American
lesson
Bën
aq shumë zhurmë Tirana, saqë iu oshëtijnë veshët edhe shqiptarëve që banojnë në
skajet më të largët të kufijve tanë. Shqiptarët jetojmë në ritmin e një
revolucioni të paparë ndonjëherë nga njerëzimi: një krijesë e bijve politikanë
që ka njëzet e pesë vjet që metastazohet e babëzitur duke gllabëruar gjithçka.
Njëzet
e pesë vjet histori në të cilën një dorë e zezë i ka dhënë drejtim për në
varreza ose për në emigrim mijëra shqiptarëve, familjeve të tëra me gjithë fëmijë
e pleq, po deshe mund të themi edhe ajkës intelektuale të Kombit tonë. Kur ndonjë
institucion shtetëror të marrë përsipër të krahasojë këto njëzet e pesë vitet e
fundit, me njëzet e pesë të parat e regjimit komunist, do t’i duhet shumë punë
për ta fallsifikuar historinë, sepse ka shumë mundësi që të fundit të mos i lënë
gjë mangut asaj periudhe errësire. Të vdekurit e të humburit e një kombi janë
njësoj përgjegjësi e qeverive të tij, si kur i pushkaton vetë, kur i lë të
vriten me njëri tjetrin, të mbyten në det, apo të vdesin nga mjerimi e
sëmundjet.
Kështu
endemi me shpresën të humbur, duke u mbajtur nëpër krenaritë e së shkuarës, ndër
lexime të Fishtës e Agollit.
Sepse më
së pari, për të pasur shpresë, duhet një shembull, duhet një sinjal, një rreze
drite. Ja që ndodh nganjëherë dhe aty kapemi, me zemër takikardike nga frika
mos shuhet, dhe shtyjmë edhe ca kohë pa i bërë valixhet.
Dikush tha një ditë në kafe a në shtëpi, -një sekond ju lutem, ambasadori amerikan po
flet shqip!
Kjo
ishte shenja e parë. Shqiptarëve të thjeshtë që straparcohen në punë për të
paguar taksat e rritura me një pincelatë, iu qeshi cepi i buzës. Amerika na
foli me gjuhën e nënës, ndërkohë që një buzëqeshje e lumtur demokratike
shoqëron çdo fonemë me një theks vatëror që të kujton zërin e inçizuar të Nolit.
Nuk e di nëse e tha por neve na u duk sikur kumboi : “Për të iu mbrojtur dhe
shërbyer”!
Përtej
shpresës, buzëqeshja. Ky ishte leksioni i parë amerikan në fakt. Asnjëri nga
politikanët apo nëpunësit e shtetit tonë nuk e imiton dot. E kanë të pamundur,
pavarësisht se marrin leksione private për këtë edhe nga psikologë me famë
botërore. Buzëqeshjet e nxituara të ngrira nga flashet janë përgjigja më
trishtuese e kërkesave të qytetarëve. Më parë, diktatori Hoxha, u stërvit dhe
praktikoi një ngërdheshje atërore për dyzet vjet duke implikuar përveç buzëve
edhe sytë e gjestet, por askujt nuk i shpëtonte cinizmi në flegrat e tij.
Është
çështje sinqeriteti dhe ndërgjegjegjeje, dy koncepte të panjohura për shumicën
e politikanëve e shpesh herë edhe nëpunësve. Është buzëqeshja e njeriut të
realizuar, të arritur dhe që është në vendin e duhur e të merituar. Të mësosh
gjuhën tonë akoma pa ardhur, nuk është vetëm për t’u lavdëruar. Padyshim që kjo
përgatitje ka përfshirë edhe njohjen e historisë tragjike të Kombit tonë, dhe
njohjen nga pikëpamja profesionale të sistemeve politike shqiptare. Ata që kanë
studiuar gjuhë të huaja e dinë mirë se këto janë të pandashme. Një punë
kolosale që është një gur i çmuar në karrierën e një diplomati. Kështu
Presidenti Obama nuk e emëron rastësisht në Shqipëri, por pas një përgatitjeje
të gjatë e në zotërim të shtatë gjuhëve të huaja, njëra më e rrallë dhe më e vështirë
se tjetra dhe të një përvoje në vende mjaft të ndërlikuara. Përgatitja, puna
dhe largpamësia janë leksione të tjera amerikane, për këdo që ka dy pare mend. Kështu
si duket ka arritur deri këtu dhe do të vazhdojë më tej sigurisht, duke ndjekur
Thomas Jefferson, i cili thoshte: “Besoj shumë në fatin e mirë: sa më shumë
punoj aq më shumë fat kam”.
