As për një milion dollarë
Imcake, e zgjuar flakë, e edukuar mirë,
shkruante poezi dhe i binte mandolinës. Për familjen e saj të pasur, mjafton të
themi tre fjalë me të cilat e njihnin, “Bujar si Bojaxhinjtë”. Shumë shpejt
bota do të ishte e vogël për të dhe ajo do të bëhej një nga njerëzit më të
famshëm të kohës. Që 18 vjeҫ emigroi, studjoi, punoi shumë dhe krijoi një rrymë
të re të bazuar në një metodë dashurie 2000 vjeҫare. “Me më të varfërit e të
varfërve”. Ishte e famshme, fitoi Nobelin, ishte mike e ngushtë e Princeshës
Diana të Anglisë, e Dalai Lamës aso kohe të ri, e Papës Gjon Pali i II, e vazhdimisht
e ftonin në konferencat më në zë të Kombeve të Bashkuara.
Kishte një kapacitet lideri që edhe sot e kësaj
dite e kanë lakmi shumë politikanë e biznesmenë. Për pak vite ajo ndërtoi
shtëpi në më se 100 vende të botës, për më të varfërit e të varfërve. Duke i
qëndruar besnik kontekstit, nuk duhet shumë për të kuptuar se e gjithë jeta e
saj do të ishte providenciale. Pas një jete që rrëmben zemrat e miliona
njerëzve qëndron i Biri i një zdrukthëtari me të cilin ajo mbante një dialog të
vazhdueshëm.
Në ҫdo cep të botës, te varfëria e braktisja, në
skajet e jetës aty në kufirin me vdekjen, janë njerëzit e Nënës. Sërish në
kontekstin e jetës së tyre, që nuk duhet harruar, ata kanë një ndihmë të madhe,
Krishtin. Ai është mbështetja dhe siguria për jetën e tyre. Kanë Krishtin dhe
kanë gjithҫka.
Shumë njerëz të famshëm, politikanë e të
tjerë afrohen shpesh për të kundruar mrekullinë e thjeshtësisë e të dhënies së
jetës, të kujdesit të pakufi. Të varfërit e saj janë të lumtur me dashurinë deri
në supën e thjeshtë. Të moshuarit që ata kujdesin janë në paradhomën e
parajsës, buzëqeshja dhe bekimet i shoqërojnë në ҫdo minutë. Të sëmurë me
patologji të rënda, fëmijë trizomikë, poliomelitikë, rrakitikë, të kequshqyer me
paraliza cerebrale e paaftësi fizike të pakataloguara, të gjithë të braktisur
nga shoqëria ku kanë lindur, përkujdesen me dashuri hyjnore nga Motrat e Nënë
Terëzës.
Shteti ynë kaotik dhe shoqëria jonë e pazhvilluar
në rrugën e dashurisë japin padyshim një kontribut të madh për të mbushur
shtëpitë e Nënës. Dhjetëra të moshuar të braktisur, të sëmurë të hedhur rrugëve
në një vend pa shtet social, pa organizim e mbi të gjitha drejtuar nga njerëz
shpesh të paaftë dhe pa njohuritë bazë të njeriut të qytetëruar, gjejnë jetën
dhe kujdesin vetëm në shtëpitë e Nënë Terezës. Kam patur fatin e keq të
vërtetoj se si autoritetet tona shtetërore as nuk kanë informacion për të
moshuarit që kanë në përkujdesje Motrat e Nënë Terezës, as në Tiranë, sa të
sëmurë kanë në kujdesje Vëllëzërit e Saj në shtëpinë për të sëmurë në Bushat
apo në Shkodër, kur në vendin tonë institucionet shtetërore të përkujdesjes së
jetimëve e të sëmurëve janë mbyllur gati
të gjithë. Institucionet tona shtetërore janë indiferentë kundrejt nevojave që
mund të kenë motrat e Nënës për ndonjë lehtësi rruge, uji, asistence mjekësore
e sociale, apo ndriҫimi në zonat ku jetojnë. Mungesa e madhe e solidaritetit
dhe indiferenca në shkallë të gjerë sociale shkëlqejnë më shumë në këto ditë të
rëndësishme përpara shenjtërimit zyrtar të Nënës kur të gjithë popujt e botës
gëlojnë nga aktivitete sensibilizues bamirësie.
