Monday, February 23, 2015

Një vend në Parajsë

Një vend në Parajsë

            “Plaku është si fëmija”, thotë populli, dhe kjo është nga ato herë që nuk gabon. Pata mundësinë ta provoja këtë para pak netësh duke ndjekur një emision për të moshuarit në një nga televisionet tona kombëtare. Skenari ishte i denjë për hollivudin, minimumi: në njërën anë të ulur në një divan të rrënuar qëndronin pesë a gjashtë të moshuar krejt seriozë, të cilët të veshur me kostume të sajuara dhe me buzëqeshje të ngrira mbronin institucionin e tyre të mrekullueshëm.  Në prapavijë qëndronte një grup tjetër i komunitetit të vogël që iu mbante ison të parëve me ndonjë duartrokitje të thatë. Për pak minuta kuptova se jetonin në një parajsë të sponsorizuar nga shteti dhe se taksat e mia më në fund kishin gjetur një vend ku të shpenzoheshin lirshëm e mua s’ka pse të më vijë keq më e as kam pse ankohem për keqpërdorime apo qoftë larg abuzime, nga nëpunësit e shtetit tim. Në mes tyre kish qëndruar një bukuroshe bjonde që buzëqeshte papushim dhe i mbante si të hipnotizuar të pranishmit me aurean e saj prej shenjtoreje moderne. Rrinte si në shtëpinë e saj, madje iu drejtohej me emër të pranishmëve përfshi këtu edhe Zotin Ministër të Punës i cili gjendej në panelin përballë bashkë me gazetarët dhe nëpunës të lartë të shtetit. Nejse, pra nuk ju mungonte gjë prej gjëje. Dukej sikur të gjithë bashkë kishin ngrënë një darkë Krishtlindjesh franceze me paté, rosa të pjekura e Don Perinjon në kuzhinën e rezidencës ku padyshim nuk mungonte asgjë. Edhe pyetjeve të një gazetari gërricës që gjendej aty ja thyen turinjtë shpejt e shpejt. -Jo more zotëri këtu nuk na mungon gjë, ju jeni me fiksime. Neve na mungon vetëm një gjë; dashuria. Vetëm për këtë kemi nevojë.  Mbeta krejt i habitur nga kjo parajsë e re e gjendur pikërisht në mes tonë: të paktën nja tridhjetë a dyzet vetëve ju paskemi krijuar kushte të jenë të lumtur. Ç’kuptim do të kish një oaz pa shkretëtirë? Sa për dashurinë që ju mungonte nuk u shqetësova shumë se ky është një problem botëror dhe mund të bëhet edhe pa të. Nuk e ndërrova më kanalin.  
            Ministri vetë, i gjendur në një mjedis kaq fantastik filloi të iu shpjegonte me elegancë edhe sistemin e ri të pensioneve e masat e tjera të marra nga shteti për të rritur mirëqenien e 600 mijë pensionistëve të tjerë. Këta, meqë ra fjala, akoma nuk janë në parajsën e moshës së tretë.  Vetëm 200 vende kemi hë për hë. Kur gjermanët të bëjnë rezidenca për të moshuarit e tyre në bregdetin tonë mbase futim kokën edhe ndonjëri nga ne që dalim në pension pas 40 vjetësh, pra ju tani jeni në pikën e “prit gomar të mbijë bar”. Gjithë ato projekte e shpenzime në favor të moshuarve e pensionistëve saqë kur të arrijë të shpenzojë sa Ministri i Drejtësisë për çdo të burgosur, do të ketë lezet të dalim të gjithë në pension.
            Dukej aq bukur mjedisi saqë të moshuarit filluan me kërkesa e dëshira, nuk thonë kot “jepu dorën e të marrin krahun”. Njëri donte internet, të gjithë u surprizuan që nuk kishte, si ka mundësi, u tha u bë. Tjetri donte të hiqnin nja dy makina të vjetra nga oborri, të cilat nuk i kishin vënë re as gazetarët. -Na pengojnë për të dalë shpejt me taksi kur duhet të shkojmë në spital se helbete... Kujdes këtu, mos vazhdo se na prishet mjedisi paradiziak, po as gazetarët nuk ia varën këtij komenti. Për të shkuar në spital duhet të merrni taxi? Lëre të kalojë këtë koment se keni në dizpozicion një ushtri doktorësh, psikologësh e punonjësish socialë e u dashka të shkoni në spital. Sa për ata që janë të shtrirë në dhoma si Gjergj Elez Alia më mirë të mos i përmendim se mos na prishet festa neve apo oreksi teleshikuesve. Keni edhe një mori vullnetarësh që shumë mirë mund të ju çojnë me makinat e tyre, po qe nevoja. Ministri vetë bënte thirrje vazhdimisht për vullnetarizëm e pjesëmarrje sociale, e implikim të moshuarish në punë të ndryshme. Kjo më duket gjë e bukur, madje edhe e mundur, sikur të kuptoja pse i paguajmë ato punonjësit e rezidencës “paradiso”. Përsëri këmbëngul Ministri me vullnetarët ndërkohë që i mungon vetëm të lajë duart si Pilati. Shteti nuk mund të bëjë gjithçka. Por kësaj fjalie i tepron fjala “nuk”. Zotëri nuk lihen detyrimet e shtetit në duar vullnetariati. Me efikase është të kërkoni llogari për paratë që shpenzoni.  
            Zoti Ministër ju nuk keni pse lypni lëmoshën e firmave private që dhurojnë dy tre gjëra rezidencave me rastin e festave, pavarësisht se nuk e bëjnë këtë “as për marketing e as për bamirësi”. Paguajini të gjitha me taksat e mia, veç mos u bëni pjesë e hipokrizisë kombëtare. Plasën artistët dhe politikanët tanë duke bërë foto nëpër azile e “befotrofe” shtetërore, me rastin e festave. Si një rrugë e dy tre punë është kjo; kujtohemi tani për ata që harruam gjatë gjithë vitit, me një xhiro e një foto dëshmi, ia hedhim Zotit dhe ndërgjegjes, disa i hedhin edhe një grusht hi syve opinionit publik, i cili pa dyshim nuk i kapërdin më këto.
            Plakja është një gjendje e padiskutueshme që nuk kupton nga pasuria apo niveli social por i kap të gjithë personat pa dallim, megjithatë efekti mbi ta do të jetë në varësi të gjendjes fizike dhe mendore duke qenë të dyja këto njësoj të rëndësishme. Shërbimi me standarte evropiane i të moshuarve, ku vërtet të mos iu mungojë gjë është çështje drejtësie, jo lëmoshe apo solidariteti social. Është një detyrim ligjor kundrejt atyre që kanë punuar gjithë jetën, është detyrim që ka në rradhë të parë shteti i cili menaxhon jo vetëm taksat tona por edhe pasuritë kombëtare të fituara e të trashëguara brez pas brezi. Përndryshe, ç’kuptim do të kish jeta po të vdisnim të gjithë pa u plakur?                                                                          Tirane, dhjetor 2014.

