Wednesday, July 15, 2015

Asgjë për të humbur

Asgjë për të humbur
            Kadare, që rrallë herë gabon, tha nxitimthi para disa ditësh në një intervistë për një njeri të thjeshtë që merrte rrugët e emigrimit: -Ai nuk di ç’është shpresa, koncepti shpresë.
Shpresa mund të shihet si qëndrim, si ndjenjë, si virtyt ose si defekt, por pavarësisht domethënies që çdonjëri i jep, mund të thuhet se është pjesë e pandashme e natyrës njerëzore.  Për rrjedhojë mund të jetë e justifikueshme të flitet për trashëgiminë e shpresës madje edhe për gjenetikën e saj. Psikiatria gjenetike po thellon studimet në gjetjen e geneve që kodifikojnë shpresën, besimin, gjuhën, dashurinë, optimizmin si edhe sjellje të tjera njerëzore si vetëfajësimin, skizofreninë, depresionin, etj. Studjuesja jonë e njohur, Falanschi, na ka ofruar studime shkencore për gjuhën si pasuri gjenetike.  
Shpresa është guaska më rezistente e njeriut përgjatë jetës së tij dhe optimizmi guri i themelit të saj. Pra nuk ka shpresë pa optimizëm, duke nënkuptuar këtu se ekziston një e ardhme më e mirë se e tashmja. Gjeniu i fundit universal Leibniz, në filozofinë e tij, thotë se "kjo botë është më e mira e mundshme". Kur bota nuk mund të ndryshohet mund të ndryshohet gjendja personale. Optimizmi i vërtetë është domosdoshmërisht i lidhur me të ardhmen. Ky qëndrim e vendos personin në aventurën e të kërkuarit të një ardhmeje më të mirë prandaj me këtë shpresë fillon një aventurë e cila ka një objektiv.  Kështu elementi tjetër i shpresës është bindja se e ardhmja varet nga veprimi njerëzor. Nga  ana tjetër është e dukshme si nga pikpamja laike apo ajo teologjike se shpresa dhe optimizmi e kanë bazën e tyre në shpirtin e qenies njerëzore, dhe vërtet nuk janë e njëjta gjë, por varen nga njëra tjetra. Është e pamundur të jetojmë me shpresë duke qenë pesimistë. Në të kundërt një optimist të fundit humb shpresën.
Të zbresim tani me këmbë në truallin shqiptar duke lënë të hapur dritaren filozofike. Do të kisha dashur të bëja një studim të thellë dhe të prekshëm psikologjik mbi shpresën dhe optimizmin në shoqërinë tonë. Për momentin mund të bëj një përafrim studimi me ndihmën e teknologjisë. Gugëlloj fjalën shpresë e me dalin 840000 rezultate. Provoj me fjalen optmizëm dhe arrij në 420 000. Për t’i vënë kapakun, në vend të pesimizmit, provoj me shprehjen "nuk bëhet ky vend", e cila m’i vibron timpanët shpeshherë gjatë ditës,  dhe shikoj rezulatet katastrofike, 1 590 000. Kjo shprehje i dyfishon dy të parat në numrin e publikimeve apo të shkrimeve që e përmbajnë. Shpresa, për të cilën Aleksandër Dumas thoshte se është mjeku më i mirë, duket se në vendin tonë ka pak konsulta. Optimisti, nga ana tjetër, që sipas Chesterton, beson  në të tjerët, është një specie në zhdukje në vendin tonë. Në këtë mënyrë pesimizmi mosbesues i bie të jetë shtruar si smogu në Tiranë. Përtej aktualitetit duhet parë edhe historia jonë patjetër, ndikimi mbi evolucionin tonë shpirtëror dhe edukimi i brezave.