I
pari i Amerikës në vendin tonë duket se nuk ka mësuar vetëm gjuhën por edhe
ndjek zakonin e shqiptarëve më të shquar e fjalë pakë, atë “qesh e ngjesh” të
famshme e të hollë. Shpesh fjalimet e tij mund të përmblidhen në: “Armikun nuk ju a solla unë. Atë e gjeta këtu
në mes tuaj”. Një leksion vlefshëm ky, por më interesant është leksioni
amerikan kur qëndron në heshtje. Mënyra e tij e të dëgjuarit është jo vetëm
leksion por art i vërtetë, me sa vërejta në një takim që kishte me disa zyrtarë
të kollarisur. Ishte aq i përqendruar dhe karizmatik në mënyrën e të dëgjuarit,
saqë disa budallenjve aty u shkuan në
mendje ide shumë inteligjente dhe i thanë ndërkohë duke shtrembëruar duart të
nervozuar . Dukej si një leksion magjistral, ku për të edukuar në fillim u
jepet një shembull se si duhet të dëgjojnë. Si një profesor që dëgjon nxënësit
e tij, por që përmbajtjen e lëndës nuk do të mund ta vendosin sipas dëshirës së
këtyre të fundit. Leksion.
Pastaj
foli, dhe vazhdoi të këmbëngulë në vetminë e së vërtetës, ndërkohë që shqiptarët
urojnë që të mos lodhet. Shumë të pranishmëve në sallat e shtrenjta që paguhen
me taksat tona nuk iu pëlqeu çfarë tha, por shqiptarët janë shumë më shumë se
ata. Nganjëherë duket si Don Kishoti pa Sanchon, sepse të pranishmit në këto
salla nuk e njohin dialogun. Relativistët e vegjël e të dëndur, pikërisht ata
thonë që “nuk mund të jetohet në Shqipëri”, janë përgjegjës për këtë, dhe tani
në inmunodefiçencën e inteligjencës së tyre këmbëngulin në një realitet të
dyfishtë. Kështu, pas së vërtetës së thënë me buzëqeshje, qëndron një Komb i
madh demokratik, që nuk ia hedh vallen maskarenjeve, dhe që nuk ka nevojë për paratë
e tyre të ndyra turistike. Ja një leksion i hapur e brilant, ku Washingtoni i
bie nga Tirana për në Bruksel. Mohimi i së vërtetës në sferën publike është sëmundje
evropiane, ama në sjelljen politike tejkalon çdo kufi të imagjinatës njerëzore.
Kështu e vërteta në zërin e tij, është një simfoni në veshët e shqiptarëve, dhe
duke perifrazuar Nolin, shpresoj prapë, që të mos thotë pas pak muajsh, në prag
të ndonjë tragjedie: fola e thashë ju dola borxhit! Të jetë i sigurtë se po
dialogon përtej këtyre sallave të mbyllura, me mijëra njerëz që kanë të njëjtët
ideale demokracie dhe drejtësie.
Me
duket nganjëherë se vëzhgoj një efekt gati terapeutik në leksionet amerikane,
ashtu si logoterapia e Dr. Frankl, ose terapia nëpërmjet fjalës. E vërteta dhe vendosmëria
e tij janë një ndihmë jetësore për të kaluar këtë gjendje depresive popullore,
e pa vërejtur më parë në ndonjë Komb tjetër në kohë paqeje.
Erion Hiluku
Revista Java
www.javanews.com
No comments:
Post a Comment