëndron i Biri i një zdrukthëtari me të cilin ajo mbante një dialog të vazhdueshëm.
Në ҫdo cep të botës, te varfëria e braktisja, në skajet e jetës aty në kufirin me vdekjen, janë njerëzit e Nënës. Sërish në kontekstin e jetës së tyre, që nuk duhet harruar, ata kanë një ndihmë të madhe, Krishtin. Ai është mbështetja dhe siguria për jetën e tyre. Kanë Krishtin dhe kanë gjithҫka.  
            Shumë njerëz të famshëm, politikanë e të tjerë afrohen shpesh për të kundruar mrekullinë e thjeshtësisë e të dhënies së jetës, të kujdesit të pakufi. Të varfërit e saj janë të lumtur me dashurinë deri në supën e thjeshtë. Të moshuarit që ata kujdesin janë në paradhomën e parajsës, buzëqeshja dhe bekimet i shoqërojnë në ҫdo minutë. Të sëmurë me patologji të rënda, fëmijë trizomikë, poliomelitikë, rrakitikë, të kequshqyer me paraliza cerebrale e paaftësi fizike të pakataloguara, të gjithë të braktisur nga shoqëria ku kanë lindur, përkujdesen me dashuri hyjnore nga Motrat e Nënë Terëzës.
Shteti ynë kaotik dhe shoqëria jonë e pazhvilluar në rrugën e dashurisë japin padyshim një kontribut të madh për të mbushur shtëpitë e Nënës. Dhjetëra të moshuar të braktisur, të sëmurë të hedhur rrugëve në një vend pa shtet social, pa organizim e mbi të gjitha drejtuar nga njerëz shpesh të paaftë dhe pa njohuritë bazë të njeriut të qytetëruar, gjejnë jetën dhe kujdesin vetëm në shtëpitë e Nënë Terezës. Kam patur fatin e keq të vërtetoj se si autoritetet tona shtetërore as nuk kanë informacion për të moshuarit që kanë në përkujdesje Motrat e Nënë Terezës, as në Tiranë, sa të sëmurë kanë në kujdesje Vëllëzërit e Saj në shtëpinë për të sëmurë në Bushat apo në Shkodër, kur në vendin tonë institucionet shtetërore të përkujdesjes së jetimëve e të  sëmurëve janë mbyllur gati të gjithë. Institucionet tona shtetërore janë indiferentë kundrejt nevojave që mund të kenë motrat e Nënës për ndonjë lehtësi rruge, uji, asistence mjekësore e sociale, apo ndriҫimi në zonat ku jetojnë. Mungesa e madhe e solidaritetit dhe indiferenca në shkallë të gjerë sociale shkëlqejnë më shumë në këto ditë të rëndësishme përpara shenjtërimit zyrtar të Nënës kur të gjithë popujt e botës gëlojnë nga aktivitete sensibilizues bamirësie.      
Me të varfërit e Nënë Terezës, miqtë e saj të vërtetë, do të mblidhen edhe dhjetëra politikanë e të famshëm të tjerë në shtator për të marrë pjesë në shenjtërimin e saj. Megjithëse mike e politikanëve, Institucioni i Nënës nuk pranon dhurata ekonomike nga shtetet apo qeveritë e vendeve ku punojnë. Miliona njerëz që jetojnë në shtëpitë e saj në të gjithë botën do të ndjekin  në televizor shenjtërimin e saj, ndërkohë që hanë një pjatë të ngrohtë gatuar me dashurinë e motrave të saj. Mijëra motra e vëllezër të Nënës do të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme të shërbimit të dashurisë, të zhytur në misterin e një Zoti që i shoqëron në ҫdo frymëmarrje.
  Miljona dollarë do të shpenzohen në udhëtime, në hotele e transporte, e shumë prej tyre vetëm për një foto me të, e në rrugë e sipër për një foto me të varfërit e Nënës që nuk kanë gjë tjetër mbas shpirtit dhe votës. Këta të fundit nuk do të kenë mundësi të udhëtojnë të gjithë në Romë për të treguar mirënjohje, por së bashku me Motrat e saj do të jenë në lutje në dhjetëra qytete të mbarë botës. Në një konferencë të Kombeve të Bashkuara, Nëna do t’i pyeste liderët: A i njihni njerëzit tuaj? A i doni ata?
          Si shumë të tjerë që deshën të prekeshin nga fama e shenjtes edhe Rita Hayworth vizitoi njëherë një leprozeri të Nënë Terezës. Ndërsa vizitonte sallat ku dergjeshin ata të sëmurë të gërryer nga lepra e sëmundjet e tjera, aktorja e famshme nuk mundi t’a përmbante tmerrin që i shkaktoi një mjerim i tillë. Duke iu drejtur Nënës i tha: “Kjo punë që bëni ju dhe motrat nuk ka të paguar. Unë nuk do t’a bëja një gjë të tillë as për një milion dollarë” Nëna ju përgjigj: Për një milion dollarë nuk do t’a bënim as ne.
          Shumë do të vrapojnë në shenjtërimin e Nënës, pas pak. Po a e kemi kuptuar Nënën në madhështinë e thjeshtësisë së saj? Sa jemi thelluar, sidomos ne shqiptarët? Se ne jemi krenar për të, pa ditur se pikërisht aty në atë krenarinë dhe dëshirën për t’u dukur, në tangërllekun fodull e injorancën, aty nuk është ajo. Nëna e thjeshtë, kur i dhanë ҫmimin Nobel, nuk e deshi darkën me salltanetet por kërkoi të merrte lekët që të shtronte një darkë modeste miliona njerëzve nëpër botë. Mijëra shqiptarë luftojnë për bukën e gojës në vendin tonë, që nuk është i varfër, por merret me mend se nga shkojnë paratë e pasuritë.
Jo vetëm përfaqësuesit e shtetit, por të gjithë shqiptarët jemi në borxh me Nënën, kundrejt të varfërve vëllezërve tanë po, por edhe për atë spitalin që për ta i premtoi qeveria jonë demokratike dhe që ka pak gjasa të bëhet realitet.
          Më 29 nëntor 1964, Nënë Tereza ishte e ftuar në Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar, drejtuar nga Papa Pali i VI, në Bombay. Rrugës për aty Nëna takoi një ҫift të moshuarish që agonizonin nën hijen e një peme. U ndal me ta, i ndihmoi e priti derisa burri vdiq në krahët e saj. Pastaj Nëna e ngarkoi mbi supe të sëmurën dhe e ҫoi në një nga qendrat e saj. Kur mbaroi punë ajo edhe ceremonia e Papës kishte përfunduar.