                                                                                                                               Erion Hiluku

Specialisti

Specialisti
            I dashur lexues që më ndiqni me durim, po jua them menjëherë: atë mund t’a gjeni kudo. Tashmë ai është një ikonë e kulturës tonë kombëtare. Shkoni në një zyrë shtetërore dhe i pari që do të hasni e iu thotë: -hajde nesër, ai është specialisti. Mund ta njihni edhe nga përdorimi i fjalës “absolutisht”. Ai është më se i sigurtë, njëqind e njëzet përqind edhe më shumë, e padiskutueshme. Padyshim që është specialisti. Nëse akoma keni vështirësi për ta dalluar atëherë do të ju duhet të vazhdoni të lexoni.    
            Nëse shkoni në spital për një problem të vjetër duhet të shkoni herët. Priteni te lokali i spitalit, po nuk do e takoni dot se e kanë “kapur” nja tre a katër të tjerë. Vraponi ta ndaloni në korridor, dhe ai do të kujtohet për ju sapo të shohë grafinë tuaj në rrugë e sipër. Kur mbërrin te zyra pas pesë a gjashtë hapash, ai e ka bërë diagnozën, dhe pa u ulur ju shkruan në një copë letër edhe ilaçet që duhet të merrni. Mos ndërhyni, le që nuk ju lë ai, pra këtë duhet të bësh, punë e mbaruar se jam unë specialisti e kam dyzet vjet experiencë, shihemi pas gjashtë muajsh. Të fala. (Kujt?) Me letrën në dorë ju do dilni ngadalë pasi i keni futur “me zor” një pesëdhjetëshe në xhep, por nuk pendoheni se në fund të fundit iu mbaroi punë për pesë minuta, iu priti mirë. Mos u bëni ogurzi të mendoni se nëse jeni gjallë pas gjashtë muajsh do dukeni, ju s’keni pse mendoni se ka një vit eksperiencë e tridhjetë e nëntë që e përsërit.    

