Monday, May 23, 2016

Telomeret e shqiptarëve

Telomeret e shqiptarëve
            Ҫdo qelizë e trupit tonë ka një bërthamë brenda së cilës gjenden kromozomet që përmbajnë genet tona. Kromozomet janë të përbërë nga dy “krahë” në ekstremet e të cilëve janë telomeret, që janë njësi të vogla ADN-je të cilët sa herë që qelizat tona përsëriten  shkurtohen pak në mënyrë të natyrshme. Duke u shkurtuar pak nga fundi, mund të arrihet ne konkluzion se ҫdo qelizë e re që lind, lind pak më “e vjetër” se paraardhësja e saj. Në këtë mënyrë numri i ndarjeve ose mekanizmi i plakjes është i programuar, e për rrjedhojë gjatësia dhe mirëqenia e telomereve mund të jenë rregullues të orës biologjike, jo të asaj kronologjike.  Pavarësisht kësaj rezulton se gjatësia e telomereve mund të shkurtohet më shpejt nga faktorë stresues si: depresioni, traumat fizike dhe psikike, madje edhe obesiteti. Universiteti i Harvardit sapo ka shtuar në këtë listë edhe ankthin. Sipas këtij studimi personat me nivel të lartë ankthi fobik ose paniku prezantojnë telomere më të shkurtër. 
            Studimet gjenetike, që nuk ekzistojnë në Shqipëri, do të na jepnin pasqyrimin e një realiteti tjetër përsa i përket gjendjes shëndetësore dhe moshës biologjike të popullsisë tonë. Nëse vuajtjet kronike e ankthi shkaktojnë një dëmtim të parakohshëm të ADN-së, ҫrregullim dhe plakje të telomereve, mundet, që mosha biologjike e mijëra qytetarëve shqiptarë të ketë probleme serioze. Mënyra jonë e të jetuarit aq e ngarkuar me stres psikologjik dhe duhanpirje, stres politiko-social, pasiguri të gjithanshme, dhe panik, jo vetëm frikë për të ardhmen, kequshqyerje dhe mungesë ushtrimi fizik, padyshim që përshpejton shkurtimin e telomereve, dhe të jetës. Shkurtimi i telomereve është vërejtur në patologji të ndryshme, si në disa tipe të kancerit, kardiopati koronare, hipertensioni, diabeti dhe artriti.
            Ndërkohë të gjithë vuajmë pasojat e stresit, të pasqyruara në mendje dhe trup nëpërmjet patologjive të ndryshme. Stresi bllokon zonat e trurit përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve. Shkakton një shtrembërim të asaj që ndodh dhe interpretimit që i bëjmë realitetit. Frenon optimizmin dhe ka një efekt shkatërrues në nivel social: stresi është shkaku kryesor i humbjes së empatisë. Ankthi ndërkohë është frikë jo rracionale kundrejt diҫkaje reale ose fiktive, frike se në të ardhmen diҫka nuk do të shkojë mirë dhe paaftësi për të zgjidhur një problem në momentin aktual.
Keqmenaxhimi i kohës është faktor tjetër kryesor i shkaktimit të stresit. Individualisht mund të vëreni qindra njerëz që enden të papunë në kërkim të realizimit të ëndrrave të tyre nëpërmjet bisedave të kafeneve, basteve apo edhe drogës ndokush edhe në pritje të shansit të jetës, për të vjedhur diҫka apo për të rrezikuar jetën pa ia ditur vlerën, e aq më pak të jetës së dikujt tjetër që mund të kryqëzohet. Qindra të tjerë, të punësuar kryesisht në zyra shtetërore, vuajnë pa e ditur e në heshtje, stresin e humbjes së kohës  dhe marrjen e një page të pamerituar. Koneksioni i vazhdueshëm në internet mban trurin nën stresin absurd të informacionit pakufi, krejtësisht të panevojshëm dhe më të rinjtë nga ky stimulim i tejskajshëm humbin jo vetëm kohën. Një studim i Universitetit të Granadës, në Spanjë, mbi “Neuroplasticitetin dhe të Mësuarit”, arriti në konkluzione të qarta se mbistimulimi jo vetëm shkakton probleme në menaxhimin e stresit por ndikon edhe në procesin e vëmendjes dhe të mësuarit.
Një mungesë e madhe formimi dhe edukimi në njëzet e pesë vitet e fundit ka shkaktuar padyshim një humnerë në shoqërinë tonë. Për të përballuar aktivitetin e madh cerebral të nevojshëm në ditën tona duhet një përgatitje graduale dhe inteligjente. Por paradoksalisht ne kemi bërë të kundërtën kaq vite, në mënyrë aq barbare saqë shpesh më duket sikur jemi pjesë e një eksperimenti social makabër. Akoma humbim qindra orë pune me informacione të kota, të rreme dhe jo produktive ndërkohë që një agresivitet ngjethës shfaqet që në fazën e parë të komunikimit duke mbyllur rrugët e tjera të evolucionit. Njerëzit nuk duan të ndryshojnë, dhe ky vërehet shpesh si problem kolektiv. Individualizmi duket sikur ju siguron gjithҫka, por në fakt është një paqe relative, toksike, jetë mbi një minë me sahat.   
Në mes të këtij kaosi të gjithanshëm, është e këshillueshme të ndalemi njëherë, jo të bëhemi pjesë e vorbullës. Të bëhet një punë prodhuese reale, sadopak, por e vërtetë, dhe pa egoizëm por me dashurinë e pasionin e trashëguar nga të parët tanë për punën dhe nderin. Kjo do të na bënte më të lumtur, jo vetëm për një ҫast. Kur stresi të pushton, sepse ke “të drejtë” për diҫka, dhe ke frikë se humbet kontrollin, mjafton të ndalesh të shohësh me zemër gjërat e vogla, të cilat shpejt bëhen diҫka e madhe dhe e rëndësishme. Sepse lumturia konsiston në të bërit një vepër arti me jetën tonë e për këtë duhet kohë, qetësi, hapësirë, vëmendje e paqe. Të gjithë këta përbërës janë tretur e zhdukur nga jetët e mijëra njerëzve. Duhet ndalur një ҫast për një meditim a një lutje, e të mos shqetësohemi më për gjithҫka por t’i lëmë vend zemrës të veprojë ajo. Me qindra rreth nesh do prodhojnë mendime stresuese, do i shprehin pa e kuptuar ende se jeta është aq shkurtër dhe të papërgjegjshëm për efektin shkatërrues të komenteve të tyre negative do të vazhdojnë të këmbëngulin në mungesë të plotë kontrolli. Aq dinë. Në fund të fundit stresi nuk do të egzistonte ndërmjet nesh nëse disa nuk do të prodhonin vazhdimisht mendime stresuese e shumë të tjerë të ndikoheshin prej tyre. Zgjidhja më e mirë do të kalojë nga të mësuarit e menaxhimit të stresit dhe të efektit shkatërrues që ka mbi organizmin, në mënyrë të tillë edhe telomeret tona do të na jepnin mundësinë e një jete biologjike korresponduese me atë kronologjike, që llogaritet e dyfishon mesataren e saj.   
                                                                                    Dr. Erion Hiluku

Fizioterapist, Pedagog. 
www.shekulli.com.al
13.maj 2016

No comments:

Post a Comment