Erion Hiluku
www,javanews.al 31.08.2016

Mire se vjen 112

S’ke nga ja mban pa kaluar ndonjëherë nga qendra. Trafiku funksionon në mënyrë të tillë që të mund të hedhësh një sy punimeve përreth Skënderbeut. Po vazhdoja kështu ngadalë e shihja edhe reklamat e mëdha të numrit të ri të emergjencave, 112, të varura për së gjati. Sponzorizuar nga BE, kontributi i fundit më i madh i saj. Urime!
U lumturova pa masë. “Numri i përbashkët që shpëton jetë”, -thoshte sllogani. Më në fund!
Meqë është bërë kjo punë me kontributin e BE (Bashkimi Evropian, bie fjala) sigurisht që do të jenë përdorur të gjitha standartet e tij, në kuadrin ligjor, e pastaj në infrastrukturën teknike e stafet që drejtojnë ambulancat, policinë dhe zjarrfikëset. Dhe u gëzova vërtet, sidomos për ambulancat. Padyshim që pika e nisjes e këtij super projekti që na afron me BE do ketë qenë aprovimi i kuadrit ligjor ku duke ndjekur shembullin e disa vendeve të saj, garantohet me ligj koha e mbërritjes së shërbimeve të emergjencës, si p.sh. Gjermania të mbërrijnë në më pak se 12 minuta, ose një kohë të mesme si Anglia, 8 minuta, se Danimarka që e ka 5 minuta, mund të na zinte me telefon në dorë.
Normalisht që do të jenë dizenjuar më parë dhe vënë në punë sistemet e kontrollit të cilësisë për aktivitetin e shërbimeve të emergjencës, në të njëjtën kohë dhe me urgjencë iu janë vënë në dizpozicion atyre profesionistëve, përveҫ formimit, edhe mjetet shkencore dhe teknike për trajtimin e pacientëve. Do të jenë skematizuar edhe sistemet e garancisë të cilësisë së shërbimit të urgjencave duke u nisur nga përkufizimi, misioni, vizioni, linjat strategjike dhe standartet. Sepse cilësia e shërbimeve mjekësore është në modë në BE kështu që ata nuk do kenë bërë një përjashtim për qytetarët shqiptarë. Fundja edhe ne jemi pjesë e OBSH (Organizata Botërore e Shëndetit, sigurisht) e cila e përkufizon (1985): Cilësia e asistencës shëndetësore është të sigurojë që ҫdo pacient të marrë të gjitha shërbimet diagnostike dhe terapeutike të nevojshme për një shërbim shëndetësor optimal… Dhe kjo fillon me një telefonatë te 112 tani. Sepse, OBSH përkufizon edhe urgjencën për ne dhe për BE njësoj.
Në rrugë e sipër po mendoja se ndonjë qytetar shqiptar kur të marrë vesh këto do të thotë me një psherëtimë: “të lumët ne për shërbimet e emergjencës”, se patjetër përfaqësuesit e BE përpara se të bëjnë këtë shpallje me bujë do kenë organizuar gjithҫka. Se padyshim shqiptarët e dinë rëndësinë që kanë ambulanca dhe zjarrfikësit, mjekët, policia, ekipet e kërkimit dhe shpëtimit dhe ekipet e përgjigjes në raste të katastrofave, prandaj paguajnë edhe taksa pa fund. Kështu ata do të kenë bërë më përpara trajnime të gjithë bashkë, që të organizohen dhe të njohin aparaturat e njëri tjetrit që janë të ngjashme. Se për infarktet dhe traumat e rënda që ndodhin në vendet e BE dhe janë të zakonshme te ne, kanë defibrilatorë, ventilatorë të automatizuar, aparatura ringjalljeje kardio pulmonare, aparate për ndalimin e hemorragjive, aparatura stabilizuese për traumat të cilat di t’i përdorë i gjithë personeli i emergjencave. Se me këtë ritëm 112 drejt BE, defibrilatorët automatikë duhen vendosur edhe në makinat e policisë, edhe në aeroporte e qendra tregtare, imagjinoni po t’i ndodhë gjë ndonjë qytetari të BE që gjendet rastësisht këtej. Shqiptarët nga pikëpamja njerëzore e ligjore si të gjithë qytetarët e BE jemi.
Të gjitha këto do jenë bërë para se të shpallej me kaq sukses 112, e sigurisht që departamentet e urgjencës do të kenë tashmë përveҫ uniformave e mjeteve, edhe ekipet e tyre të diagnostikimit radiologjik dhe sonografik me laboratorë bazë, veҫmas për të evituar vonesat si në vendet e BE.
Aq i rrjedhshëm është trafiku në Tiranë, saqë mund të vëresh sesi shoferët komunikojnë me smartfonët e tyre pa u shqetësuar, e madje ndonjëri u bën edhe foto lypsave që pushojnë nën mbrojtjen e Heroit Kombëtar, në hijen e reklamave të “Call Center”, sepse ka mënyra për të bërë Evropë.
Erion Hiluku
www.javanews.al
Qershor 2016

Tuesday, June 7, 2016

Parandalimi i rrezikut kardiovaskular dhe rehabilitimi kardiak.

Parandalimi i rrezikut kardiovaskular dhe rehabilitimi kardiak.
                Parandalimi i sëmundjeve kardiovaskulare vazhdon të jetë një nga aspektet më të rëndësishme, mbase më i rëndësishmi, i kardiologjisë moderne. Megjithëse me kalimin e viteve vendet e zhvilluara kanë arritur të parandalojnë disa kardiopati, si ato me origjinë reumatike, sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i vdekshmërisë patologjike. Në SHBA janë përgjegjëse për 50% të vdekjeve. Millona persona në botë kanë një infarkt miokardi ҫdo vit dhe afërsisht një e treta e tyre kanë një fund fatal. Ata që mbijetojnë kanë një rrezik vdekshmërie 2 deri në 9 herë më të lartë se popullsia në përgjithësi. Gjatë vitit të parë pas një infarkti miokardi vdesin 27% e meshkujve dhe 44% e femrave. 
            Kanë kaluar më se 50 vjet që nga publikimi i parë i Organizatës Botërore të Shëndetit, për përfshirjen e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare në programe rehabilitimi. Objektivi kryesor i rehabilitimit kardiak është rritja e cilësisë së jetës së të sëmurit dhe përmirësimi i prognozës. Për këtë është e nevojshme puna e koordinuar e disa specialiteteve mjekësore dhe mbështetja e institucioneve shëndetësore me politikat e duhura. Studime shumëvjeҫare mbi rehabilitimin kardiak kanë demostruar statistika domethënëse në uljen e vdekshmërisë së pacientëve dhe rentabilitet në shpenzime shëndetësore.
Megjithë rezultatet e shkëlqyera të rehabilitimit kardiak në nivel botëror, në Shqipëri ka një zhvillim fillestar dhe gati eksperimental. Kryesisht sepse kemi një mungesë të theksuar infrastrukture dhe personeli të kualifikuar, shto kësaj edhe shkaqe të tjera në varësi të analizës së shërbimeve publike dhe private. Teorikisht shtrirja e qendrave shëndetësore në të gjithë territorin e Shqipërisë, spitaleve, stadiumeve dhe klubeve sportive publike në qytete bën të mundur rehabilitim kardiak në nivel kombëtar, por vetëm teorikisht.  Përballë tyre është realiteti me indiferencën e plotë të institucioneve përkatëse. Mungesa e interesit nga kardiologët dhe këmbëngulja për protagonizëm e disa profesionistëve të tjerë që pretendojnë të marrin përsipër funksione për të cilat nuk janë të përgatitur e bëjnë të pamundur koordinimin e mjekësisë dhe fizioterapistëve të specializuar. Mjekësia private mban një qëndrim më pozitiv duke ndjekur shembullin e shërbimeve shëndetësore SHBA (p.sh. Centers for Medicare) me indikime në rritje për rehabilitim të këtyre pacientëve, por pamjaftueshmëria e mbulimit të siguracioneve private dhe shtetërore e lënë të cunguar edhe atë.
Programet e rehabilitimit kardiak (PRK) indikohen në pacientë me kardiopati të ndryshme, pacientë që i kanë mbijetuar infarkteve të miokardit, pacientë që iu janë nënshtruar ndërhyrjeve të ndryshme rivaskularizimi, pacientë me transplant kardiak, atyre që kanë bërë kirurgji valvulare, miokardiopatikëve, pacientë me aritmi, me pacemaker, me pamjaftueshmëri kardiake dhe ҫdo ditë e më shumë edhe pacientëve pa evidencë klinike të sëmundjeve koronare me qëllim parandalimin e tyre. Kjo panoramë iu ofron mundësinë e përmirësimit dhe rehabilitimit mijëra kandidatëve edhe në vendin tonë. Për të arritur rezultatet e dëshiruara duhen formuar ekipe të përbërë minimalisht nga mjekë kardiologë ose mjekë specialistë në rehabilitim kardiak, fizioterapistë të specializuar, infermjerë dhe psikologë. Është e rëndësishme po ashtu të kontrollohen faktorët e rrezikut si dislipedimia, hipertensioni arterial, duhanpirja, pesha dhe stresi. Përpara fillimit të rehabilitimit mjeku specialist duhet të vlerësojë rreziqet e pacientit dhe të përshkruajë intensitetin fillestar të ushtrimeve bazuar te prova ergometrike, e domosdoshme në ҫdo rast. Padyshim që duhen vlerësuar edhe karakteristika të tjera, si mosha, gjinia, aktiviteti fizik i zakonshëm, integriteti dhe kapaciteti muskuloskeletik dhe probleme të tjera shëndetësore.
   Vlerësimi i rrezikut kardiovaskular, është një hap tjetër i rëndësishëm që duhet marrë me urgjencë për parandalimin e patologjive. Udhëzimet e Bashkimit Evropjan për parandalimin e këtyre sëmundjeve që nga viti 2003 propozojnë modelin SCORE (Systematic Coronary Risk Evaluation) për vlerësimin e rrezikut kardiovaskular i cili përdoret në vendet e jugut të Evropës. Por parandalimi fillon që në fëmijëri duke patur parasysh alarmin mbi problemet e ritmit kardiak shkaktuar nga kequshqyerja dhe inaktiviteti fizik. Në këtë drejtim mund të jetë i nevojshëm dizenjimi i një plani kombëtar për ushqimin korrekt, aktivitetin fizik dhe parandalimin e problemeve të peshës, drejtuar të gjithë qytetarëve, por veҫanërisht fëmijëve.
Rehabilitimi kardiak rekomandohet të realizohet nën mbikëqyrje profesionale, me PRK, me stërvitje aerobike dhe rezistencë, shtuar kësaj edhe aktivitete fizike në jetën e përditshme. Ky rehabilitim gjatë 2 deri në 6 muaj do të arrijë një rritje të konsumit maksimal të oksigjenit ndër 11 deri në 36% me përfitim më të madh tek pacientët në kushte më të vështira, gjë që do të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës dhe do të ndihmojë më të moshuarit të jenë më të pavarur. Përmirësimi i parametrave kardio-respiratorë asociohet me ulje domethënëse të vdekshmërisë.
Siguria e këtyre PRK të mbikëqyrur nga fizioterapistë të specializuar, në qendra me prani urgjence mjekësore të pajisura me kardio defribilatore e barna emergjence është tashmë e njohur dhe përshkrimi i rehabilitimit individual e perfeksionon atë. Rehabilitimi kardiak ka demostruar ngadalësimin dhe reduktimin e pjesshëm të progresionit të aterosklerozës nëpërmjet faktorëve që ndërhyjnë gjatë stërvitjes së monitoruar: përmirësim i funksionit endotelial nga prodhimi i oksidit nitrik, zvogëlim i proteinës C reaktive dhe markuesve të tjerë inflamatorë, reduktim i peshës, zvogëlim i presionit arterial dhe i përqendrimit të triglicerideve, rritje e përqendrimit të colesterolit HDL dhe përmirësim i sensibilitetit ndaj insulinës. Efekti antiiskemik, me uljen e rezistencave periferike dhe kërkesës miokardike për oksigjen, përmirësimi i fluksit koronar, përmirësimi i elasticitetit koronar, rritja e diametrit arterial dhe shtimi i densitetit kapilar janë vlera të mëdha pozitive te përfituara nga rehabilitimi kardiak. Edukimi, këshillimi dhe ndërhyrja psikosociale do të ndihmojnë pacientin për një përmirësim të mirëqenies psikologjike dhe përmirësim të adaptimit social. 
Fatkeqësisht në vendin tonë pak pacientë e kanë “luksin” e merituar të rehabilitimit kardiak.  Sfida e futjes së programeve të rehabilitimit në sistemin përkujdesjes shëndetësore është një urgjencë për autoritetet e Shëndetit Publik dhe për vetë qytetarët që të informohen e të përqafojnë mënyrat e reja të rehabilitimit dhe t’i kërkojnë ato si një e drejtë që iu përket. Vonesa e mbërritjes së shërbimeve të emergjencës me mangësitë e tyre jo vetëm teknike e boshllëqet  e tjera në hallkat e përkujdesjes së Shëndetit Publik e bejnë të domosdoshëm parandalimin e rrezikut kardiovaskular. Një strategji kombëtare mund të startojë me formimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e marrëdhënieve me pacientin. Nëpërmjet programeve të rehabilitimit kardiak të cilët kanë një kosto të ulët do të mund të evitojmë shpenzime me kosto shumë më të lartë në një të ardhme të afërt.
 Erion Hiluku




