Nëse nuk doni
16.05.2015.
Zonja dhe zotërinj, udhëtarë e turistë të botës: nëse nuk ju pëlqejnë kështjellat dhe kalatë, mos u dukni në Shqipëri. Nuk ka mundësi të kaloni pa ndeshur në ndonjë prej tyre ngado që t’i bini. Numri i tyre është i ekzagjeruar, gati cdo tridhjetë kilometra do të shihni ndonjë. Ngado që të hidhni sytë keni një kala. Ja provojeni në google earth: nga hyrjet e veriut do të përplaseni me kalanë e Shkodrës, vazhdoni dhe pa dalë nga Shkodra keni atë të Dejës, pak më në vazhdim të Lezhës e kështu me rradhë deri në Sarandë. Po hodhët një sy rreth aeroportit Nënë Tereza, se mos vini me avjon, pa dalë e shihni kalanë e Prezës. Përreth Tiranës keni edhe nja tre kala të tjera, plus edhe atë të vetë kryeqytetit. Të gjitha këto kanë dragonjtë, shtrigat, legjendat, heronjtë dhe historitë e tyre, po kjo nuk ka rëndësi.
Pra nëse nuk ju pëlqen historia e as kultura mos u dukni në këto anë. Këto janë gjëra pa rëndësi edhe për institucionet tona shtetërore, kështu që betejat e këtyre kalave nuk i përmend njeri e as ka kush kohë të merret me to. Të ju tregojnë më mirë ca foto ajrore të maleve tona me shkëmbij dhe goca të bukura me rroba tradicionale të sajuara.
Po të vazhdojmë më tej zotërinj kuriozë të botës turistike. Një gjë është e sigurtë: nëse nuk ju pëlqejnë plazhet e virgjëra nuk duhet te vini ketu. Nga Velipoja në Sarandë kemi akoma shumë plazhe të virgjëra e të pastra, pavarësisht këmbënguljes për t’i shkatërruar nga ana e investitorëve shqiptarë e të huaj, apo edhe e shtetit. Por me sa duket akoma nuk ia kanë dalë. Institucioneve promovuese turistike iu doli nga mendja ky detaj, po s’ka gjë se as juve nuk iu interesojnë. Pra nëse preferoni çadrat e ngjeshura, nëse doni të rrini nga pesë vetë në një metër katror dhe të ndjeni erën e djersës e të desodorantit të fqinjit, mos ejani në këto anë. Këtu vështirë të gjeni femra seksi të habitura nga theksi juaj ekzotik që të iu vënë kremin e diellit. Në hijen e freskët të pishave në breg të detit shqiptarët parkojnë makinat, por kishim harruar t’a përmendim.
Nëse nuk ju pëlqen uji natyral, direkt nga burimet e akullta të maleve të larta, mos u dukni. Ju mund të mbartni Perrier sa të doni në çantat e shpinës. Tek ne uji mineral rrjedh në rrugët nacionale, direkt nga burimi, madje edhe lavazhet e makinave atë përdorin . Nëse ju pëlqejnë salçiçet duhet t’i merrni me vete. Më vjen keq: banorët e zonës mund të ju ofrojnë vetëm mish të pjekur në hell, të freskët, të bagëtive të rritura në gjendje të lirë në malet tona. Nëse nuk ju pëlqen djathi natyral, nga qumështi i bagëtive që nuk njohin veteriner mos u dukni fare. Në malet tona nuk i vaksinon njeri.