            Pasi i bletë ilaçet dhe meqë keni marrë leje në punë, bëni edhe një shëtitje nga zyrat e tatimeve aty pranë. Falas mendoni, se nuk ju ngeli gjë në xhep, të shikoni çfarë bëhet me taksat që keni paguar. Për atë vërtetimin.  Mirë se erdhët. Këtu do hasni një specialist tjetër. Ai mund të jetë edhe më i rëndësishëm, ka edhe zyrë e iu pret aty, pasi specialistes së re të informacionit i vjen keq e nuk iu ndihmon dot, se “s´nuk” internet, thotë. Trokitjes tuaj të ndrojtur prej taksapaguesi të drobitur ai i përgjigjet nga brenda me theks teksan të krekosur: “Hajdeh”. Ju e kuptoni se jeni te një specialist sapo hapni derën. Zyra “e tij” është e zbukuruar me dhurata. Arkat me verë italiane e spanjolle të hapura në dysheme të imponojnë respektin e mjaftueshëm që të rrish si qiri e me kujdes ku vë këmbët. Mbi tryezë janë pijet me gaz, shampanja dhe disa shporta të harlisura. Për pijet alkolike me ngjyrë ka vënë një bufe të bukur ai. Sapo u pendove që erdhe, po meqë erdhe, thuaje kërkesën tënde se në fund të fundit ky zotëri i specializuar punon për ty, është në shërbimin tënd, madje je edhe aksioner i kësaj zyre, pronë e shtetit tënd patetik. E thua si të ish fjala jote e fundit. Ai e mirëkupton hallin tënd, absolutisht po. Por, hajde më mirë nesër, do jemi më të qetë! Ju hasët sërish një specialist ndaj mos u bëni i pasjellshëm e të shani në mendjen tuaj, ju s’keni as pse mendoni se jeni fajtor që i shkuat pa gjë në dorë.                                       Tirane, dhjetor 2014.                                                                                                                                              Erion Hiluku