Monday, May 23, 2016

Sekspres

Sekspres
Para pak ditësh një televizion kombëtar transmetonte një reportazh seksi kibernetik në  orarin e darkës. Ideja ishte se si gjendej një  punë  e lehtë,  por pa sigurime shëndetësore, duke u zhveshur para një  kamere. Një emision tjetër transmeton videot pornografike të një  politikani në  hotel me dashnoren e tij pa iu prishur fare oreksin mijëra njerëzve. Të nesërmen mijëra shqiptarë  kanë  parë  videot në  “youtube”, pa të  keq dhe me normalitet. Dhjetëra skandale të  tjera seksuale ndiqen me kuriozitet masiv, jo vetëm nga burra, por edhe nga femra e adoleshentë  të  dy gjinive. Dhe nuk janë vetëm politikanët protagonistë, por edhe artistë  e personazhe publikë (shumë e gjetur kjo) të  fushave të  ndryshme që  fitojnë  klikime pa prezervativ. Por nuk mbetet këtu. Në  vazhdim të  “pornovelës” kombëtare e interpretojnë  moralin e  ngjarjes dhjetëra të  tjerë, nëpër studio televizive dhe gazeta. Padyshim që  edhe shoqëria jonë  do të  “modernizohet” dhe s’ka pse skandalizohet më  nga historitë  seksuale të  politikanëve, të  komshinjve të … Në  paradoksin e këtyre ndërhyrjeve pak kush vëren se shpesh inmoraliteti propozohet si moral, me aq këmbëngulje dhe argumente saqë  duke mos dalë  kush në  mbrojtje të  moralit, inmoraliteti bëhet normalitet.   
Por kjo është  vetëm maja e ajsbergut. Padashur, mbase, mijëra vetë janë bërë  ndjekës të  këtyre historive duke shikuar e interpretuar pornografi. Po, pornografi, skandalizohu po deshe. Pas kameras së vajzës që  zhvishet është  një  person që  paguan për të  parë  porno. Video e skandalit që kërkohet dhe klikohet me mijëra herë është ndjekje pornografie. Përtej videos, skandali është  më  i madh. Janë  mijëra njerëz që  kërkojnë, shohin, shkarkojnë  dhe ndajnë me njëri tjetrin ҫdo ditë  e më  shumë  histori të  tilla e të  tjera. Po kjo nuk ka ndonjë  rëndësi sociale për shtetin tonë  aq virtual, që  edhe të  kontrollonte pornografinë  e kishte mangut.
Përdorimi i pornografisë  në  internet ndërkohë  shtrihet për shtatë  palë  qejfe në  nivele të  ndryshëm socialë, duke krijuar varësi me shpejtësi. Realiteti që  nuk të  fal, na ka dhënë  sinjale të  shumta të  përmasave patologjike të  kësaj varësie, jo vetëm, por edhe të kriminalizimit të saj, ku  grupe e individë të  ndryshëm e përdorin tashmë  internetin dhe videot porno për shantazhe të  ndryshme.
Mediat vizive japin kontributin e tyre të  ҫmuar në  përkeqësimin e situatës duke transmetuar papushim imazhe e skena me ngarkesë  seksuale, në  kufi të  pornografisë. Ndërkohë  që  personazhe publikë  tregojnë, gjoja pa paragjykime, mini-historitë  e tyre seksuale duke pozuar demek si të  pakompleksuar, kur në  fakt bëjnë  një  biznes me pornografinë.
            Studimet sociale tregojnë  sesi pornografia bëhet shumë  shpejt e zakonshme në  jetën e njeriut duke ҫuar përdorimi i saj në  mungesë  sensibiliteti, mërzitje, e shtrembërim realiteti. Pornografia e stimulon idenë  se degradimi i femrës është  i pranueshëm, duke patur parasysh se përdorimi i pornografisë  është  shumë  më  i shpeshtë  tek meshkujt. Ekspozimi i materialit seksual, në  Internet, në  revista dhe televizion lidhet ngushtë  me idenë  patologjike se femrat janë  objekte seksuale. Studimet neurofiziologjike vënë në dukje  kapacitetin e pornografisë  për të  formuar zakone emocionale e varësi, ndërkohë  që  përsëritja me ekspozim të  vazhdueshëm formon  koneksione  të  reja neurologjike që  arrijnë  në  përvetësimin e sjelljes negative. Ekspozimi i adoleshentëve dhe të  rriturve me materiale seksuale, kryesisht në Internet, krijon një  pengesë  të  madhe në  zhvillimin dhe në  jetën seksuale të  shëndetshme tek të  rriturit.   Pasojat psikologjike dhe familjare të  konsumit të  pornografisë  janë  akoma më  të  rënda: divorce, dhunë, probleme fizike dhe mendore, sëmundje seksualisht të  transmetueshme, shtatzani edhe jashtë  martesore, etj.
            Ҫensura shumë  vjeҫare, mungesa e kulturës, ekspozimi i dendur vizual i përmbajtjeve seksuale, mungesa e një  edukimi social gjithëpërfshirës, mungesa e etikës profesionale jo vetëm e mediave, mungesa e shtetit ligjor kundrejt krimeve seksuale, e bëjnë  shoqërinë  shqiptare viktima më  e lehtë  e bombardimit të  një  bote të  seksualizuar. Nëse vendet e tjera të  zhvilluara kanë  dekada që  marrin masa shëndetësore, edukative  e sociale në  fushën e mirëqenies psikologjike e të  jetës seksuale, kurioziteti masiv dhe i shfrenuar i mijëra personave në  shoqërinë  tonë  kundrejt aferave seksuale tregon pikërisht papjekurinë  e saj në këtë  drejtim.   
Padyshim që  në  luftën kundër këtyre zakoneve që  i paraprijnë  shkatërrimit të  individit familja ka rëndësi të  veҫantë. Marrëdhënia korrekte e dashuria e babit dhe mamit, stimulimi i dashurisë  për familjen dhe vlerat e saj, marrja e përgjegjësisë  e ndërgjegjësimi i prindërve janë themelore. Në  një  shoqëri teknologjike, kjo do të  thotë  kontroll dhe vigjilencë  e Internetit dhe televizionit që  përdorin fëmijët.
Në  fund, përgjegjësia më  e madhe në  mirëqenien sociale të  një  kombi është  e qeverisë. Ajo ka për detyrë, që  nëpërmjet drejtësisë, përkujdesjes shëndetësore dhe edukative, t’a mbrojë  qytetarin, veҫanërisht fëmijët dhe adoleshentët, t’a përkujdesë  shëndetin e tij mendor dhe fizik dhe t’i ofrojë  edukimin e duhur në  lartësinë  shkencore të  periudhës që  jetojmë. Pornografia sulmon një  nga institucionet bazë, familjen dhe nëse kjo nuk mbrohet edhe  institucionet e tjera si shkolla, spitali, drejtësia do të  kenë  probleme serioze, sepse të gjitha funksionojnë në  zinxhir. Prandaj është  detyrë  e qeverisë, të  mos rrijë  kot duke pritur, por të  reagojë  me urgjencë  dhe të  veprojë përpara se të  jetë  tepër vonë  e të  përballemi pastaj me probleme sociale akoma më  të  rënda.

