Në shumicën e sistemeve shëndetësore të botës
ka një shqetësim të madh përsa i përket situatës aktuale: kërkesë e madhe për
shërbime dhe zvogëlim i burimeve njerëzore të kualifikuara. Megjithëse ky
problem është i përgjithshëm, është më i rëndë në vendet në zhvillim ku edhe
problemet shëndetësore janë më të mëdha. Punonjësit e shëndetit përballen çdo
ditë me sfidën e një pune të sigurtë dhe të paguar mirë dhe në të njëjtën kohë,
në aktivitetin e tyre të ushtrimit të profesionit përballen me një ngarkesë të
madhe që zhvillohet në rrethana rreziku e dhune kundrejt tyre. Vazhdon dhe të gjithë e dimë se në të gjithë
botën ka një mungesë ekuilibri përsa iu përket burimeve njerëzore: përqendrim
në zonat urbane dhe në vendet më të pasura.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) rekomandon rishikimin e
paradoksit që ndodh në disa vende me burime njerëzore të mjaftueshme por në të
cilët ka shumë profesionistë të papunë ose në vështirësi për ta patur atë duke
çuar dëm talentet dhe duke shkaktuar emigrimin e tyre. Ndodh rëndom që kushtet
e punës të mos jenë tërheqëse, pagë e ulët, mungesë vlerësimi shoqëror dhe
mundësi të vogla zhvillimi profesional. Një situatë e tillë mund të jetë e
instaluar prej vitesh në vendin tonë.
Nga
ana tjetër, kriza financiare që po kalojnë vendet e Evropës që prej 2008 ka
shkaktuar tërmete të vërtetë në sistemet e tyre shëndetësore. Të dhënat e
fundit të zhvillimeve shëndetësore të tre vendeve evropiane me krizën më të
madhe, Spanja, Portugalia dhe Greqia, të cilët kanë insistuar në shkurtimin e
fondeve për shërbimet shëndetësore duke vështirësuar aksesin e popullsisë në këto
shërbime, tregojnë për një rritje të
menjëheshme të numrit të vetëvrasjeve dhe me zhvillimin e sëmundjeve infektive
përfshirë VIH/SIDA. Megjithëse vendet dhe popujt janë të ndryshëm është e
domosdoshme të merren parasysh studimet e të tjerëve, dhe përveç këtyre, në
vendimet politike duhet të merret parasysh opinioni i profesionistëve dhe
patjetër ai i përdoruesve të sistemit, pra qytetarit.
Është
e lehtë të vëzhgohen në sistemin tonë shëndetësor efektet e politikave
shpeshherë të nxituara, të ndjekura njëzet
vitet e fundit. Miopia politike me shpatë në dorë për të shkurtuar pa kriter
profesional financat dhe vendet e punës e kanë çuar në greminën që gjendet sot.
Nuk është çështje tranzicioni sa çështje drejtësie e përgjegjësie e drejtuesve
politikë te periudhës post diktatoriale. Ndryshimet ekonomike dhe të sistemeve
kanë një përgjigje të menjëhershme në shëndetin e popullsisë. Desintegrimi i
Bashkimit Sovjetik çoi në disa vende një rritje deri në 20% të vdekshmërisë. Efekti
i ndryshimeve ekonomike në shëndetin e qytetarëve varet, përveç edukimit, edhe
nga sa janë të mbrojtur këta nga vetvetja. Nuk kemi statistika, por janë të pamohueshme
pasojat negative të lehtësimit të aksesit te alkoli, duhani apo edhe droga pas
nëntëdhjetës. Rritja e fundit e taksës për duhanin më është dukur, për herë të
parë, një bashkëpunim i arsyeve ekonomike me ato shëndetësore. Ndryshe nga
shpejtësia me të cilën publikohen të dhënat ekonomike, shpesh kalojnë disa vite
përpara se të bëhen të njohura të dhënat shëndetësore. Ka vende që përdorin këto
taksa, përfshi edhe taksat mbi alkolin dhe pijet e gazuara në një përqindje të
lartë për sistemin shëndetësor.