   Rezultatet e studimeve shkencore tregojnë se një e treta e qëndrimit përballë problemeve të jetës ka një shpjegim gjenetik. Aspekti tjetër është personaliteti ynë, mënyra jonë e të qënit, e cila varet kryesisht nga edukimi jonë, përjetimet dhe përvoja. 
Askush nuk mund të mohojë traumën shekullore të popullit tonë pas pesë shekujsh manipulime psikologjike e shkatërrimi të traditës dhe urtësisë, të dizenjuara e të ndjekura brez pas brezi nga ekspertë ushtarakë e politikë të paskrupullt me objektivin "përça e sundo". Ferrin pastaj për pesëdhjetë plus dhjetë vjet e dizenjuan tanët, se atë që të bën i joti nuk ta bën as Zoti.  Se sa mund të ndikojnë në gjenetikën e njeriut ose të një populli më shumë se pesë shekuj të pa ndriçuar këtë e lëmë të hapur për studime të mëtejshme.  
Sidoqoftë, ajo që na mbetet e ndryshueshme është edukimi. Ndryshimet dhe marrja seriozisht e edukimit janë hapi i parë për të patur shpresë, për të qenë optimist. Sot është gjithmonë akoma, thotë poeti i madh spanjoll, Machado. Ndërhyrja në sistemet tona edukative është urgjenca e vërtetë. Vendet me zhvillim më të shpejtë, me stabilitet më të madh, me lumturinë më të madhe, janë ata që kanë sistemet më të mira të edukimit, ata që investojnë më shumë në edukim. Asgjë tjetër nuk do ta bëjë më optimist njeriun e sotëm dhe të ardhshëm sesa përgatitja në lartësinë e kërkesave të kohës. Është në dorë të autoriteteve tona ndryshimi dhe rikuperimi i kohës së humbur. Vendosja në dizpozicion e mjeteve të nevojshme, njerëzve të duhur dhe të përgtitur, që të fillojë të edukohet edhe nga pikpamja njerëzore e psikologjike, që edukimi të jetë joshja e së bukurës, në mënyrë që njeriu të jetë i lirë. Që t’i ofrohet kultura dhe të mësohet të mendojë, që me anë të kulturës të mësohet të jetojë.
Ka padyshim një ndikim të madh në shpresën dhe optimizmin e një populli mënyra me të cilën qeveriset vendi.  Ka një shembull të bukur mbi administrimin optimist ose ndërmarrjen optimiste, të cilin e mora nga anëtari më ekselent i klubit botëror të optimistëve, Psikiatri i famshëm i New Yorkut, Dr. Rojas Marcos. Ndërmarrja optimiste, për rrjedhojë edhe qeveria optimiste, është ajo në të cilën punonjësit besojnë se puna e tyre është e domosdoshme për rezultatin. Janë organizata në të cilat punonjësi e ndjen se ajo që bën shërben për dicka. Si shembull ai citon kafenetë amerikane "Starbucks". Gëzimi dhe optimizimi i punonjësve të kësaj kompanie janë ngjitës, thotë, dhe nuk është se ata janë më të paguarit, por janë punonjës të përgatitur për punën që bëjnë dhe e ndjejnë se kanë kontrollin e asaj që po ndodh.
Për të përfunduar, pesimizmi është i mbivlerësuar në shoqërinë tonë ndërsa optimizmi mbetet karakteristikë e luftëtarit. Mundet që, me Konfucin, të jemi në pikën kur "është më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën".
Erion Hiluku