Erion Hiluku
Gazeta Shekulli

Një muaj pas festave

Një muaj pas festave

            “Plaku është si fëmija”, thotë populli, dhe kjo është nga ato herë që nuk gabon. Pata mundësinë ta provoja këtë tek një emision për të moshuarit në një nga televisionet tona kombëtare. Skenari ishte i denjë për hollivudin, minimumi: në njërën anë të ulur në një divan të rrënuar qëndronin pesë a gjashtë të moshuar seriozë, të cilët të veshur me kostume të sajuara dhe me buzëqeshje të ngrira mbronin institucionin e tyre të mrekullueshëm.  Në prapavijë qëndronte një grup tjetër i komunitetit të vogël që iu mbante ison të parëve me ndonjë duartrokitje të pa sinkronizuar. Për pak minuta kuptova se jetonin në një parajsë të sponsorizuar nga shteti dhe se taksat e mia më në fund kishin gjetur një vend ku të shpenzoheshin lirshëm e mua s’ka pse të më vijë keq më e as kam pse ankohem për keqpërdorime apo qoftë larg abuzime, nga nëpunësit e shtetit tim. Në mes tyre kish qëndruar një gazetare bjonde që buzëqeshte papushim dhe i mbante si të hipnotizuar të pranishmit me aurean e saj prej shenjtoreje moderne. Shtirej si në shtëpinë e saj ndërkohë që iu drejtohej me emër të pranishmëve përfshi këtu edhe një Ministri i cili gjendej në panelin përballë bashkë me gazetarët dhe nëpunës të lartë të shtetit. Nejse, pra nuk mungonte gjë prej gjëje. Dukej sikur të gjithë bashkë kishin ngrënë një darkë Krishtlindjesh franceze me paté, rosa të pjekura e Don Perinjon në kuzhinën e rezidencës (kështu quhen azilet duke ndjekur stilin e BE) ku padyshim nuk mungonte asgjë. Edhe pyetjeve të një gazetari gërricës që gjendej aty ja thyen turinjtë shpejt e shpejt. -Jo more zotëri këtu nuk na mungon gjë, ju jeni me fiksime. Neve na mungon vetëm një gjë; dashuria. Vetëm për këtë kemi nevojë.  Mbeta krejt i habitur nga kjo parajsë e re e gjendur pikërisht në mes tonë: të paktën nja tridhjetë a dyzet vetëve ju paskemi krijuar kushte të jenë të lumtur. Ç’kuptim do të kish një oaz pa shkretëtirë? Sa për dashurinë që ju mungonte nuk u shqetësova shumë se ky është një problem botëror dhe mund të bëhet hall edhe pa të.
            Ministri vetë, i gjendur në një mjedis kaq fantastik filloi të iu shpjegonte me elegancë edhe sistemin e ri të pensioneve e masat e tjera të marra nga shteti për të rritur mirëqenien e 600 mijë pensionistëve të tjerë. Këta, meqë ra fjala, akoma nuk janë në parajsën e moshës së tretë.  Vetëm 200 vende kemi hë për hë. Kur gjermanët të bëjnë rezidenca për të moshuarit e tyre në bregdetin tonë mbase futim kokën edhe ndonjëri nga ne që dalim në pension pas 40 vjetësh, pra ju tani jeni në pikën e “prit gomar të mbijë bar”. Gjithë ato projekte e shpenzime në favor të moshuarve e pensionistëve saqë kur të arrijë të shpenzojë sa Ministri i Drejtësisë për çdo të burgosur, do të ketë lezet të dalim të gjithë në pension.
            Dukej aq bukur mjedisi saqë të moshuarit filluan me kërkesa e dëshira, nuk thonë kot “jepu dorën e të marrin krahun”. Njëri donte internet, të gjithë u surprizuan që nuk kishte, si ka mundësi, u tha u bë. Tjetri donte të hiqnin nja dy makina të vjetra nga oborri, të cilat nuk i kishin vënë re as gazetarët. -Na pengojnë për të dalë shpejt me taksi kur duhet të shkojmë në spital se helbete... Kujdes këtu, mos vazhdo se na prishet mjedisi paradiziak, po as gazetarët nuk ia varën këtij komenti. Për të shkuar në spital duhet të merrni taxi? Lëre të kalojë këtë koment se keni në dizpozicion një ushtri doktorësh, psikologësh e punonjësish socialë e nuk keni nevojë të shkoni në spital as për të vdekur.  
Sa për ata që janë të shtrirë në dhoma si Gjergj Elez Alia më mirë të mos i përmendim se mos na prishet festa neve apo oreksi teleshikuesve. Ministri vetë bënte thirrje vazhdimisht për vullnetarizëm e pjesëmarrje sociale, e implikim të moshuarish në punë të ndryshme. Kjo më duket gjë e bukur, madje edhe e mundur, sikur të kuptoja pse i paguajmë ato punonjësit e rezidencës “paradiso”. Përsëri këmbëngul Ministri me vullnetarët ndërkohë që i mungon vetëm të lajë duart si Pilati. Shteti nuk mund të bëjë gjithçka. Por kësaj fjalie i tepron fjala “nuk”. Zotëri nuk lihen detyrimet e shtetit në duar vullnetariati. Me efikase është të kërkoni llogari për paratë që shpenzoni.  
            Zoti Ministër ju nuk keni pse lypni lëmoshën e firmave private që dhurojnë dy tre gjëra rezidencave me rastin e festave, pavarësisht se nuk e bëjnë këtë “as për marketing e as për bamirësi”. Paguajini të gjitha me taksat e mia, veç mos u bëni pjesë e hipokrizisë kombëtare. Plasën artistët dhe politikanët tanë duke bërë foto nëpër azile e “befotrofe” shtetërore, me rastin e festave. Pozohet mundësisht vetëm tek mensa, ku edhe era e urinës që karakterizon godinën është e mbytur disi nga era e gjellëve. Si një rrugë e dy tre punë është kjo; kujtohemi tani për ata që harruam gjatë gjithë vitit. Me një xhiro e një foto dëshmi, ia hedhim Zotit dhe ndërgjegjes, disa i hedhin edhe një grusht hi syve opinionit publik, i cili pa dyshim nuk i kapërdin më këto.
            Plakja është një gjendje e padiskutueshme që nuk kupton nga pasuria apo niveli social por i kap të gjithë personat pa dallim, megjithatë efekti mbi ta do të jetë në varësi të gjendjes fizike dhe mendore duke qenë të dyja këto njësoj të rëndësishme. Shërbimi me standarte evropiane i të moshuarve, ku vërtet të mos iu mungojë gjë është çështje drejtësie, jo lëmoshe apo solidariteti social. Është një detyrim ligjor kundrejt atyre që kanë punuar gjithë jetën, është detyrim që ka në rradhë të parë shteti i cili menaxhon jo vetëm taksat tona por edhe pasuritë kombëtare të fituara e të trashëguara brez pas brezi. Përndryshe, ç’kuptim do të kish jeta po të vdisnim të gjithë pa u plakur?

