Një muaj pas festave
“Plaku
është si fëmija”, thotë populli, dhe kjo është nga ato herë që nuk gabon. Pata
mundësinë ta provoja këtë tek një emision për të moshuarit në një nga televisionet
tona kombëtare. Skenari ishte i denjë për hollivudin, minimumi: në njërën anë të
ulur në një divan të rrënuar qëndronin pesë a gjashtë të moshuar seriozë, të
cilët të veshur me kostume të sajuara dhe me buzëqeshje të ngrira mbronin institucionin
e tyre të mrekullueshëm. Në prapavijë qëndronte
një grup tjetër i komunitetit të vogël që iu mbante ison të parëve me ndonjë
duartrokitje të pa sinkronizuar. Për pak minuta kuptova se jetonin në një
parajsë të sponsorizuar nga shteti dhe se taksat e mia më në fund kishin gjetur
një vend ku të shpenzoheshin lirshëm e mua s’ka pse të më vijë keq më e as kam
pse ankohem për keqpërdorime apo qoftë larg abuzime, nga nëpunësit e shtetit
tim. Në mes tyre kish qëndruar një gazetare bjonde që buzëqeshte papushim dhe i
mbante si të hipnotizuar të pranishmit me aurean e saj prej shenjtoreje
moderne. Shtirej si në shtëpinë e saj ndërkohë që iu drejtohej me emër të
pranishmëve përfshi këtu edhe një Ministri i cili gjendej në panelin përballë
bashkë me gazetarët dhe nëpunës të lartë të shtetit. Nejse, pra nuk mungonte gjë
prej gjëje. Dukej sikur të gjithë bashkë kishin ngrënë një darkë Krishtlindjesh
franceze me paté, rosa të pjekura e Don Perinjon në kuzhinën e rezidencës (kështu
quhen azilet duke ndjekur stilin e BE) ku padyshim nuk mungonte asgjë. Edhe
pyetjeve të një gazetari gërricës që gjendej aty ja thyen turinjtë shpejt e
shpejt. -Jo more zotëri këtu nuk na mungon gjë, ju jeni me fiksime. Neve na
mungon vetëm një gjë; dashuria. Vetëm për këtë kemi nevojë. Mbeta krejt i habitur nga kjo parajsë e re e
gjendur pikërisht në mes tonë: të paktën nja tridhjetë a dyzet vetëve ju
paskemi krijuar kushte të jenë të lumtur. Ç’kuptim do të kish një oaz pa
shkretëtirë? Sa për dashurinë që ju mungonte nuk u shqetësova shumë se ky është
një problem botëror dhe mund të bëhet hall edhe pa të.
Ministri
vetë, i gjendur në një mjedis kaq fantastik filloi të iu shpjegonte me elegancë
edhe sistemin e ri të pensioneve e masat e tjera të marra nga shteti për të rritur
mirëqenien e 600 mijë pensionistëve të tjerë. Këta, meqë ra fjala, akoma nuk
janë në parajsën e moshës së tretë. Vetëm
200 vende kemi hë për hë. Kur gjermanët të bëjnë rezidenca për të moshuarit e
tyre në bregdetin tonë mbase futim kokën edhe ndonjëri nga ne që dalim në
pension pas 40 vjetësh, pra ju tani jeni në pikën e “prit gomar të mbijë bar”. Gjithë
ato projekte e shpenzime në favor të moshuarve e pensionistëve saqë kur të
arrijë të shpenzojë sa Ministri i Drejtësisë për çdo të burgosur, do të ketë
lezet të dalim të gjithë në pension.
Dukej
aq bukur mjedisi saqë të moshuarit filluan me kërkesa e dëshira, nuk thonë kot
“jepu dorën e të marrin krahun”. Njëri donte internet, të gjithë u surprizuan që nuk kishte,
si ka mundësi, u tha u bë. Tjetri donte të hiqnin nja dy makina të vjetra nga
oborri, të cilat nuk i kishin vënë re as gazetarët. -Na pengojnë për të dalë
shpejt me taksi kur duhet të shkojmë në spital se helbete... Kujdes këtu, mos vazhdo
se na prishet mjedisi paradiziak, po as gazetarët nuk ia varën këtij komenti. Për
të shkuar në spital duhet të merrni taxi? Lëre të kalojë këtë koment se keni në
dizpozicion një ushtri doktorësh, psikologësh e punonjësish socialë e nuk keni
nevojë të shkoni në spital as për të vdekur.
Sa për ata që janë të shtrirë në dhoma
si Gjergj Elez Alia më mirë të mos i përmendim se mos na prishet festa neve apo
oreksi teleshikuesve. Ministri vetë bënte thirrje vazhdimisht për vullnetarizëm
e pjesëmarrje sociale, e implikim të moshuarish në punë të ndryshme. Kjo më
duket gjë e bukur, madje edhe e mundur, sikur të kuptoja pse i paguajmë ato
punonjësit e rezidencës “paradiso”. Përsëri këmbëngul Ministri me vullnetarët
ndërkohë që i mungon vetëm të lajë duart si Pilati. Shteti nuk mund të bëjë
gjithçka. Por kësaj fjalie i tepron fjala “nuk”. Zotëri nuk lihen detyrimet e
shtetit në duar vullnetariati. Me efikase është të kërkoni llogari për paratë
që shpenzoni.
Zoti
Ministër ju nuk keni pse lypni lëmoshën e firmave private që dhurojnë dy tre gjëra
rezidencave me rastin e festave, pavarësisht se nuk e bëjnë këtë “as për
marketing e as për bamirësi”. Paguajini të gjitha me taksat e mia, veç mos u
bëni pjesë e hipokrizisë kombëtare. Plasën artistët dhe politikanët tanë duke
bërë foto nëpër azile e “befotrofe” shtetërore, me rastin e festave. Pozohet
mundësisht vetëm tek mensa, ku edhe era e urinës që karakterizon godinën është
e mbytur disi nga era e gjellëve. Si një rrugë e dy tre punë është kjo;
kujtohemi tani për ata që harruam gjatë gjithë vitit. Me një xhiro e një foto
dëshmi, ia hedhim Zotit dhe ndërgjegjes, disa i hedhin edhe një grusht hi syve
opinionit publik, i cili pa dyshim nuk i kapërdin më këto.
Plakja është
një gjendje e padiskutueshme që nuk kupton nga pasuria apo niveli social por i
kap të gjithë personat pa dallim, megjithatë efekti mbi ta do të jetë në varësi
të gjendjes fizike dhe mendore duke qenë të dyja këto njësoj të rëndësishme. Shërbimi
me standarte evropiane i të moshuarve, ku vërtet të mos iu mungojë gjë është çështje
drejtësie, jo lëmoshe apo solidariteti social. Është një detyrim ligjor
kundrejt atyre që kanë punuar gjithë jetën, është detyrim që ka në rradhë të
parë shteti i cili menaxhon jo vetëm taksat tona por edhe pasuritë kombëtare të
fituara e të trashëguara brez pas brezi. Përndryshe, ç’kuptim do të kish jeta
po të vdisnim të gjithë pa u plakur?
Erion
Hiluku
No comments:
Post a Comment