Në
vendin tonë sistemi shëndetësor është shënjestra e përditshme e mediave dhe e
rrjeteve sociale dhe jo pa arsye. Nuk ka asnjë dyshim se sektori ynë
shëndetësor dhe spitalor ka nevojën urgjente, por dhe mundësinë e ndërtimit të
sistemeve të reja të administrimit shëndetësor me standarte bashkëkohore dhe me
vizion për të ardhmen. OBSH prej vitesh iu rekomandon vendeve me problematika
të tilla plane kombëtare të bazuara në tri prioritete: të veprohet tani, t’i
paraprijmë të ardhmes dhe të garantohet arritja e kapaciteteve themelore.
Njëkohësisht në vendet e zhvilluara si ato të BE, më shumë në shërbimet private
të shëndetit, administrimi i mirë i burimeve njerëzore brenda sektorit
shëndetësor ka dhënë prova të një përmirësimi të dukshëm të efiçences, efikasitetit
dhe produktivitetit. Aplikimi i mjeteve teknologjike që optimizojnë punën e
punonjësve po përmirëson aktivitetin dhe cilësinë e shërbimeve. Pajisja me kartë
elektronike personale e çdo përdoruesi dhe elektronizimi i recetës janë çështje
që duhen zgjidhur menjëherë. Bashkëpunimi me institucionet private e ka
demostruar në shumë vende efikasitetin në zgjidhjen e nevojave më urgjente dhe më
specifike.
Shpenzimet
në fushën e shëndetit janë të larta dhe me tendencë në rritje. Të gjitha
qeveritë janë të alarmuara për këtë situatë sepse sektori shëndetësor konsumon
një përqindje të lartë të produktit të brendshëm të çdo kombi. Rritja e
shpenzimeve çon në një pikë kritike në të cilën nevojat në shëndetësi janë më të
mëdha se burimet egzistuese të qytetarëve dhe ata nuk mund t’i shtojnë
kontributet për të financuar sistemin. Zhvillimi shkencor-teknologjik, barnat,
ndryshimet epidemiologjike – demografike dhe prania e një pale të tretë shpërndarësish
shërbimesh dhe tenderistësh kontribojnë në rritjen e shpenzimeve të shëndetit.
Kjo bëhet edhe më e rëndë kur shfaqen sëmundje të tjera, situata katastrofike
dhe shtimi i numrit të aksidenteve dhe i të moshuarve. Megjithatë s’ka dyshime
se nuk mund të ulet cilësia me qëllim uljen e shpenzimeve, kjo do të ishte e
papranueshme.
Shpenzimet
shëndetësore paraqesin disa probleme që përmbajnë dilema etike. Në rradhë të
parë duhet thënë se ai që ofron shërbimin është kontrolluesi më i madh i
shpenzimeve. Konsiderohet se profesionistët që ofrojnë shërbimin mund të kontrollojnë
deri në 60% të shpenzimeve shëndetësore. Por problemi është se ky ofrues ka
fitime ekonomike nga ky shërbim, prandaj nuk e kontrollon në mënyrë korrekte nëse
nuk ka një formim etik të konsoliduar dhe nëse nuk i kërkohet llogari nga ligj
zbatuesi. Nga ana tjetër është mungesa e kulturës e përdoruesit që shkakton
shpesh shpenzime të panevojshme, abuzive ose ndikon në ofruesin duke kërkuar përshpejtimin
e një shërbimi sigurisht në kurriz të gjithë të tjerëve. Duhet dënuar dhe bërë
e ditur se ai që abuzon ose korrupton iu mohon aksesin në shërbim të tjerëve.
Përfundimisht kuptohet se një shërbim
shëndetësor është shumë i kushtueshëm dhe se një profesionist shkencërisht dhe
moralisht i mirë formuar është ai që do të ofrojë një shërbim njerëzor dhe
shkencor me kosto më të ulët, se një tjetër i ngjashëm pa këto karakteristika.
Veprimet
që duhet të ndërmerren nga organizmat përgjegjës duhet të jenë jo vetëm etike
dhe të bazuara në kërkesat sociale por edhe duke patur parasysh principet e
drejtësisë, qytetarisë, pluralizmit, solidaritetit dhe të drejtave të shëndetit
dhe të asistencës shëndetësore, që janë të Drejta Njerëzore.
Erion Hiluku
www.revistajava.al

No comments:
Post a Comment