Monday, February 9, 2015

Shëndetësia mea culpa

REVISTA JAVA 7 SHKURT 2015


           Në shumicën e sistemeve shëndetësore të botës ka një shqetësim të madh përsa i përket situatës aktuale: kërkesë e madhe për shërbime dhe zvogëlim i burimeve njerëzore të kualifikuara. Megjithëse ky problem është i përgjithshëm, është më i rëndë në vendet në zhvillim ku edhe problemet shëndetësore janë më të mëdha. Punonjësit e shëndetit përballen çdo ditë me sfidën e një pune të sigurtë dhe të paguar mirë dhe në të njëjtën kohë, në aktivitetin e tyre të ushtrimit të profesionit përballen me një ngarkesë të madhe që zhvillohet në rrethana rreziku e dhune kundrejt tyre.  Vazhdon dhe të gjithë e dimë se në të gjithë botën ka një mungesë ekuilibri përsa iu përket burimeve njerëzore: përqendrim në zonat urbane dhe në vendet më të pasura.  Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) rekomandon rishikimin e paradoksit që ndodh në disa vende me burime njerëzore të mjaftueshme por në të cilët ka shumë profesionistë të papunë ose në vështirësi për ta patur atë duke çuar dëm talentet dhe duke shkaktuar emigrimin e tyre. Ndodh rëndom që kushtet e punës të mos jenë tërheqëse, pagë e ulët, mungesë vlerësimi shoqëror dhe mundësi të vogla zhvillimi profesional. Një situatë e tillë mund të jetë e instaluar prej vitesh në vendin tonë.
            Nga ana tjetër, kriza financiare që po kalojnë vendet e Evropës që prej 2008 ka shkaktuar tërmete të vërtetë në sistemet e tyre shëndetësore. Të dhënat e fundit të zhvillimeve shëndetësore të tre vendeve evropiane me krizën më të madhe, Spanja, Portugalia dhe Greqia, të cilët kanë insistuar në shkurtimin e fondeve për shërbimet shëndetësore duke vështirësuar aksesin e popullsisë në këto shërbime, tregojnë  për një rritje të menjëheshme të numrit të vetëvrasjeve dhe me zhvillimin e sëmundjeve infektive përfshirë VIH/SIDA. Megjithëse vendet dhe popujt janë të ndryshëm është e domosdoshme të merren parasysh studimet e të tjerëve, dhe përveç këtyre, në vendimet politike duhet të merret parasysh opinioni i profesionistëve dhe patjetër ai i përdoruesve të sistemit, pra qytetarit.
            Është e lehtë të vëzhgohen në sistemin tonë shëndetësor efektet e politikave shpeshherë të nxituara,  të ndjekura njëzet vitet e fundit. Miopia politike me shpatë në dorë për të shkurtuar pa kriter profesional financat dhe vendet e punës e kanë çuar në greminën që gjendet sot. Nuk është çështje tranzicioni sa çështje drejtësie e përgjegjësie e drejtuesve politikë te periudhës post diktatoriale. Ndryshimet ekonomike dhe të sistemeve kanë një përgjigje të menjëhershme në shëndetin e popullsisë. Desintegrimi i Bashkimit Sovjetik çoi në disa vende një rritje deri në 20% të vdekshmërisë. Efekti i ndryshimeve ekonomike në shëndetin e qytetarëve varet, përveç edukimit, edhe nga sa janë të mbrojtur këta nga vetvetja. Nuk kemi statistika, por janë të pamohueshme pasojat negative të lehtësimit të aksesit te alkoli, duhani apo edhe droga pas nëntëdhjetës. Rritja e fundit e taksës për duhanin më është dukur, për herë të parë, një bashkëpunim i arsyeve ekonomike me ato shëndetësore. Ndryshe nga shpejtësia me të cilën publikohen të dhënat ekonomike, shpesh kalojnë disa vite përpara se të bëhen të njohura të dhënat shëndetësore. Ka vende që përdorin këto taksa, përfshi edhe taksat mbi alkolin dhe pijet e gazuara në një përqindje të lartë për sistemin shëndetësor.         