Tiranë, maj 2015. 
www.javanews.al

Tregtarët e Evropës

Java 4 korrik 2015

Tregtarët e Evropës

            Qumështorët përsëritin pa pushim se Evropa është bijë e filozofisë greke, e së drejtës romake dhe e besimit të krishterë; kur e vërteta tregon se është bijë e eliminimit të tyre. Kjo është Evropa e përkufizuar nga lapsi i mprehtë i Juan Manuel de Pradës.  Diku tani e tremijë vjet të shkuara duke filozofuar në biseda hyjnore, grekët e vjetër krijuan nga asgjëja edhe atë që sot njohim si "demokraci", e cila ka ardhur duke evoluar, rritur, shtuar e degjeneruar sipas nevojës së përdoruesve modernë.  Megjithatë Greqia është prapë në modë. Në mediat e shkruara e vizive dhe në rrjetet sociale bëhet nami për Greqinë. Në rrjetet sociale, shyqyr që i kemi se na shpëtuan, shprehen të palodhur nga smartfonët e tyre edhe krerët e Evropës e të bankave ndërkombëtare. Jashtëzakonisht të shqetësuar, nga hotele luksozë, shprehen si profetë duke parashikuar të zeza, të bardha e ylberë për popullin grek. Sigurisht që ky i fundit duhet të paguajë edhe faturat e hoteleve të tyre, udhëtimet me avjon dhe skortat e pafundme ndërkohë që i bëjnë derman. Të gjithë personazhet në skenën evropiane nxitojnë të bëhen protagonistë, qoftë edhe të një tragjedie. Ka vite që ndjekim këtë spektakël të improvizuar fijet e të cilit drejtohen jo nga një autor por nga vetë personazhet, natyrisht nga personazhet që kryesojnë Evropën dhe që kanë edhe topin e gjuajnë edhe penalltinë.  Shpeshherë spektatorët, si në veprat e Shakespeare, dinë gjëra për të cilat personazhet nuk kanë dijeni. Mbase edhe qeveritarët grekë, duke menduar se janë në një demokraci përtej asaj që imagjinonte Aristoteli, kërkuan të drejtën e rebelimit, kërkuan të drejtën e shtyrjes së afateve. Me kishën jemi ndeshur, i dashur Sancho. Ata do kenë lexuar Platonin e Aristotelin në dialogët e tyre por sigurtë që nuk e kanë lexuar Fishtën kur tregon për Evropën. Loja është e rëndë prandaj duhet luajtur tërhiq e mos e këput, dhe nëse Evropa e ngre zërin duhet ndenjur urtë e shtrënguar rripi e le të shkojë thika në ashtë, apo nuk shikoni sa mirë po i ecën Spanjës dhe Portugalisë kështu. Qeveritë e tyre rrinë urtë e butë e rritin taksa e shkurtojnë vende pune e ulin paga ndërkohë e lusin Zotin që popujt e tyre të mos rebelohen se sa për ato do paguhet harac gjithë jetën. Lojërat bankare të numrave me ulje e ngritje koeficentesh evropiane, bursa e luhatje të euros e të dollarit e të naftës bëjnë kërdinë me panik në popujt që janë pjesë e euro grupit pa ia prishur humorin ndonjë populli që është më shumë me një këmbë andej se këndej. Shpeshherë ato janë para virtuale të cilët popujt as që i kanë parë e lë më prekur, para që jepen me firmën e politikanëve dhe bankierëve, me përgjegjësinë virtuale të ofertave dhe përqindjeve, para që fluturojnë e zhduken nga të njëjtët autorë, por që pastaj duhen paguar nga gjaku dhe djersa e ballit e popujve.  
            Për një person që më shumë merret me filozofi se me ekonomi, por që jeton me këmbë në tokë, një nga manualet më të mira të së drejtës juridiko-ekonomike është padyshim vepra e Shakespeare: Tregëtari i Venecias. Kështu kjo vepër prekëse deri në lotë, gëzimi në fund, ngjan sot aktuale.  Aty janë Bassanio dhe miku i tij Antonio me anijet e mbytura, përballë afatit dhe borxhit, dhe nëse nuk e kthejnë borxhin në kohë banka ruan të drejtën e prerjes së një kileje mish nga trupi i Antonios, ku të dëshirojë bankieri Shylock. Natyrisht që nuk bëhet fjalë vetëm për para, por për vlera njerëzore, për trishtimin, vetminë dhe melankolinë, e në fund edhe për tradhëtinë dhe dashurinë. Dhe kjo vepër teatrale dihet si mbaron sepse Shakespeare nuk shkruante vetëm tragjedi, dhe se as bankieri nuk e kishte parashikuar të priste pa derdhur gjak.

            Për të përfunduar më duhet të kthehem në fund të fillimit, sepse gjithandej dëgjoj fjalën referendum. Ky, mbase pak i mbivlerësuar dhe i nxituar më kthen në fillimet e krishtera. Si dje me duket referendumi i organizuar shpejt e shpejt nga Pilati. I surprizuar nga vendimi popullor ai nuk arriti të lante mirë as duart, le më ndërgjegjen e tij.  Bëhuni gati pra se populli dikë do të kryqëzojë,  dhe nuk do të mjaftojë larja e duarve, sepse në hipokrizinë evropiane të gjithë e keni hedhur gurin e parë.