Nëse doni të hani hamburger me Ketch up mos humbni kohë, mos krijoni iluzione. Në Tiranë nuk do të gjeni McDopio’s as McChurritos, as Cuchifritos e as Pollos. Me pesë dollarë nuk ha dot një hamburger këtu. Nëse nuk e keni bezdi mund të hani ndonjë gjë tjetër me të njëjtin çmim, po nuk e di sa ju intereson: mund të merrni një pulë të pjekur, dy birra të mëdha, sallatë e turshi dhe bukën e thekur e keni falas. Po i ratë nga deti, me kaq mund të merrni një levrek zgare me garniturë dhe një birrë, ekspresin ju fton shtëpia. Këto gjëra nuk i kemi permendur nëpër panaire, se kemi qenë shumë të zënë këto njëzet e pesë vitet e fundit duke bredhur nëpër botë, si emigrantë. Po do thoni ju të nderuar udhëtarë, kur nuk përmendet kultura ç’lidhje kanë mikpritja dhe çmimet e lira.
Zonja dhe zotërinj nëse nuk ju pëlqejnë monumentet mos ejani. Nuk mund të dilni pa hasur në ndonjë amfiteatër të kohës së Romës, në monumente kulture që janë sa një qytet, në ndonjë kishë mijëvjecare apo xhami shekullore. Ka monumente për dreq ngado që të shkoni. Ngado që të kaloni do të ju bjerë të shihni ura të vjetra romake ku ka kaluar Shën Pali, të tjera të paidentifikuara apo mesjetare, rrënojat e ndonjë Hani ku ndalej Skënderbeu e xhade të vjetra me gurë artistikë që do të shkundin makinat tuaja e pastaj do të ndjeni nga larg aromën squfurit të banjave termale. Po juve askush nuk do të ju drejtojë për te ato, as banorët e as institucionet. Le që nuk keni kë të pyesni, hartat turistike që ju kanë shitur ju drejtojnë vetëm për në ndonjë mal, lumë turistik apo lagunë kënetore, drejt hoteleve të dikujt.
Më keq është nëse jeni kuriozë për monumente, godina apo gjëra që kanë të bëjnë me rregjimet komuniste, se juve këto gjëra iu ngacmojnë kuriozitetin. Për këto është keq fare. Nëse nuk doni të bëni ndonjë foto me një bunker apo bazë ushtarake në sfond, këtë nuk mund ta evitoni. Burgjet komuniste i kemi shkatërruar komplet, vetëm ca rrënoja kanë mbetur. Ish industritë e mëdha mund të jenë të mira për ndonjë skenar filmi të frikshëm, po për foto nuk bëjnë. Janë thjesht gjëra që nuk i do i gjeni askund tjetër. Bunkerët janë të gjithë njësoj, se përmasat nuk kanë rëndësi. Pastaj ata janë dëshmi e historisë sonë, dhe ka njerëz të gjallë të cilëve mund të iu vijë turp të iu tregojë, se janë histori intime.
Pra nëse nuk doni të shihni atë që s’keni për ta parë askund tjetër mos u dukni në Shqipëri. Nëse nuk doni të dëgjoni tingujt më të bukur të netëve më të qeta, as të mos ju shkojë në mend të vini. Nëse nuk ju intereson historia e as legjendat, nëse nuk doni t’ia dini për kulturë dhe ndjenja, nëse sinqeriti e mirënjohja iu duken pa kuptim mos u dukni as në kufi. Nëse nuk doni të dëgjoni muzikë hyjnore klarinetash, nëse nuk doni që shpirti juaj të vibrojë deri në gene nga ritmi i pashkruar i daulleve mitologjike, mos u afroni as në hapësirën tonë ajrore. Nëse nuk doni t’i afroheni misterit të një populli mbijetues atëherë dëgjoni predikuesit tanë politikë me experiencë të zeruar para njëzet e pesë vjetëve dhe me njëzet e katër vjet që e përsëritin. Shumë prej tyre do të donin të jua shisnin vendin me çmim të diskutueshëm, me kusht që të firmosni pa e vizituar. Nëse nuk doni të iu trajtojnë si mbretër, nëse nuk e imagjinoni dot si shtëpia mund të jetë e Zotit dhe e mikut, as mos e çoni nëpër mend të vini në Shqipëri, se këtu do të gjeni vetëm bukë e kripë e zemër.
Erion Hiluku
Tiranë, maj 2015.


No comments:
Post a Comment