Me të varfërit e Nënë Terezës, miqtë e saj të
vërtetë, do të mblidhen edhe dhjetëra politikanë e të famshëm të tjerë në
shtator për të marrë pjesë në shenjtërimin e saj. Megjithëse mike e
politikanëve, Institucioni i Nënës nuk pranon dhurata ekonomike nga shtetet apo
qeveritë e vendeve ku punojnë. Miliona njerëz që jetojnë në shtëpitë e saj në
të gjithë botën do të ndjekin në
televizor shenjtërimin e saj, ndërkohë që hanë një pjatë të ngrohtë gatuar me
dashurinë e motrave të saj. Mijëra motra e vëllezër të Nënës do të vazhdojnë
jetën e tyre të përditshme të shërbimit të dashurisë, të zhytur në misterin e
një Zoti që i shoqëron në ҫdo frymëmarrje.
Miljona
dollarë do të shpenzohen në udhëtime, në hotele e transporte, e shumë prej tyre
vetëm për një foto me të, e në rrugë e sipër për një foto me të varfërit e
Nënës që nuk kanë gjë tjetër mbas shpirtit dhe votës. Këta të fundit nuk do të
kenë mundësi të udhëtojnë të gjithë në Romë për të treguar mirënjohje, por së
bashku me Motrat e saj do të jenë në lutje në dhjetëra qytete të mbarë botës. Në
një konferencë të Kombeve të Bashkuara, Nëna do t’i pyeste liderët: A i njihni
njerëzit tuaj? A i doni ata?
Si shumë të tjerë që deshën
të prekeshin nga fama e shenjtes edhe Rita Hayworth vizitoi njëherë një leprozeri
të Nënë Terezës. Ndërsa vizitonte sallat ku dergjeshin ata të sëmurë të gërryer
nga lepra e sëmundjet e tjera, aktorja e famshme nuk mundi t’a përmbante
tmerrin që i shkaktoi një mjerim i tillë. Duke iu drejtur Nënës i tha: “Kjo
punë që bëni ju dhe motrat nuk ka të paguar. Unë nuk do t’a bëja një gjë të
tillë as për një milion dollarë” Nëna ju përgjigj: Për një milion dollarë nuk do
t’a bënim as ne.
Shumë do të vrapojnë në
shenjtërimin e Nënës, pas pak. Po a e kemi kuptuar Nënën në madhështinë e
thjeshtësisë së saj? Sa jemi thelluar, sidomos ne shqiptarët? Se ne jemi krenar
për të, pa ditur se pikërisht aty në atë krenarinë dhe dëshirën për t’u dukur,
në tangërllekun fodull e injorancën, aty nuk është ajo. Nëna e thjeshtë, kur i
dhanë ҫmimin Nobel, nuk e deshi darkën me salltanetet por kërkoi të merrte
lekët që të shtronte një darkë modeste miliona njerëzve nëpër botë. Mijëra
shqiptarë luftojnë për bukën e gojës në vendin tonë, që nuk është i varfër, por
merret me mend se nga shkojnë paratë e pasuritë.
Jo vetëm përfaqësuesit e shtetit, por të gjithë
shqiptarët jemi në borxh me Nënën, kundrejt të varfërve vëllezërve tanë po, por
edhe për atë spitalin që për ta i premtoi qeveria jonë demokratike dhe që ka
pak gjasa të bëhet realitet.
Më 29 nëntor 1964, Nënë
Tereza ishte e ftuar në Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar, drejtuar nga Papa
Pali i VI, në Bombay. Rrugës për aty Nëna takoi një ҫift të moshuarish që agonizonin
nën hijen e një peme. U ndal me ta, i ndihmoi e priti derisa burri vdiq në
krahët e saj. Pastaj Nëna e ngarkoi mbi supe të sëmurën dhe e ҫoi në një nga
qendrat e saj. Kur mbaroi punë ajo edhe ceremonia e Papës kishte përfunduar.
Erion
Hiluku
www,javanews.al 31.08.2016
No comments:
Post a Comment