Erion Hiluku

American lesson

American lesson
            Bën aq shumë zhurmë Tirana, saqë iu oshëtijnë veshët edhe shqiptarëve që banojnë në skajet më të largët të kufijve tanë. Shqiptarët jetojmë në ritmin e një revolucioni të paparë ndonjëherë nga njerëzimi: një krijesë e bijve politikanë që ka njëzet e pesë vjet që metastazohet e babëzitur duke gllabëruar gjithçka.  
Njëzet e pesë vjet histori në të cilën një dorë e zezë i ka dhënë drejtim për në varreza ose për në emigrim mijëra shqiptarëve, familjeve të tëra me gjithë fëmijë e pleq, po deshe mund të themi edhe ajkës intelektuale të Kombit tonë. Kur ndonjë institucion shtetëror të marrë përsipër të krahasojë këto njëzet e pesë vitet e fundit, me njëzet e pesë të parat e regjimit komunist, do t’i duhet shumë punë për ta fallsifikuar historinë, sepse ka shumë mundësi që të fundit të mos i lënë gjë mangut asaj periudhe errësire. Të vdekurit e të humburit e një kombi janë njësoj përgjegjësi e qeverive të tij, si kur i pushkaton vetë, kur i lë të vriten me njëri tjetrin, të mbyten në det, apo të vdesin nga mjerimi e sëmundjet.  
Kështu endemi me shpresën të humbur, duke u mbajtur nëpër krenaritë e së shkuarës, ndër lexime të Fishtës e Agollit.  
Sepse më së pari, për të pasur shpresë, duhet një shembull, duhet një sinjal, një rreze drite. Ja që ndodh nganjëherë dhe aty kapemi, me zemër takikardike nga frika mos shuhet, dhe shtyjmë edhe ca kohë pa i bërë valixhet.  
Dikush tha një ditë në kafe a në shtëpi,  -një sekond ju lutem, ambasadori amerikan po flet shqip! 
            Kjo ishte shenja e parë. Shqiptarëve të thjeshtë që straparcohen në punë për të paguar taksat e rritura me një pincelatë, iu qeshi cepi i buzës. Amerika na foli me gjuhën e nënës, ndërkohë që një buzëqeshje e lumtur demokratike shoqëron çdo fonemë me një theks vatëror që të kujton zërin e inçizuar të Nolit. Nuk e di nëse e tha por neve na u duk sikur kumboi : “Për të iu mbrojtur dhe shërbyer”!  
            Përtej shpresës, buzëqeshja. Ky ishte leksioni i parë amerikan në fakt. Asnjëri nga politikanët apo nëpunësit e shtetit tonë nuk e imiton dot. E kanë të pamundur, pavarësisht se marrin leksione private për këtë edhe nga psikologë me famë botërore. Buzëqeshjet e nxituara të ngrira nga flashet janë përgjigja më trishtuese e kërkesave të qytetarëve. Më parë, diktatori Hoxha, u stërvit dhe praktikoi një ngërdheshje atërore për dyzet vjet duke implikuar përveç buzëve edhe sytë e gjestet, por askujt nuk i shpëtonte cinizmi në flegrat e tij.
            Është çështje sinqeriteti dhe ndërgjegjegjeje, dy koncepte të panjohura për shumicën e politikanëve e shpesh herë edhe nëpunësve. Është buzëqeshja e njeriut të realizuar, të arritur dhe që është në vendin e duhur e të merituar. Të mësosh gjuhën tonë akoma pa ardhur, nuk është vetëm për t’u lavdëruar. Padyshim që kjo përgatitje ka përfshirë edhe njohjen e historisë tragjike të Kombit tonë, dhe njohjen nga pikëpamja profesionale të sistemeve politike shqiptare. Ata që kanë studiuar gjuhë të huaja e dinë mirë se këto janë të pandashme. Një punë kolosale që është një gur i çmuar në karrierën e një diplomati. Kështu Presidenti Obama nuk e emëron rastësisht në Shqipëri, por pas një përgatitjeje të gjatë e në zotërim të shtatë gjuhëve të huaja, njëra më e rrallë dhe më e vështirë se tjetra dhe të një përvoje në vende mjaft të ndërlikuara. Përgatitja, puna dhe largpamësia janë leksione të tjera amerikane, për këdo që ka dy pare mend. Kështu si duket ka arritur deri këtu dhe do të vazhdojë më tej sigurisht, duke ndjekur Thomas Jefferson, i cili thoshte: “Besoj shumë në fatin e mirë: sa më shumë punoj aq më shumë fat kam”.  
            I pari i Amerikës në vendin tonë duket se nuk ka mësuar vetëm gjuhën por edhe ndjek zakonin e shqiptarëve më të shquar e fjalë pakë, atë “qesh e ngjesh” të famshme e të hollë. Shpesh fjalimet e tij mund të përmblidhen në:  “Armikun nuk ju a solla unë. Atë e gjeta këtu në mes tuaj”. Një leksion vlefshëm ky, por më interesant është leksioni amerikan kur qëndron në heshtje. Mënyra e tij e të dëgjuarit është jo vetëm leksion por art i vërtetë, me sa vërejta në një takim që kishte me disa zyrtarë të kollarisur. Ishte aq i përqendruar dhe karizmatik në mënyrën e të dëgjuarit,  saqë disa budallenjve aty u shkuan në mendje ide shumë inteligjente dhe i thanë ndërkohë duke shtrembëruar duart të nervozuar . Dukej si një leksion magjistral, ku për të edukuar në fillim u jepet një shembull se si duhet të dëgjojnë. Si një profesor që dëgjon nxënësit e tij, por që përmbajtjen e lëndës nuk do të mund ta vendosin sipas dëshirës së këtyre të fundit. Leksion.
            Pastaj foli, dhe vazhdoi të këmbëngulë në vetminë e së vërtetës, ndërkohë që shqiptarët urojnë që të mos lodhet. Shumë të pranishmëve në sallat e shtrenjta që paguhen me taksat tona nuk iu pëlqeu çfarë tha, por shqiptarët janë shumë më shumë se ata. Nganjëherë duket si Don Kishoti pa Sanchon, sepse të pranishmit në këto salla nuk e njohin dialogun. Relativistët e vegjël e të dëndur, pikërisht ata thonë që “nuk mund të jetohet në Shqipëri”, janë përgjegjës për këtë, dhe tani në inmunodefiçencën e inteligjencës së tyre këmbëngulin në një realitet të dyfishtë. Kështu, pas së vërtetës së thënë me buzëqeshje, qëndron një Komb i madh demokratik, që nuk ia hedh vallen maskarenjeve, dhe që nuk ka nevojë për paratë e tyre të ndyra turistike. Ja një leksion i hapur e brilant, ku Washingtoni i bie nga Tirana për në Bruksel. Mohimi i së vërtetës në sferën publike është sëmundje evropiane, ama në sjelljen politike tejkalon çdo kufi të imagjinatës njerëzore. Kështu e vërteta në zërin e tij, është një simfoni në veshët e shqiptarëve, dhe duke perifrazuar Nolin, shpresoj prapë, që të mos thotë pas pak muajsh, në prag të ndonjë tragjedie: fola e thashë ju dola borxhit! Të jetë i sigurtë se po dialogon përtej këtyre sallave të mbyllura, me mijëra njerëz që kanë të njëjtët ideale demokracie dhe drejtësie.
Me duket nganjëherë se vëzhgoj një efekt gati terapeutik në leksionet amerikane, ashtu si logoterapia e Dr. Frankl, ose terapia nëpërmjet fjalës. E vërteta dhe vendosmëria e tij janë një ndihmë jetësore për të kaluar këtë gjendje depresive popullore, e pa vërejtur më parë në ndonjë Komb tjetër në kohë paqeje. 
       