            Në vendin tonë sistemi shëndetësor është shënjestra e përditshme e mediave dhe e rrjeteve sociale dhe jo pa arsye. Nuk ka asnjë dyshim se sektori ynë shëndetësor dhe spitalor ka nevojën urgjente, por dhe mundësinë e ndërtimit të sistemeve të reja të administrimit shëndetësor me standarte bashkëkohore dhe me vizion për të ardhmen. OBSH prej vitesh iu rekomandon vendeve me problematika të tilla plane kombëtare të bazuara në tri prioritete: të veprohet tani, t’i paraprijmë të ardhmes dhe të garantohet arritja e kapaciteteve themelore. Njëkohësisht në vendet e zhvilluara si ato të BE, më shumë në shërbimet private të shëndetit, administrimi i mirë i burimeve njerëzore brenda sektorit shëndetësor ka dhënë prova të një përmirësimi të dukshëm të efiçences, efikasitetit dhe produktivitetit. Aplikimi i mjeteve teknologjike që optimizojnë punën e punonjësve po përmirëson aktivitetin dhe cilësinë e shërbimeve. Pajisja me kartë elektronike personale e çdo përdoruesi dhe elektronizimi i recetës janë çështje që duhen zgjidhur menjëherë. Bashkëpunimi me institucionet private e ka demostruar në shumë vende efikasitetin në zgjidhjen e nevojave më urgjente dhe më specifike.  
            Shpenzimet në fushën e shëndetit janë të larta dhe me tendencë në rritje. Të gjitha qeveritë janë të alarmuara për këtë situatë sepse sektori shëndetësor konsumon një përqindje të lartë të produktit të brendshëm të çdo kombi. Rritja e shpenzimeve çon në një pikë kritike në të cilën nevojat në shëndetësi janë më të mëdha se burimet egzistuese të qytetarëve dhe ata nuk mund t’i shtojnë kontributet për të financuar sistemin. Zhvillimi shkencor-teknologjik, barnat, ndryshimet epidemiologjike – demografike dhe prania e një pale të tretë shpërndarësish shërbimesh dhe tenderistësh kontribojnë në rritjen e shpenzimeve të shëndetit. Kjo bëhet edhe më e rëndë kur shfaqen sëmundje të tjera, situata katastrofike dhe shtimi i numrit të aksidenteve dhe i të moshuarve. Megjithatë s’ka dyshime se nuk mund të ulet cilësia me qëllim uljen e shpenzimeve, kjo do të ishte e papranueshme.
            Shpenzimet shëndetësore paraqesin disa probleme që përmbajnë dilema etike. Në rradhë të parë duhet thënë se ai që ofron shërbimin është kontrolluesi më i madh i shpenzimeve. Konsiderohet se profesionistët që ofrojnë shërbimin mund të kontrollojnë deri në 60% të shpenzimeve shëndetësore. Por problemi është se ky ofrues ka fitime ekonomike nga ky shërbim, prandaj nuk e kontrollon në mënyrë korrekte nëse nuk ka një formim etik të konsoliduar dhe nëse nuk i kërkohet llogari nga ligj zbatuesi. Nga ana tjetër është mungesa e kulturës e përdoruesit që shkakton shpesh shpenzime të panevojshme, abuzive ose ndikon në ofruesin duke kërkuar përshpejtimin e një shërbimi sigurisht në kurriz të gjithë të tjerëve. Duhet dënuar dhe bërë e ditur se ai që abuzon ose korrupton iu mohon aksesin në shërbim të tjerëve.
            Përfundimisht kuptohet se një shërbim shëndetësor është shumë i kushtueshëm dhe se një profesionist shkencërisht dhe moralisht i mirë formuar është ai që do të ofrojë një shërbim njerëzor dhe shkencor me kosto më të ulët, se një tjetër i ngjashëm pa këto karakteristika. 
            Veprimet që duhet të ndërmerren nga organizmat përgjegjës duhet të jenë jo vetëm etike dhe të bazuara në kërkesat sociale por edhe duke patur parasysh principet e drejtësisë, qytetarisë, pluralizmit, solidaritetit dhe të drejtave të shëndetit dhe të asistencës shëndetësore, që janë të Drejta Njerëzore.
Erion Hiluku
www.revistajava.al 


