Friday, February 6, 2015

Hemorragjia si metaforë

Revista “Java” 24 janar 2015.
           Shkruante Aristoteli se “metaforë” do të thotë “t’i japësh diçkaje një emër që i përket diçkaje tjetër”. Njeriu në mënyrë të natyrshme metaforizon. Ata dy tre lexues që më ndjekin e dinë se jam njohës më i mirë i sëmundjeve sesa i metaforave, të cilat janë burim i sigurtë polemikash. 
Prandaj, ju lutem mos e lini këtë shkrim në duar të minorenëve..
            Sëmundja si metaforë është përdorur nga njerëzimi që në antikitet. Në periudhën moderne përdoret më shumë nga politikanët, specialistë të metaforave pesimiste, si për shembull ato që përdorte Kryeministri ynë gjatë fushatës elektorale. Edhe më herët, Xhon Adamsi në vitin 1772 shkruante: Vendi im është zhytur në mjerim të thellë dhe ka shumë pak Arsye për Shpresë. ... Populli duket i dërrmuar nga përpjekjet, dhe Korrupsioni, Servilizmi dhe Prostitucioni po ja hanë trupin dhe po përhapen si kanceri.     
            Më lejoni të ja aplikoj këtë fjali vendit tim, në vitin 2015, aq sa zgjat së shkruari këtë artikull.  Një gjë është e dukshme për këdo që i ka sytë të hapur, simptoma vdekjeprurëse: hemorragjia. Lëngu i jetës së Kombit tonë derdhet si shatërvan i valëzuar nga rrahjet e fundit të një zemre të copëtuar. Në historinë klinike të Kombit tonë, për të mos shkuar më larg, duhet kujtuar hemorragjia e parë masive, që i la një boshllëk të pakuruar, sa shkulja e një mushkërie të shëndoshë. Pushtimi nga mortaja otomane shkaktoi eksodin e parë me përmasa biblike. Mbeti pas kësaj një trup i sfilitur nga viruset malinje e nga sëmundjet ngjitëse e të pista që do ia zinin frymën deri në fillim të shekullit të njëzetë. I liruar nga zinxhirët u hodh i lirë në 1912 dhe për pak do të ja arrinte, sikur të mos i rikthehej sërish sëmundja e vjetër. Një kancer i fshehur vëllavrasës do i shkaktonte sërish hemorragji të madhe. Ata elementë inmun që u kthyen të qëndronin do të eliminoheshin, anës detit.
            Asgjë nuk është tuberkulozi, kanceri është lojë në krahasim me sëmundjen pesëdhjetë vjeçare që kaploi vendin tonë. Sëmundjet virale janë më të tmerrshme pikërisht për këtë, vështirë të kurohen plotësisht. “Ajo që nuk më vret më bën më të fortë”, do të thoshte super-njeriu në vend të Zotit, Niçja, idhulli që shkruante në delirin e sifilisit. 
                        Po sot, pa më thuaj si je? Etimologjikisht, pacient do të thotë vuajtës, por nuk është e njëjta gjë për fjalën Komb. Duket se vuajtjen e kemi pjesë të jetës dhe nuk ia më kemi frikën, por akoma ia kemi frikën poshtërimit. Hemorragjia është e pandalshme dhe kjo duket e pakurueshme tashmë. Mijëra njerëz e kanë braktisur dhe vazhdojnë të braktisin vendin tonë. Motoja e ditës është: Ik nga sytë këmbët. Vraponi ku të mundeni, kudo që të shkoni do të jeni më mirë se këtu, në një vend të rraskapitur nga sëmundja e turpshme e korrupsionit. Ikja e “trurit” na bën për të qeshur.
            Fytyra kimerike e kësaj sëmundjeje nuk fshihet dot më as nga lustrimet estetike të politikës sonë kombëtare. Mikrobet gërryejnë shpirtin e Kombit me pretekstin se gjoja qenkëshin antibiotikë me spektër të gjerë dhe ky i mjeri, i nënshtruar, pret ndonjë mrekulli.  Parazitë të pamëshirshëm ia thithin papushim gjakun hemofilik dhe nga babëzia dhe injoranca nuk e kuptojnë se, kur të vdesë trupi edhe ata do të ngordhin. Qeliza malinje, të  së një njëjtës zemër, zihen për të ndarë plaçkën e luftës, ose thënë ndryshe, ndajnë organet e një kufome të ardhëshme. Inkurajuar nga tifozat e huaj, me thirrjet “hëngsh veten”, sëmundja përparon triumfalisht duke pushtuar edhe ato qeliza të vjetëruara të cilat më parë i dukeshin të panevojshme.
            Vetëkujdesja e pacientit është një domosdoshmëri për të garantuar suksesin e trajtimit. Por pacienti ynë nuk e do më veten. I turpëruar dhe i dëshpëruar e ka braktisur veten në rrjedhën e kohës. Është paradoksale sesi, pasi ka investuar miljona dhe dekada në qelizat e reja kuruese, të pathyeshme gjenetikisht, trashëgimi e një Kombi të vjetër, ia dhuron këto të tjerëve. Normalisht që Kombet e tjera i mirëpresin, pasurohen e rigjenerohen me to.  
            Kur dikush kthehet, e presim me këmbët e para. -Po ti çfarë do që u ktheve? Të paktën dy a tre lexuesve të mi do ju lutesha që të mos e bënin kurrë këtë. Asnjë prind, a vëlla a motër nuk thotë, -pse erdhe në shpi? Por –mirë se erdhe. Askush nuk kthehet këtu se s’ka ku shkon tjetër, prandaj meritojnë më shumë se djali plëngprishës.
            Përgjegjësit e trajtimit bëjnë plane deri në orët e vona (të paguara) por nuk bien dakort, ndërkohë që pacienti lëngon. Kush vendos kur doktorët nuk bien dakort? Metoda e ndjekur deri tani, ajo e doktor Allamudhit nuk ka më se ku të aplikohet. Në trishtimin e syve të tij ne shohim se i sëmuri është koshient për vdekjen e afërt.  Ai e di se korrupsioni është një kancer i shërueshëm në të gjithë botën, por duhet marrë seriozisht nga të zotët e punës. Monitorimi i  psherëtimave të tij, përveç mijëra eurove, mund edhe të ju  japi çmimin Nobel specialistëve të huaj, si dëshmitarë të agonisë së një Specieje në zhdukje. Ai, tashmë me një këmbë në varr, pret trajtimin me urgjencë, duke e ditur se ky është shansi i tij i fundit.
            “Është ironi e çuditshme –shkruante Stivensoni, –që vendet ku na nisin kur na lë shëndeti kanë shpesh një bukuri të rrallë. I sëmuri nuk është shumë i dëshpëruar kur merr vendimin e mërgimit por... ky mërgim i detyruar nuk është dhe aq i këndshëm. I sëmuri nuk është në gjendje të gëzojë fatin që ka gjetur: ai është i zhgënjyer nga bota”.
            Megjithatë, prognoza është gjithmonë, në parim, optimiste. 

Erion Hiluku
Tiranë, janar 2015. 

No comments:

Post a Comment