                                                                                                                        Erion Hiluku
Revista Java
www.javanews.com

Kultura jonë evropiane

Kultura jonë evropiane

            Sipas disa intelektualëve, politikanëve sidomos, e të tjerëve përfaqësues  me kredenciale ose jo, dhe të një mikut tim të shquar, ne jemi një popull me kulturë të gjerë evropiane, padiskutim. Sipas këtij të fundit, që mund të jetë edhe miku juaj, neve nuk na mungon gjë në këtë drejtim. Madje tani që kemi akses në kulturën evropiane nëpërmjet internetit, ku qenkemi përdorues intensivë, jemi pjesë e një bote globale dhe jemi në lartësinë e qytetërimeve moderne. Nuk po mendoj të argumentoj të kundërtën sepse zakonisht këtyre iu jap të drejtë, por po mendoj se si ta shtizoj ndërgjegjen e lexuesit tim që të mund ta dërgoj atë në kërkim të kohës së humbur dhe të mos më kalojë pa filtruar direkt në  Facebook.
Pikërisht në këto isha kur më erdhi në mendje një histori e hershme evropiane që fillon me personin që lexoi për herë të parë pa i lëvizur buzët dhe shpjegoi se si, dhe ishte Shën Ambrozi, të cilit i detyrohemi edhe shpikje të tjera jo më pak të rëndësishme për njerëzimin. Shën Ambrozi qe edhe mësuesi e miku i një prej njerëzve që më shumë gjurmë ka lënë në historinë e Evropës me jetën dhe veprën e tij: Rrëfimet e Shën Agustinit. Si parantezë, nëse nuk e keni lexuar akoma, ju rekomandoj ta lexoni pa humbur kohë, sepse duke qenë një nga majat e gjenialitetit njerëzor mund të ndryshojë jetën tuaj, sigurisht nëse ju a mban të rrezikoni.
            Kështu një ditë, Shën Agustini meqë kish rënë në pikë të hallit dhe nuk dinte çfarë të bënte me jetën e tij, shkoi në Milano të mësonte dhe të këshillohej nga Shën Ambrozi. Përveç mikut tonë të shquar i cili nëse ka arritur deri këtu tani do të jetë duke vjellur, të tjerëve na intereson të dimë, kush ishte Agustini? Përshkruhet si njeri i përdalë dhe i shthurur përtej imagjinatës njerëzore. I pajisur me një inteligjencë të jashtëzakonshme, i privilegjuar nga memoria dhe mundësitë ekonomike, gëzonte deri në ekstrem kënaqësitë tokësore, por gëzonte gjithashtu edhe kënaqësinë mendore si leximin e Platonit dhe Virgjilit. Në të vërtetë ai kërkonte nga jeta më shumë: përtej kënaqësive asnjëherë të mjaftueshme tokësore, përtej ekselencës si shkrimtar apo si mendimtar, kërkonte diçka që t’i mbushte shpirtin. Dhe kështu i drobitur, pa mundur ta durojë dhimbjen gërryese e boshllëkun e jetës së tij shtrihet diku në një cep të oborrit të mikut të tij të famshëm dhe mbase duke ëndërruar, apo vërtet disa fëmijë apo engjëj luanin atje një lojë interesante në të cilën hapnin një libër dhe rastësisht zgjidhnin një fjali që mund të ishte guida e jetës së tyre, si të thuash për gjithë jetën. Kështu dëgjon në kokën e tij një këngë fëmijësh që thotë: tolle et lege, tolle et lege (merr e lexo, merr e lexo). Menjëherë ai hap librin që kishte me vete dhe rastësisht vë gishtin në një fjali të tij. Në këtë lexim ai zbuloi nevojën e menjëhershme të  ndryshimit të jetës së tij, nevojën e pendesës, nevojën e shkëputjes së varësisë nga të mirat materiale pra nevojën e revolucionit të plotë të ekzistencës së tij. Në këtë moment Shën Agustini e zbuloi kuptimin e jetës së tij dhe rrugën që do të ndiqte. Në njëfarë mënyre zbuloi edhe profesionin e tij, fjalë që e ka prejardhjen nga “fe” ose besim në shqipen tonë. Në duar kishte “Epistolat” e Shën Palit, për të cilin dimë gjithashtu se ka ungjillizuar edhe pari Atdheun tonë siç  e dëshmon në shkrimet e tij. Kështu libri i duhur mund të jetë edhe mësuesi përfundimtar, mësuesi që iu ka mbijetuar shekujve apo që të flet nga përjetësia.
            Në vorbullën e globalizimit dhe të informacionit pa kufi, ku sasia mbretëron në vend të cilësisë, jemi edhe ne, banorët e Shqipërisë. Trokisni në Shën Internet dhe do të gjeni. Por mbase do të gjeni atë që dikush tjetër dëshiron të dini. A e dini se çfarë po kërkoni? Se pas qindra informacioneve të detajuara nga jetët e të tjerëve, kush u lag dhe si u zh/vesh, qëndron dikush. Ju mund të pyesni dhe përgjigjet standarte e qetësojnë kuriozitetin tuaj. Kush i dizenjon informacionet që lexojmë në smartfonët tonë? Gjithçka shkon për bukuri, shpejt, madje gjen përgjigjet para pyetjeve, gjen atë që ke nevojë, për një moment. Dhe kështu na ofrohet të “lexojmë” atë që dikush dëshiron, ashtu si duhet, për një qëllim të caktuar. Dhe këmbëngul, e të del në çdo cep deri sa ta “pëlqesh”, ta shohësh, apo ta blesh. E kanë të qartë se janë të domosdoshëm, e dinë se do të lexohen, se ndikojnë në jetën e lexuesve, se këta të fundit do t’i konsultojnë për gjithçka, dhe se vendimet e masave të fjetura e të budallepsura ndikohen nga ata, zotët e internetit, zotët e botës virtuale, prej së cilës nxjerrin miliona reale. I gjithë ky sistem sugjerimesh idiote më kujton vitet e agonisë së sistemit të shkuar, kur në shkollë më thonin: këtë duhet të lexosh, dhe bibliotekari besnik i sistemit, si antivirus i aktualizuar, nuk pranonte të lëshonte libër tjetër.
Historia është ironike dhe gjen shesh e bën përshesh. Shqipëria nuk lexon, miqtë e mi, prandaj as nuk kupton se çfarë po ndodh, as nga vjen dhe as ku po shkon. Më në fund mund të shkruajmë çfarë të duam por duke rrezikuar sëmundjen bashkëkohore të shkrimtarëve, depresionin nga frika se gjithçka shkruajmë bie në vrimat e zeza. Sistemi i ri duron gjithçka, e djeg apo e tymos, ndërsa pushteti është komplet indiferent. Mund të tallesh me pushtetin, të shkruash dhe të denoncosh çtë duash, të bësh me dije fatkeqësi, histori dramatike, se tragjikja është jashtë mode, dhe të gjithë do të mbeten  indiferentë.
E vërteta është se për të mos rënë viktimë e manipulimeve masive globale është e domosdoshme të disponojmë kulturën e duhur. Talentet edukohen dhe formohen, as lindin e as zbulohen nëpërmjet faqeve të internetit, të mos gënjejmë veten. Ajo që na japin si “fast culture” (kulturë e shpejtë), s’është gjë tjetër veç silazh i marinuar mirë, por që mbetet byk i lagur për bagëtitë. 
Në fund, kjo është e bukura e bibliotekave, mjafton të shkundësh pluhurin dhe menjëherë do kuptosh problemin e madh që i ke hapur vetes: libri nxjerr librin. Vitet do të ikin gjithsesi dhe njeriu e kupton lidhjen ndërmjet dëshirës së tij dhe realitetit, dhe fletë pas flete duke i shijuar si qershitë që tërheqin njëra tjetrën, e ndjen lidhjen e tyre në shekuj, në mendimet dhe përvojat e të tjerëve. Në këtë mënyrë më vonë e kupton se të gjitha historitë janë të lidhura dhe se bota është aq e vogël, dhe se diku ka hapur librin e duhur dhe se diku tjetër kur ka zgjedhur mbante në dorë librin e gabuar. Dikush tjetër që ndjek rastësinë si zgjidhje, që nuk ka mundësinë ose nuk ka hapur një libër, gjendet me zgjidhjen e propozuar nga të tjerët të cilët janë shumë të shqetësuar që zgjedhja e tij të jetë e duhura, që ai të jetë i lumtur sipas parametrave të tyre. 
Problemi është se Shën Interneti është akoma i ri në moshë, prandaj vetëm pranon pyetje, pa mundur të pyesë, ndërkohë “Rrëfimet e Shën Agustinit” është 1700 vjeç dhe i bën të dyja.

