Thursday, March 5, 2015

Arroganca e mëngjesit

          Ditët e ftohta dhe me shi të japin mundësinë të vëzhgosh realitetin gri, jo vetëm nga vranësira e smogu. Lexuesit e mi do e kuptojnë shumë shpejt se e kam shkruajtur këtë tekst në timon meqë akoma nuk ka një ligj që e ndalon këtë.  Nuk mund ta evitoja, megjithëse për arsye kohe dhe etike e shkrova si të thuash, me frena dore. Më dhimbset polici i tulatur i kryqëzimit, i cili, i pafuqishëm, pret që të gjithë ta respektojnë tabelën e tij të stop-it ndërsa shikon me trishtim të pabindurit t’i kalojnë para hundës, sikur të ishte i padukshëm. Sa për këmbësorët, çuditërisht as ai nuk e vret mendjen, le më shoferët e nxituar të mëngjesit. Polici rri në shi, njerëzit po ashtu, duke pritur që ndonjë shofer i sjellshëm t’iu lejojë të kalojnë në vijat e bardha. Në krahun tjetër të kryqëzimit, unë pres që policit tim t’i mbushet mendja më në fund të hapë rrugën. Por jo. Shiu vazhdon, policët lagen me durimin e detyrës ndërsa kalimtarët lagen nga halli e mallkojnë se askush nuk i lë të kalojnë. “Qeveritë kalojnë, shoqëritë vdesin, policia është e përjetshme”, mu kujtua Balzaku. Në “deja vu-në” e mëngjeseve të mia, i habitur përsëri me skenën, shoh në kroskot minutat që fluturojnë bashkë me karburantin. Më në fund u shfaqën sirenat e xhipave që shoqërojnë politikanin e radhës i cili është vonë për kushedi se ku.
            Autokolona luksoze e shtetit tim sfilon para nesh me arrogancën e një pushtuesi. Mercedesi i zi qeveritar shkëlqen në paturpësinë e tij dhe as shiu nuk e lag. Polici nderon me bori e sharje në sfond por që nuk kanë të bëjnë me të. Një nga meritat e demokracisë është pikërisht se një politikan nuk mund të jetë më inkompetent se ata që e kanë votuar, ka thënë një amerikan i famshëm emrin e të cilit nuk e kujtoj. Unë po mendoja se, atë makinë e ka paguar familja ime ndër breza. Që përpara stërgjyshit tim e di se i kemi paguar taksat shtetit të ri, atyre që erdhën, edhe vetë-mbretit, pastaj pushtuesit, pastaj diktatorit që e mori të gjithë pasurinë tonë, edhe prindërit e mi i paguan gjithë jetën. Çdo ditë, unë vetë, ia paguaj karburantin kësaj makine që më lë të pres në mes të rrugës, ndërsa të tjerët, të pazëtë, i lë të presin në shi.  
            Mu kujtua ndërkohë një ngjarje spanjolle e viteve tetëdhjetë. Asokohe, Presidentit Gonzalez i shkoi mendja të kalonte pushimet në jahtin “Azor” të ish diktatorit Franko. Kështu që, ky President demokracie, pa e menduar gjatë ia kërciti ca ditë me pushime në det të hapur. Spanjollët u revoltuan shumë e lumenj boje u derdhën nëpër gazeta. Presidenti u justifikua duke thënë se jahti ishte i shtetit dhe se ai kishte të drejtë ta përdorte. Një gazetar i njohur i shkroi letër Presidentit ku i kërkonte që t’ia rezervonte jahtin e famshëm për ca ditë. Dëshironte të kalonte pushimet me familjen. Normalisht që duke qenë pronë e shtetit ishte edhe pronë e të gjithë qytetarëve e për rrjedhojë edhe ata kishin të drejtë ta përdornin. Ajo anije nuk u përdor kurrë më për pushimet presidenciale.
            Për këtë u kujtova kur pashë Mercedesin e shtetit tim që fluturonte mbi gropa dhe qytetarët që po i nxirrnin dorën furgonave anës rrugës t’i ulnin duart të ndrojtur, me një gjest të ngjashëm me atë të futjes së votës në kuti. Sido që t’i japi drejtim votës zotëria i lagur duke zgjedhur një të keqe nga dy ose nga tri, me shumë gjasa prapë në shi do të mbetet. Askush nuk habitet më nga arroganca sistematike e politikanëve; menjëherë sa bëhen pjesë e klubit elitar, fillojnë të gëzojnë privilegjet me të drejta të plota. Rrallë herë të zë syri një politikan të sjellshëm e me këmbë në tokë, të edukuar, të dashur me njerëzit qofshin këta edhe votuesit e tij. Mercedesi e shton shpejtësinë dhe sirenat e ngrenë zërin megjithëse rruga nuk është e përshtatshme. Me siguri ndonjëri nga ata njerëz që i ka dhënë voten tani pëshpërit me vete –i lumtë filanit! Kushedi nëse ndonjë ditë, Mercedesi i shërbimit publik ndalet e merr ndonjë votues të lagur! Atëherë koha do të hapej, dielli do të shkëlqente dhe unë do shkruaja një artikull me alegri spanjolle. 
Erion Hiluku

Tiranë,  janar 2015. 

No comments:

Post a Comment