Sytë e mysafirit
Para pak ditësh pata kënaqësinë e
vizitës së një miku të vjetër në Tiranë. Është një mysafir i huaj të cilin që në
universitet e kam pagëzuar me emrin Gjëlpëra, për ngjashmërinë e madhe
karizmatike që ka me doktorin e Konicës. Përpara shumë vitesh, bisedat tona të
gjata, të ushqyera nga edukime të ndryshme përbënin një përplasje të këndëshme
qytetërimesh, dy polesh intelektuale të kundërta që binin dakort vetëm për
diagnozat. Gjëlpëra tani është një
autoritet botëror në specialitetin e tij mjekësor dhe me kënaqësi pranoi ftesën
time për të ofruar një trajnim për kolegët shqiptarë. Në rrugë e sipër drejt
Tiranës, i zeruam bisedat tona në Skype dhe e kthyem atje ku e kishim lënë shahun,
te një temë e vjetër: normaliteti. Kishim ngelur diku në shprehjen “pacienti u zgjua me normalitet
pas operacionit”. Tani normaliteti i Gjilpërës dhe imi ndryshojnë falë
ndryshimeve të mëdha ndërmjet vendit të tij dhe timit. Nuk iu thashë se Gjëlpëra
është një qytetar i botës që jeton në Atdheun e tij, është gjithashtu një vëzhgues
i specializuar e ka edhe një memorie të pamëshirëshme. Pa dalë nga parkingu i
aeroportit habitet kur vëren një punëtor i cili në mes të shiut merrte kartat
nga shoferët dhe i vendoste në aparatet e hapjes së parkingut. Mirë se erdhe Gjëlpëra,
ky udhëtim do të jetë i paharrueshëm, mendova, ndërkohë që më pyeti, -Normale të
duket ty?
Po normaliteti social ndryshon për mua dhe Gjëlpërën.
Dikur në vendin e tij, gati arritëm të kishim të njëjtin normalitet universitar,
e të njëjtin normalitet në punë pastaj. Normaliteti ndryshon se të ndryshme janë
pritshmëritë që çdo shoqëri ka nga njerëzit
e saj, ndryshe janë pikëpamjet dhe tjetër është kultura.
Qyteti i zbukuruar me flamuj të lagur shumëngjyrësh i
jep mirë se ardhjen Gjëlpërës. Edhe ai më komenton dhe më falenderon se e kam
organizuar trajnimin në ditë feste. Që të mos iluzionohej më i shpjegova se
jemi në fushatë elektorale. Edhe atij iu duk interesante që ne i zbukurojmë
qytetet në rast votimesh, iu duk si festë e demokracisë. Tymi i zi nga makina përpara
nesh i kalon filtrat e kabinës tonë pa vështirësi, ndërkohë që dy policë na
parakalojnë nëpër shi të hipur në një motor dhe pa kaska. Gjëlpëra hap sytë dhe
tani mundohet të qëndrojë diskret, mbase që të mos duket i paedukatë duke
komentuar. Normaliteti nuk varet nga këto detaje, dhe më mirë sepse sa herë
mundohemi të imitojme vendet e Evropës sajimi është shumë më i shëmtuar se
normaliteti ynë.
Normaliteti i sjelljes së një personi është i lidhur
ngushtë me ndryshimet që mund të ketë kjo sjellje në krahasim me sjelljen e
individëve të së njëjtës shoqëri. Pra, nëse jemi në trafik dhe bie shi, shoferët
nuk i dinë apo nuk i respektojnë korsitë e rotondave e trafiku bllokohet, është
normale që të gjithë t’i bien borisë. Në këtë moment Gjëlpëra
pickon, –Pse nuk i bie borisë edhe ti?
Koncepti i normalitetit është shumë përgjithësues
prandaj i mungon preçizioni në praktikë. Sa të dojë mund të sforcohet një
shoqëri t’i ngjajë një tjetre, të përmbushë rregullat e tjetrës, ajo kurrë nuk
mund të modifikojë ndjenjat dhe nevojat e saj.
Trafiku nuk i bën përshtypje Gjëlpërës,
por gropat në rrugë e tmerrojnë. Po prisja komentin e rradhës bashkë me ndonjë
propozim, se Gjëlpëra bën vetëm kritika konstruktive. Dhe më thotë, -shiko,
nëse askush nuk e denoncon Bashkinë duhet t’a denoncosh ti. Gjëlpëra i them, si
mund të denoncohet Bashkia për gropat. –Kollaj, më shpjegon. Bashkitë kanë një
siguracion për qytetin. Dëmi që të shkaktohet ty si qytetar nga gropat e pusetat
paguhet nga kompania e sigurimeve, apo jo. Këtë nuk e prisja nga Gjëlpëra: të
mendonte se Tirana është e siguruar për dëmet që mund të iu shkaktohen banorëve
nga gjendja katastrofike e qytetit. I shpjegova se nuk duhet ta shohë zgjidhjen
si të ishim në vendin e tij dhe i premtova se për ta denoncuar nuk bëhet fjalë,
por do të shkruaja një artikull ku të përmendja edhe këtë anektodë.
Mbreti i detajit kishte sjellë nga një
dhuratë profesionale për pjesëmarrësit në trajnim. I tepruan gjysma. Rezultoi
se megjithëse fakultetet tona nuk e ofrojnë këtë specialitet ne kemi specialistë
të cilët as që kanë nevojë për trajnime, madje nuk iu është dashur as të shkojnë
jashtë Shqipërisë për t’u specializuar.
Deri ditën e fundit e vonova vizitën në QSUT, por
natyrisht nuk do ta evitoja, megjithëse e dija se do të ishte traumatike. Gjëlpëra
mbeti pa fjalë. Syri i tij i stërvitur klinik nuk kishte ndeshur një larmi të
tillë kurrë më parë. Vëzhgonte qindra njerëz pa dallim nëse pacientë apo
vizitorë që vërdalloseshin të drobitur nëpër ambjentet e spitaleve. Unë e
shoqëroja në heshtje ndërkohë që një koleg i mirë dhe i duruar na shpjegonte
hap pas hapi. Asnjë koment për zhulin në mure, për aromat, plehrat e mbetjet,
asnjë fjalë për uniformat shumëngjyrëshe shpesh të pa hekurosura e as për
mëngët e përveshura të bluzave... Normalitet.
Rrugës për në aeroport Gjëlpëra tha si të ishte
vazhdimi i një fjalie: Edhe një pjesë e stafit mjekësor është e kequshqyer. Në
memorien time erdhi Konica me doktorin e tij i cili ka gati njëqind vjet që
ëndërron të përgatisë një brez të ri prej njerëzish të shëndoshë, të paqmë, të
shkathët me trupë të hijshëm e të fortë ku sëmundja të thyente dhëmbët, me
ndihmën e Guvernës.
Gjëlpëra në makinë më ndërpreu sërish. -Mendoj se
duhet të vij prapë dhe shpejt. Ka shumë për të bërë. -Natyrisht, i thashë,
madje me shpenzimet e tua.
Gjëlpëra e ndërpreu të
qeshurit dhe shtoi me seriozitet trishtues: Ti mos harro se Atdheu im është
gjithmonë shtëpia jote.
Erion Hiluku
Tiranë, qershor 2015.
www.javanews.com
Revista Java
No comments:
Post a Comment