                                                                                                                                    Erion Hiluku
Revista Java 

Kryeministri nuk ka kush t’i shkruajë

Kryeministri nuk ka kush t’i shkruajë
           
Një mik më dërgoi letrën që kryeministri i kishte drejtuar para disa muajve stafit të tij. Meqë u bë publike mund të themi se iu drejtohet të gjithë nëpunësve, madje është interesante edhe për punonjësit e tjerë të shërbimeve publike e private. Në ndonjë vend të botës ky mund të ishte edhe një mail “zinxhir”, se e ka shkruar kryeministri, i cili duke qenë i zgjedhur nga vetë populli është një opinion i respektueshëm. Por le ta ‘paragjykojmë’ njëherë, sa i vërtetë është, pse na qenka i pakënaqur kryeministri, gati duket edhe më i pakënaqur se miku im, të cilit i dedikoj këtë shkrim, sepse letrat duan përgjigje.
Kështu më erdhi në mendje koloneli i Marques që kishte luftuar të bëhej shtet në një vend të Amerikës së jugut, i cili i shkruante letra qeverisë por që akoma po pret pensionin dhe përgjigje. Rasti është i kundërt nga njëra anë sepse këtu është qeveria që shkruan, por i njëjtë nga ana tjetër sepse është pa përgjigje. Dhe meqë nuk gjeta përgjigje atje, shkova në veri dhe, Xhon Adamsi në vitin 1772 shkruante: Vendi im është zhytur në mjerim të thellë dhe ka shumë pak Arsye për Shpresë. ... Populli duket i dërrmuar nga përpjekjet, dhe Korrupsioni, Servilizmi dhe Prostitucioni po ja hanë trupin dhe po përhapen si kanceri.  Tani fshati që duket s’do kallauz.
Kur është i pakënaqur kryeministri, mund të jenë të pakënaqur edhe qytetarët.  Një mail-letër kundër rrymës dhe kulturës popullore predominuese, megjithëse askush nuk habitet më nga arroganca sistematike e politikanëve, të cilët menjëherë sa bëhen pjesë e klubit elitar fillojnë të gëzojnë privilegjet me të drejta të plota. Rrallë herë të zë syri një politikan të sjellshëm e me këmbë në tokë, të edukuar, të dashur me njerëzit qofshin këta edhe votuesit e tij. Dhe ndërkohë që ministrat merren me marrëveshjet e mëdha shumë miljonëshe, me shumë gaz, naftë, tendera, minerale dhe energji, -urime, jemi edhe ne të tjerët që nuk jemi në ato nivele por që akoma e fitojmë jetën nëpërmjet punës.  
Por fjalët i merr era, e po ndodh  një fenomen mjaft i rrallë në historinë e njerëzimit, që nuk është emigrimi në vetvete, por shkaqet i tij. Ndryshe nga popujt e tjerë, ne nuk ikim nga lufta dhe pasiguria, apo na mungon buka e gojës, por nga mungesa e vazhdueshme e shtetit dhe nga korrupsioni.
Shqiptarët duan shtet dhe kryeministri e di këtë, dhe shpresoj që të dijë gjithashtu se jo të gjithë e duan, përfshi këtu edhe ndonjërin nga ata që iu shkruante dhe që nuk e ka ka vënë ujin në zjarr për këtë punë. Ata që nuk duan shtet serioz janë padyshim më pak por janë aq pranë tij saqë e pengojnë këtë. Janë një sëmundje e keqe dhe e vjetër që korrupton çdo gjë. Fytyra kimerike e kësaj sëmundjeje nuk fshihet dot më as nga lustrimet estetike të politikës. Mikrobet gërryejnë shpirtin e Kombit dhe ky i mjeri, i nënshtruar, pret që nga gjiri i tij të dalë ndonjë burrë që t’i japë fund kësaj agonie, në një mënyrë ose tjetër. Parazitë të pamëshirshëm ia thithin papushim gjakun dhe nga babëzia e injoranca nuk e kuptojnë se, kur të vdesë trupi edhe ata do të ngordhin. Është paradoksale sesi, pasi ka investuar miljona dhe dekada në bijtë e tij, ia dhuron këta të tjerëve. Normalisht që Kombet e tjera i mirëpresin, pasurohen e rigjenerohen me ta.      
Shqiptarët duan shtet dhe vërtet po emigrojnë atje ku shteti është më i i fortë dhe nuk ngjan me një “shtet sh.a.”. Më në fund e kanë kuptuar se nuk ecet më me blerje diplomash të cilat nuk ju a njeh as ai që iu a shet, që nuk ecet më me sorollatje, dhe se nuk ia kanë borxh t’i japin rryshfet as nëpunësit, as doktorit, as gjykatësit es askujt që iu pi gjakun. Për sa thashë më sipër, miku im i dashur e mosbesues, mbase edhe kryeministri, do duan prova.   Por a ka provë më të madhe se sakrifica që menjëherë pranuan në shumicë qytetarët për të marrë përsipër e paguar borxhet shumëvitëshe, e për të vënë në kohë rekord kasa fiskale e për t’u regjistruar në tatime?! Me dy-tre udhëzime qytetarët menjëherë po zbatojnë ligjet, po e kërkojnë rregullin, kuponin tatimor, paguajnë gjobat dhe nuk i fshihen më policit në rrugë.  Janë ngushtuar, më falni për këmbënguljen, deri në bukën e fëmijëve, që t’i japin një shans qeverisë. Mirëkuptojeni këtë. Vlerësojeni këtë në lartësinë e duhur, se nesër do ju kerkohet llogari.
Shqiptarët e kanë kuptuar, më në fund, se investimi më i mirë është shteti, se pasuria më e sigurtë s’është tjetër, përveç shtetit  Sot është sakrificë të jetosh në Shqipëri dhe askush nuk do të bëhet kurban këtu, dhe kot së koti. Shqiptarët nuk kemi as tokë e as shtëpi të sigurtë, as rrugë e as sigurime shoqërore e shëndetësore, të jemi të sinqertë: në këto momente ne dhe fëmijët tanë nuk kemi të ardhme. Pikërisht te kjo është i bazuar progresi i vendit, sepse nuk ka progres nëse nuk shihet më larg, tek e ardhmja. Shumë vende të Epropës janë djegur e shkrumbuar më se një herë gjatë shekullit të fundit, dhe të gjithë janë ringritur, duke bazuar të ardhmen në krijimin me urgjencë të shtetit ligjor. Edhe ata janë përballur me vështirësi ekonomike e me korrupsion por kanë zgjedhur bijtë e tyre më të mirë, i kanë ndjekur e mbështetur duke përbuzur njëkohësisht tradhëtarët. Duhet të iu kujtoj zotërinjve politikanë se kanë në dorë të ardhmen e tonë dhe për këtë duhet të jenë në lartësinë e duhur, ose të hapin krahun. Nga ana tjetër edhe zotit kryeministër, mbase nuk i vjen keq t’i kujtoj se drejtuesit e mëdhenj të kombeve kanë hyrë në histori jo vetëm për vendosmërinë e qeverisjes por edhe si protagonistë  të ndëshkimeve shembullore. 
Dhe nëse vërtet doni të bëheni pjesë e historisë dhe jo vetëm milionerë, Chesterton thotë se, progresi nuk arrihet pa një kod të hekurt moral... Sepse vetë fjala “progres” tregon një drejtim; dhe në momentin në të cilin, sado pak qoftë, dyshojmë përsa i përket drejtimit, vëmë në dyshim vetë progresin.  

Erion Hiluku

Sytë e mysafirit

Sytë e mysafirit

Para pak ditësh pata kënaqësinë e vizitës së një miku të vjetër në Tiranë. Është një mysafir i huaj të cilin që në universitet e kam pagëzuar me emrin Gjëlpëra, për ngjashmërinë e madhe karizmatike që ka me doktorin e Konicës. Përpara shumë vitesh, bisedat tona të gjata, të ushqyera nga edukime të ndryshme përbënin një përplasje të këndëshme qytetërimesh, dy polesh intelektuale të kundërta që binin dakort vetëm për diagnozat.  Gjëlpëra tani është një autoritet botëror në specialitetin e tij mjekësor dhe me kënaqësi pranoi ftesën time për të ofruar një trajnim për kolegët shqiptarë. Në rrugë e sipër drejt Tiranës, i zeruam bisedat tona në Skype dhe e kthyem atje ku e kishim lënë shahun, te një temë e vjetër: normaliteti. Kishim ngelur diku në shprehjen “pacienti u zgjua me normalitet pas operacionit”. Tani normaliteti i Gjilpërës dhe imi ndryshojnë falë ndryshimeve të mëdha ndërmjet vendit të tij dhe timit. Nuk iu thashë se Gjëlpëra është një qytetar i botës që jeton në Atdheun e tij, është gjithashtu një vëzhgues i specializuar e ka edhe një memorie të pamëshirëshme. Pa dalë nga parkingu i aeroportit habitet kur vëren një punëtor i cili në mes të shiut merrte kartat nga shoferët dhe i vendoste në aparatet e hapjes së parkingut. Mirë se erdhe Gjëlpëra, ky udhëtim do të jetë i paharrueshëm, mendova, ndërkohë që më pyeti, -Normale të duket ty?
Po normaliteti social ndryshon për mua dhe Gjëlpërën. Dikur në vendin e tij, gati arritëm të kishim të njëjtin normalitet universitar, e të njëjtin normalitet në punë pastaj. Normaliteti ndryshon se të ndryshme janë pritshmëritë që çdo shoqëri ka nga njerëzit e saj, ndryshe janë pikëpamjet dhe tjetër është kultura.
Qyteti i zbukuruar me flamuj të lagur shumëngjyrësh i jep mirë se ardhjen Gjëlpërës. Edhe ai më komenton dhe më falenderon se e kam organizuar trajnimin në ditë feste. Që të mos iluzionohej më i shpjegova se jemi në fushatë elektorale. Edhe atij iu duk interesante që ne i zbukurojmë qytetet në rast votimesh, iu duk si festë e demokracisë. Tymi i zi nga makina përpara nesh i kalon filtrat e kabinës tonë pa vështirësi, ndërkohë që dy policë na parakalojnë nëpër shi të hipur në një motor dhe pa kaska. Gjëlpëra hap sytë dhe tani mundohet të qëndrojë diskret, mbase që të mos duket i paedukatë duke komentuar. Normaliteti nuk varet nga këto detaje, dhe më mirë sepse sa herë mundohemi të imitojme vendet e Evropës sajimi është shumë më i shëmtuar se normaliteti ynë. 
Normaliteti i sjelljes së një personi është i lidhur ngushtë me ndryshimet që mund të ketë kjo sjellje në krahasim me sjelljen e individëve të së njëjtës shoqëri. Pra, nëse jemi në trafik dhe bie shi, shoferët nuk i dinë apo nuk i respektojnë korsitë e rotondave e trafiku bllokohet, është normale që të gjithë t’i bien borisë. Në këtë moment Gjëlpëra pickon, –Pse nuk i bie borisë edhe ti?      
Koncepti i normalitetit është shumë përgjithësues prandaj i mungon preçizioni në praktikë. Sa të dojë mund të sforcohet një shoqëri t’i ngjajë një tjetre, të përmbushë rregullat e tjetrës, ajo kurrë nuk mund të modifikojë ndjenjat dhe nevojat e saj.
Trafiku nuk i bën përshtypje Gjëlpërës, por gropat në rrugë e tmerrojnë. Po prisja komentin e rradhës bashkë me ndonjë propozim, se Gjëlpëra bën vetëm kritika konstruktive. Dhe më thotë, -shiko, nëse askush nuk e denoncon Bashkinë duhet t’a denoncosh ti. Gjëlpëra i them, si mund të denoncohet Bashkia për gropat. –Kollaj, më shpjegon. Bashkitë kanë një siguracion për qytetin. Dëmi që të shkaktohet ty si qytetar nga gropat e pusetat paguhet nga kompania e sigurimeve, apo jo. Këtë nuk e prisja nga Gjëlpëra: të mendonte se Tirana është e siguruar për dëmet që mund të iu shkaktohen banorëve nga gjendja katastrofike e qytetit. I shpjegova se nuk duhet ta shohë zgjidhjen si të ishim në vendin e tij dhe i premtova se për ta denoncuar nuk bëhet fjalë, por do të shkruaja një artikull ku të përmendja edhe këtë anektodë.
Mbreti i detajit kishte sjellë nga një dhuratë profesionale për pjesëmarrësit në trajnim. I tepruan gjysma. Rezultoi se megjithëse fakultetet tona nuk e ofrojnë këtë specialitet ne kemi specialistë të cilët as që kanë nevojë për trajnime, madje nuk iu është dashur as të shkojnë jashtë Shqipërisë për t’u specializuar.
Deri ditën e fundit e vonova vizitën në QSUT, por natyrisht nuk do ta evitoja, megjithëse e dija se do të ishte traumatike. Gjëlpëra mbeti pa fjalë. Syri i tij i stërvitur klinik nuk kishte ndeshur një larmi të tillë kurrë më parë. Vëzhgonte qindra njerëz pa dallim nëse pacientë apo vizitorë që vërdalloseshin të drobitur nëpër ambjentet e spitaleve. Unë e shoqëroja në heshtje ndërkohë që një koleg i mirë dhe i duruar na shpjegonte hap pas hapi. Asnjë koment për zhulin në mure, për aromat, plehrat e mbetjet, asnjë fjalë për uniformat shumëngjyrëshe shpesh të pa hekurosura e as për mëngët e përveshura të bluzave... Normalitet.
Rrugës për në aeroport Gjëlpëra tha si të ishte vazhdimi i një fjalie: Edhe një pjesë e stafit mjekësor është e kequshqyer. Në memorien time erdhi Konica me doktorin e tij i cili ka gati njëqind vjet që ëndërron të përgatisë një brez të ri prej njerëzish të shëndoshë, të paqmë, të shkathët me trupë të hijshëm e të fortë ku sëmundja të thyente dhëmbët, me ndihmën e Guvernës.
Gjëlpëra në makinë më ndërpreu sërish. -Mendoj se duhet të vij prapë dhe shpejt. Ka shumë për të bërë. -Natyrisht, i thashë, madje me shpenzimet e tua.
Gjëlpëra e ndërpreu të qeshurit dhe shtoi me seriozitet trishtues: Ti mos harro se Atdheu im është gjithmonë shtëpia jote.                                                                                                                                       Erion Hiluku

