Kryeministri
nuk ka kush t’i shkruajë
Një mik
më dërgoi letrën që kryeministri i kishte drejtuar para disa muajve stafit të
tij. Meqë u bë publike mund të themi se iu drejtohet të gjithë nëpunësve, madje
është interesante edhe për punonjësit e tjerë të shërbimeve publike e private. Në
ndonjë vend të botës ky mund të ishte edhe një mail “zinxhir”, se e ka shkruar
kryeministri, i cili duke qenë i zgjedhur nga vetë populli është një opinion i
respektueshëm. Por le ta ‘paragjykojmë’ njëherë, sa i vërtetë është, pse na
qenka i pakënaqur kryeministri, gati duket edhe më i pakënaqur se miku im, të
cilit i dedikoj këtë shkrim, sepse letrat duan përgjigje.
Kështu
më erdhi në mendje koloneli i Marques që kishte luftuar të bëhej shtet në një
vend të Amerikës së jugut, i cili i shkruante letra qeverisë por që akoma po
pret pensionin dhe përgjigje. Rasti është i kundërt nga njëra anë sepse këtu është
qeveria që shkruan, por i njëjtë nga ana tjetër sepse është pa përgjigje. Dhe meqë
nuk gjeta përgjigje atje, shkova në veri dhe, Xhon Adamsi në vitin 1772
shkruante: Vendi im është zhytur në mjerim të thellë dhe ka shumë pak Arsye për
Shpresë. ... Populli duket i dërrmuar nga përpjekjet, dhe Korrupsioni,
Servilizmi dhe Prostitucioni po ja hanë trupin dhe po përhapen si kanceri. Tani fshati që duket s’do kallauz.
Kur është
i pakënaqur kryeministri, mund të jenë të pakënaqur edhe qytetarët. Një mail-letër kundër rrymës dhe kulturës
popullore predominuese, megjithëse askush nuk habitet më nga arroganca sistematike
e politikanëve, të cilët menjëherë sa bëhen pjesë e klubit elitar fillojnë të
gëzojnë privilegjet me të drejta të plota. Rrallë herë të zë syri një politikan
të sjellshëm e me këmbë në tokë, të edukuar, të dashur me njerëzit qofshin këta
edhe votuesit e tij. Dhe ndërkohë që ministrat merren me marrëveshjet e mëdha
shumë miljonëshe, me shumë gaz, naftë, tendera, minerale dhe energji, -urime,
jemi edhe ne të tjerët që nuk jemi në ato nivele por që akoma e fitojmë jetën
nëpërmjet punës.
Por fjalët
i merr era, e po ndodh një fenomen mjaft
i rrallë në historinë e njerëzimit, që nuk është emigrimi në vetvete, por shkaqet
i tij. Ndryshe nga popujt e tjerë, ne nuk ikim nga lufta dhe pasiguria, apo na
mungon buka e gojës, por nga mungesa e vazhdueshme e shtetit dhe nga korrupsioni.
Shqiptarët
duan shtet dhe kryeministri e di këtë, dhe shpresoj që të dijë gjithashtu se jo
të gjithë e duan, përfshi këtu edhe ndonjërin nga ata që iu shkruante dhe që
nuk e ka ka vënë ujin në zjarr për këtë punë. Ata që nuk duan shtet serioz janë
padyshim më pak por janë aq pranë tij saqë e pengojnë këtë. Janë një sëmundje e
keqe dhe e vjetër që korrupton çdo gjë. Fytyra kimerike e kësaj sëmundjeje nuk
fshihet dot më as nga lustrimet estetike të politikës. Mikrobet gërryejnë
shpirtin e Kombit dhe ky i mjeri, i nënshtruar, pret që nga gjiri i tij të dalë
ndonjë burrë që t’i japë fund kësaj agonie, në një mënyrë ose tjetër. Parazitë
të pamëshirshëm ia thithin papushim gjakun dhe nga babëzia e injoranca nuk e
kuptojnë se, kur të vdesë trupi edhe ata do të ngordhin. Është paradoksale sesi,
pasi ka investuar miljona dhe dekada në bijtë e tij, ia dhuron këta të tjerëve.
Normalisht që Kombet e tjera i mirëpresin, pasurohen e rigjenerohen me ta.
Shqiptarët
duan shtet dhe vërtet po emigrojnë atje ku shteti është më i i fortë dhe nuk
ngjan me një “shtet sh.a.”. Më në fund e kanë kuptuar se nuk ecet më me blerje
diplomash të cilat nuk ju a njeh as ai që iu a shet, që nuk ecet më me
sorollatje, dhe se nuk ia kanë borxh t’i japin rryshfet as nëpunësit, as
doktorit, as gjykatësit es askujt që iu pi gjakun. Për sa thashë më sipër, miku
im i dashur e mosbesues, mbase edhe kryeministri, do duan prova. Por a ka provë më të madhe se sakrifica që
menjëherë pranuan në shumicë qytetarët për të marrë përsipër e paguar borxhet
shumëvitëshe, e për të vënë në kohë rekord kasa fiskale e për t’u regjistruar në
tatime?! Me dy-tre udhëzime qytetarët menjëherë po zbatojnë ligjet, po e
kërkojnë rregullin, kuponin tatimor, paguajnë gjobat dhe nuk i fshihen më
policit në rrugë. Janë ngushtuar, më
falni për këmbënguljen, deri në bukën e fëmijëve, që t’i japin një shans
qeverisë. Mirëkuptojeni këtë. Vlerësojeni këtë në lartësinë e duhur, se nesër
do ju kerkohet llogari.
Shqiptarët
e kanë kuptuar, më në fund, se investimi më i mirë është shteti, se pasuria më
e sigurtë s’është tjetër, përveç shtetit Sot është sakrificë të jetosh në Shqipëri dhe
askush nuk do të bëhet kurban këtu, dhe kot së koti. Shqiptarët nuk kemi as tokë
e as shtëpi të sigurtë, as rrugë e as sigurime shoqërore e shëndetësore, të
jemi të sinqertë: në këto momente ne dhe fëmijët tanë nuk kemi të ardhme. Pikërisht
te kjo është i bazuar progresi i vendit, sepse nuk ka progres nëse nuk shihet më
larg, tek e ardhmja. Shumë vende të Epropës janë djegur e shkrumbuar më se një
herë gjatë shekullit të fundit, dhe të gjithë janë ringritur, duke bazuar të
ardhmen në krijimin me urgjencë të shtetit ligjor. Edhe ata janë përballur me vështirësi
ekonomike e me korrupsion por kanë zgjedhur bijtë e tyre më të mirë, i kanë
ndjekur e mbështetur duke përbuzur njëkohësisht tradhëtarët. Duhet të iu kujtoj
zotërinjve politikanë se kanë në dorë të ardhmen e tonë dhe për këtë duhet të
jenë në lartësinë e duhur, ose të hapin krahun. Nga ana tjetër edhe zotit
kryeministër, mbase nuk i vjen keq t’i kujtoj se drejtuesit e mëdhenj të
kombeve kanë hyrë në histori jo vetëm për vendosmërinë e qeverisjes por edhe si
protagonistë të ndëshkimeve
shembullore.
Dhe
nëse vërtet doni të bëheni pjesë e historisë dhe jo vetëm milionerë, Chesterton
thotë se, progresi nuk arrihet pa një kod të hekurt moral... Sepse vetë fjala
“progres” tregon një drejtim; dhe në momentin në të cilin, sado pak qoftë,
dyshojmë përsa i përket drejtimit, vëmë në dyshim vetë progresin.
Erion Hiluku
No comments:
Post a Comment