Friday, February 6, 2015

Hemorragjia si metaforë

Revista “Java” 24 janar 2015.
           Shkruante Aristoteli se “metaforë” do të thotë “t’i japësh diçkaje një emër që i përket diçkaje tjetër”. Njeriu në mënyrë të natyrshme metaforizon. Ata dy tre lexues që më ndjekin e dinë se jam njohës më i mirë i sëmundjeve sesa i metaforave, të cilat janë burim i sigurtë polemikash. 
Prandaj, ju lutem mos e lini këtë shkrim në duar të minorenëve..
            Sëmundja si metaforë është përdorur nga njerëzimi që në antikitet. Në periudhën moderne përdoret më shumë nga politikanët, specialistë të metaforave pesimiste, si për shembull ato që përdorte Kryeministri ynë gjatë fushatës elektorale. Edhe më herët, Xhon Adamsi në vitin 1772 shkruante: Vendi im është zhytur në mjerim të thellë dhe ka shumë pak Arsye për Shpresë. ... Populli duket i dërrmuar nga përpjekjet, dhe Korrupsioni, Servilizmi dhe Prostitucioni po ja hanë trupin dhe po përhapen si kanceri.     
            Më lejoni të ja aplikoj këtë fjali vendit tim, në vitin 2015, aq sa zgjat së shkruari këtë artikull.  Një gjë është e dukshme për këdo që i ka sytë të hapur, simptoma vdekjeprurëse: hemorragjia. Lëngu i jetës së Kombit tonë derdhet si shatërvan i valëzuar nga rrahjet e fundit të një zemre të copëtuar. Në historinë klinike të Kombit tonë, për të mos shkuar më larg, duhet kujtuar hemorragjia e parë masive, që i la një boshllëk të pakuruar, sa shkulja e një mushkërie të shëndoshë. Pushtimi nga mortaja otomane shkaktoi eksodin e parë me përmasa biblike. Mbeti pas kësaj një trup i sfilitur nga viruset malinje e nga sëmundjet ngjitëse e të pista që do ia zinin frymën deri në fillim të shekullit të njëzetë. I liruar nga zinxhirët u hodh i lirë në 1912 dhe për pak do të ja arrinte, sikur të mos i rikthehej sërish sëmundja e vjetër. Një kancer i fshehur vëllavrasës do i shkaktonte sërish hemorragji të madhe. Ata elementë inmun që u kthyen të qëndronin do të eliminoheshin, anës detit.
            Asgjë nuk është tuberkulozi, kanceri është lojë në krahasim me sëmundjen pesëdhjetë vjeçare që kaploi vendin tonë. Sëmundjet virale janë më të tmerrshme pikërisht për këtë, vështirë të kurohen plotësisht. “Ajo që nuk më vret më bën më të fortë”, do të thoshte super-njeriu në vend të Zotit, Niçja, idhulli që shkruante në delirin e sifilisit. 
                        Po sot, pa më thuaj si je? Etimologjikisht, pacient do të thotë vuajtës, por nuk është e njëjta gjë për fjalën Komb. Duket se vuajtjen e kemi pjesë të jetës dhe nuk ia më kemi frikën, por akoma ia kemi frikën poshtërimit. Hemorragjia është e pandalshme dhe kjo duket e pakurueshme tashmë. Mijëra njerëz e kanë braktisur dhe vazhdojnë të braktisin vendin tonë. Motoja e ditës është: Ik nga sytë këmbët. Vraponi ku të mundeni, kudo që të shkoni do të jeni më mirë se këtu, në një vend të rraskapitur nga sëmundja e turpshme e korrupsionit. Ikja e “trurit” na bën për të qeshur.
            Fytyra kimerike e kësaj sëmundjeje nuk fshihet dot më as nga lustrimet estetike të politikës sonë kombëtare. Mikrobet gërryejnë shpirtin e Kombit me pretekstin se gjoja qenkëshin antibiotikë me spektër të gjerë dhe ky i mjeri, i nënshtruar, pret ndonjë mrekulli.  Parazitë të pamëshirshëm ia thithin papushim gjakun hemofilik dhe nga babëzia dhe injoranca nuk e kuptojnë se, kur të vdesë trupi edhe ata do të ngordhin. Qeliza malinje, të  së një njëjtës zemër, zihen për të ndarë plaçkën e luftës, ose thënë ndryshe, ndajnë organet e një kufome të ardhëshme. Inkurajuar nga tifozat e huaj, me thirrjet “hëngsh veten”, sëmundja përparon triumfalisht duke pushtuar edhe ato qeliza të vjetëruara të cilat më parë i dukeshin të panevojshme.
            Vetëkujdesja e pacientit është një domosdoshmëri për të garantuar suksesin e trajtimit. Por pacienti ynë nuk e do më veten. I turpëruar dhe i dëshpëruar e ka braktisur veten në rrjedhën e kohës. Është paradoksale sesi, pasi ka investuar miljona dhe dekada në qelizat e reja kuruese, të pathyeshme gjenetikisht, trashëgimi e një Kombi të vjetër, ia dhuron këto të tjerëve. Normalisht që Kombet e tjera i mirëpresin, pasurohen e rigjenerohen me to.  
            Kur dikush kthehet, e presim me këmbët e para. -Po ti çfarë do që u ktheve? Të paktën dy a tre lexuesve të mi do ju lutesha që të mos e bënin kurrë këtë. Asnjë prind, a vëlla a motër nuk thotë, -pse erdhe në shpi? Por –mirë se erdhe. Askush nuk kthehet këtu se s’ka ku shkon tjetër, prandaj meritojnë më shumë se djali plëngprishës.
            Përgjegjësit e trajtimit bëjnë plane deri në orët e vona (të paguara) por nuk bien dakort, ndërkohë që pacienti lëngon. Kush vendos kur doktorët nuk bien dakort? Metoda e ndjekur deri tani, ajo e doktor Allamudhit nuk ka më se ku të aplikohet. Në trishtimin e syve të tij ne shohim se i sëmuri është koshient për vdekjen e afërt.  Ai e di se korrupsioni është një kancer i shërueshëm në të gjithë botën, por duhet marrë seriozisht nga të zotët e punës. Monitorimi i  psherëtimave të tij, përveç mijëra eurove, mund edhe të ju  japi çmimin Nobel specialistëve të huaj, si dëshmitarë të agonisë së një Specieje në zhdukje. Ai, tashmë me një këmbë në varr, pret trajtimin me urgjencë, duke e ditur se ky është shansi i tij i fundit.
            “Është ironi e çuditshme –shkruante Stivensoni, –që vendet ku na nisin kur na lë shëndeti kanë shpesh një bukuri të rrallë. I sëmuri nuk është shumë i dëshpëruar kur merr vendimin e mërgimit por... ky mërgim i detyruar nuk është dhe aq i këndshëm. I sëmuri nuk është në gjendje të gëzojë fatin që ka gjetur: ai është i zhgënjyer nga bota”.
            Megjithatë, prognoza është gjithmonë, në parim, optimiste. 

Erion Hiluku
Tiranë, janar 2015.