Tiranë, qershor 2015.
www.javanews.com
Revista Java

Telomeret e shqiptarëve

Telomeret e shqiptarëve
            Ҫdo qelizë e trupit tonë ka një bërthamë brenda së cilës gjenden kromozomet që përmbajnë genet tona. Kromozomet janë të përbërë nga dy “krahë” në ekstremet e të cilëve janë telomeret, që janë njësi të vogla ADN-je të cilët sa herë që qelizat tona përsëriten  shkurtohen pak në mënyrë të natyrshme. Duke u shkurtuar pak nga fundi, mund të arrihet ne konkluzion se ҫdo qelizë e re që lind, lind pak më “e vjetër” se paraardhësja e saj. Në këtë mënyrë numri i ndarjeve ose mekanizmi i plakjes është i programuar, e për rrjedhojë gjatësia dhe mirëqenia e telomereve mund të jenë rregullues të orës biologjike, jo të asaj kronologjike.  Pavarësisht kësaj rezulton se gjatësia e telomereve mund të shkurtohet më shpejt nga faktorë stresues si: depresioni, traumat fizike dhe psikike, madje edhe obesiteti. Universiteti i Harvardit sapo ka shtuar në këtë listë edhe ankthin. Sipas këtij studimi personat me nivel të lartë ankthi fobik ose paniku prezantojnë telomere më të shkurtër. 
            Studimet gjenetike, që nuk ekzistojnë në Shqipëri, do të na jepnin pasqyrimin e një realiteti tjetër përsa i përket gjendjes shëndetësore dhe moshës biologjike të popullsisë tonë. Nëse vuajtjet kronike e ankthi shkaktojnë një dëmtim të parakohshëm të ADN-së, ҫrregullim dhe plakje të telomereve, mundet, që mosha biologjike e mijëra qytetarëve shqiptarë të ketë probleme serioze. Mënyra jonë e të jetuarit aq e ngarkuar me stres psikologjik dhe duhanpirje, stres politiko-social, pasiguri të gjithanshme, dhe panik, jo vetëm frikë për të ardhmen, kequshqyerje dhe mungesë ushtrimi fizik, padyshim që përshpejton shkurtimin e telomereve, dhe të jetës. Shkurtimi i telomereve është vërejtur në patologji të ndryshme, si në disa tipe të kancerit, kardiopati koronare, hipertensioni, diabeti dhe artriti.
            Ndërkohë të gjithë vuajmë pasojat e stresit, të pasqyruara në mendje dhe trup nëpërmjet patologjive të ndryshme. Stresi bllokon zonat e trurit përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve. Shkakton një shtrembërim të asaj që ndodh dhe interpretimit që i bëjmë realitetit. Frenon optimizmin dhe ka një efekt shkatërrues në nivel social: stresi është shkaku kryesor i humbjes së empatisë. Ankthi ndërkohë është frikë jo rracionale kundrejt diҫkaje reale ose fiktive, frike se në të ardhmen diҫka nuk do të shkojë mirë dhe paaftësi për të zgjidhur një problem në momentin aktual.
Keqmenaxhimi i kohës është faktor tjetër kryesor i shkaktimit të stresit. Individualisht mund të vëreni qindra njerëz që enden të papunë në kërkim të realizimit të ëndrrave të tyre nëpërmjet bisedave të kafeneve, basteve apo edhe drogës ndokush edhe në pritje të shansit të jetës, për të vjedhur diҫka apo për të rrezikuar jetën pa ia ditur vlerën, e aq më pak të jetës së dikujt tjetër që mund të kryqëzohet. Qindra të tjerë, të punësuar kryesisht në zyra shtetërore, vuajnë pa e ditur e në heshtje, stresin e humbjes së kohës  dhe marrjen e një page të pamerituar. Koneksioni i vazhdueshëm në internet mban trurin nën stresin absurd të informacionit pakufi, krejtësisht të panevojshëm dhe më të rinjtë nga ky stimulim i tejskajshëm humbin jo vetëm kohën. Një studim i Universitetit të Granadës, në Spanjë, mbi “Neuroplasticitetin dhe të Mësuarit”, arriti në konkluzione të qarta se mbistimulimi jo vetëm shkakton probleme në menaxhimin e stresit por ndikon edhe në procesin e vëmendjes dhe të mësuarit.
Një mungesë e madhe formimi dhe edukimi në njëzet e pesë vitet e fundit ka shkaktuar padyshim një humnerë në shoqërinë tonë. Për të përballuar aktivitetin e madh cerebral të nevojshëm në ditën tona duhet një përgatitje graduale dhe inteligjente. Por paradoksalisht ne kemi bërë të kundërtën kaq vite, në mënyrë aq barbare saqë shpesh më duket sikur jemi pjesë e një eksperimenti social makabër. Akoma humbim qindra orë pune me informacione të kota, të rreme dhe jo produktive ndërkohë që një agresivitet ngjethës shfaqet që në fazën e parë të komunikimit duke mbyllur rrugët e tjera të evolucionit. Njerëzit nuk duan të ndryshojnë, dhe ky vërehet shpesh si problem kolektiv. Individualizmi duket sikur ju siguron gjithҫka, por në fakt është një paqe relative, toksike, jetë mbi një minë me sahat.   
Në mes të këtij kaosi të gjithanshëm, është e këshillueshme të ndalemi njëherë, jo të bëhemi pjesë e vorbullës. Të bëhet një punë prodhuese reale, sadopak, por e vërtetë, dhe pa egoizëm por me dashurinë e pasionin e trashëguar nga të parët tanë për punën dhe nderin. Kjo do të na bënte më të lumtur, jo vetëm për një ҫast. Kur stresi të pushton, sepse ke “të drejtë” për diҫka, dhe ke frikë se humbet kontrollin, mjafton të ndalesh të shohësh me zemër gjërat e vogla, të cilat shpejt bëhen diҫka e madhe dhe e rëndësishme. Sepse lumturia konsiston në të bërit një vepër arti me jetën tonë e për këtë duhet kohë, qetësi, hapësirë, vëmendje e paqe. Të gjithë këta përbërës janë tretur e zhdukur nga jetët e mijëra njerëzve. Duhet ndalur një ҫast për një meditim a një lutje, e të mos shqetësohemi më për gjithҫka por t’i lëmë vend zemrës të veprojë ajo. Me qindra rreth nesh do prodhojnë mendime stresuese, do i shprehin pa e kuptuar ende se jeta është aq shkurtër dhe të papërgjegjshëm për efektin shkatërrues të komenteve të tyre negative do të vazhdojnë të këmbëngulin në mungesë të plotë kontrolli. Aq dinë. Në fund të fundit stresi nuk do të egzistonte ndërmjet nesh nëse disa nuk do të prodhonin vazhdimisht mendime stresuese e shumë të tjerë të ndikoheshin prej tyre. Zgjidhja më e mirë do të kalojë nga të mësuarit e menaxhimit të stresit dhe të efektit shkatërrues që ka mbi organizmin, në mënyrë të tillë edhe telomeret tona do të na jepnin mundësinë e një jete biologjike korresponduese me atë kronologjike, që llogaritet e dyfishon mesataren e saj.   
                                                                                    Dr. Erion Hiluku

Fizioterapist, Pedagog. 
www.shekulli.com.al
13.maj 2016