Nationis
suicidium
Përsa
i përket korrupsionit politik besoj se e njohim gati në të gjitha format. Keq përdorim,
përvetësim, devijim i fondeve publike, blerje, mashtrime, nepotizëm, arrogancë,
prej të cilave rrjedhin trafiku i drogës, pastrim parash, prostitucion, vrasje
e dhunë. Po, të gjitha këto e më shumë janë pjellë e korrupsionit, janë bijtë e
tij të përkujdesur e të llastuar që rriten e shtohen si metastaza. Corruptio
optimi pessima!
Por
nuk është vetëm politik, megjithë këmbënguljen e ndonjërit që është pjesë e
tij. Korrupsioni është bërë tashmë pjesë e jetës sonë të përditshme, si buka që
hamë, në shijen e cilësinë e së cilës do ta ndjeni erën e tij. Në qindra detaje
e ndeshim dhe e paguajmë me gjakun tonë. Në transporte të ndryshme, në treg, në
zyra shtetërore e private dhe në marrëdhënie të ndryshme korrupsioni të
surprizon ku nuk ta pret mendja. Në shkollë mund ta gjeni ndërmjet prindërve
dhe mësuesve, apo studentëve dhe profesorëve në blerje notash e përqafimesh. Ndërmjet
drejtorëve dhe mësuesve, në blerje vendesh pune e fallsifikime që pjellin injorancë
dhe divorce. Në shëndetësi ndërmjet mjekut dhe pacientit, në blerje ilaçesh me
çmimin e jetës. Ndërmjet kolegëve, në blerje orësh pune e këmbime favoresh, ndërmjet
drejtorëve, vartësve dhe privatëve në këmbime të ndyra shërbimesh që vënë në
rrezik serioz edhe jetën e fëmijëve e të egzistencës së gjithë kombit nesër, të
varur sot nga shërbime jetësore të lëna në duart e maskarenjve.
Ka
megjithatë njerëz që mendojnë se korrupsioni, “i vogël”, iu lehtëson shumë punët,
dhe në injorancën e tyre jo vetëm janë të bindur për këtë por mundohen të na
bindin të gjithëve. Kështu, për të arritur shpejt një sukses të diskutueshëm mund
korruptojnë një profesor për të kaluar fëmijën
me një notë më të mirë, mund të korruptojnë nëpunësin për një dokument të
fallsifikuar, mund të korruptojnë mjekun për t’i kaluar pa rradhë e gjoja për
një shërbim të sigurtë, etj.
Falë
këtij mentaliteti dhe tolerance shoqërore, korruptuesit “e vegjël” po korrin atë
që kanë mbjellë duke stresuar njëkohësisht të gjithë shoqërinë. Shkollat e
korruptuara disa janë mbyllur e disa të tjera me reputacionin përtokë kanë lënë
të njollosur për gjithë jetën ata që i zgjodhën me damkën se vijnë nga një
shkollë që nuk i ka formuar por që vetëm i ka pajisur me një copë letër muri.
Evolucioni
këmbëngulës i korrupsionit në shoqërinë tonë shkakton ndërprerje të energjisë
elektrike, të ujit, cilësi të ulët të edukimit dhe të shërbimeve shëndetësore e
administrative. Përtej kësaj, korrupsioni po vë në rrezik çdo ditë e më shumë
jetën dhe integritetin fizik të qytetarëve. Kaq thjeshtë sa duket: cilësia e ulët e shërbimeve mjekësore
mund t’i kushtojë jetën një qytetari të sëmurë, cilësia e ulët e ndërtesave, e
rrugëve dhe urave mund të iu kushtojë jetën qytetarëve gjatë fatkeqësive
natyrore dhe gjatë përdorimit të përditshëm. Studimet e kryera demostrojnë se
paratë e dhëna për korrupsion nuk shkojnë për shpenzime publike të shtetit, si
rrugë, transport publik, elektricitet, ujë të pijshëm etj.
Në rrugë
e sipër demokracia jonë me bashkëpunim social të gjithanshëm ka krijuar një
shoqëri pakrahasueshmërisht të korruptuar. Korrupsioni total dhe i organizuar pengon
çdo sforcim administrativ për ta ndalur, erozionon një shtet të dobët që
pretendon t’i shërbejë një shoqërie po të korruptuar duke mbytur shpirtin
krijues, idealist apo patriotik të domosdoshëm për zhvillimin kombëtar.
Të
gjithë e shohin, të gjithë kanë një zgjidhje për korrupsionin, por pak kush është
ndalur qoftë edhe një minutë për t’a kuptuar. Të shohësh korrupsionin vetëm si
një problem policor apo gjyqësor, dhe të ofrosh gjoja zgjidhje me shtrëngime
ligjore e kontrolle policore, se “peshku qelbet nga koka”, është njësoj si të
pretendosh të futësh detin në një gotë. Ligjet nuk i ndalin dot ata qindra
korruptues të gatshëm të paguajnë dhe të marrin para për shërbime të ndryshme.
Kjo nuk ka nevojë për demostrim, sa të jetë mentaliteti korruptiv i rrënjosur në
mënyrën e jetës do të ketë, profesorë, nëpunës, punëtorë, mjekë, fqinj e kushërinj
të gatshëm të grabitin shtetin dhe neve.
Duhet
çrrënjosur urgjentisht zakoni i qelbur i të dhënit para për shërbime të cilat
qytetarit i takojnë ligjërisht dhe moralisht. Por sigurisht, njeriu duhet
edukuar që të kërkojë të drejtën e tij, duhet ta njohë atë, të jetë i bindur për
këtë dhe pastaj nuk do të lejojë ta marrin nëpër këmbë kriminelët e korruptuar.
Vetëm qytetari i edukuar në vlera morale e sociale mund ta dallojë ujkun e
veshur si dele, maskarain që do ta zhvasë, profesorin e dashur e të ndyrë,
policin e fryrë, politikanin dinak dhe të paskrupullt e të tjerë kamaleonë të
korruptuar që gjen nëpër skuta apo në
gjoja ajkën qytetare.
Padyshim
që kundër korrupsionit, hapin e parë duhet t’a bëjë qeveria, nëpërmjet
transparencës. Janë institucionet
adminstrative dytësore më të korruptuara pastaj, të cilat duhet të thjeshtojnë
veprimet, sepse ata janë që aplikojnë ligjin sipas rastit e interesit. Menjëherë duhet filluar ndryshimi në
edukimin e shoqërisë. Investimi në këtë drejtim ka dhënë prova në vendet më të
përparuara. Edukimi i vlerave, mësimi i tyre. Zëvendësimi i drejtuesve të
institucioneve edukative, juridike e shëndetësore, të cilët nuk kanë si të
ndryshojnë një mentalitet me të cilin kanë mbi njëzet vjet përvojë me rezultate
sociale katastrofike. Vetëm investimi urgjent në edukimin e vlerave sociale do
t’i ofrojë një frymëmarrje shpëtimi shoqërisë sonë, sepse edukimi është arma më
e mirë për ndryshimin e shoqërisë. Citova më sipër Mandelën.
Erion Hiluku
No comments:
Post a Comment